Për të përfaqësuar shqiptarët, BDI duhej të propozonte ndryshime kushtetuese

Nëse BDI-ja pretendon t’i përfaqësojë shqiptarët në të gjitha organet shtetërore, duhej të propozonte ndryshime kushtetuese, në vend se të merret me Ivanovin, të cilin edhe ashtu nuk e njohin si president legjitim. Kështu thotë eksperti juridik Osman Kadriu, duke komentuar fërkimet mes BDI-së dhe presidencës, rreth faktit se kush duhet t’i përfaqësojë shqiptarët në institucionet nën kompetencë të kryetarit të shtetit. Osmani vlerëson se nisma e sivjetme për ndryshime kushtetuese, që tashmë ka hyrë në procedurë, do të ishte rasti më ideal që të precizohet juridikisht forma e përfaqësimit të shqiptarëve në këto institucione, transmeton Alsat.

“Nëse mendohet që në kohën e ardhme edhe në këtë organ mjaft të rëndësishëm të ketë përfaqësim, por përfaqësimi të bëhet nga partia shqiptare në pushtet, atëherë duhet që ajo të rregullohet me dispozitë kushtetuese, meqenëse Kushtetuta i ka dispozitat e qarta, dhe nuk duhet të lejohet të interpretohet dispozita kushtetutuese, por ajo duhet të përpilohet, të jetë e qartë, të jetë koncize, të jetë decide”, tha Osman Kadriu, profesor.

Dispozita aktuale e Kushtetutës, përkatësisht Amendamenti XIII thekson se:
“Gjatë emërimit të tre anëtarëve (të Këshillit të Sigurisë), Presidenti duhet të sigurojë që përbërja e Këshillit, si tërësi, në mënyrë përkatëse të pasqyrojë përbërjen e popullatës në Maqedoni”.

“Partia shqiptare në pushtet nuk figuron si subjekt i cili duhet të konsultohet për anëtarët e mundshëm në Këshillin e Sigurisë. Kryetari i Republikës ka të drejtë ekskluzive që ai të përcaktohet për cilët anëtarë duhet të jenë të zgjidhur prej tij në Këshillin e Sigurisë. Natyrisht unë mendoj se duhet të ndryshohet nëse mendojnë se partia shqiptare në pushtet duhet të propozojë anëtarë të saj, por dispozita e tashme për atë çështje nuk flet, kështu që mjafton të jenë shqiptarë, pavarësisht përkatësinë partiake, ose jashtë partiake”, deklaroi Osman Kadriu, profesor.

Sipas ekspertëve, forma më e mirë do të ishte që BDI-ja të kërkojë që emrat e propozuara nga presidenti të marrin edhe pëlqimin e Qeverisë ose Kuvendit, me çka do të sigurohej ndikimi i partisë shqiptare në pushtet. Pakoja e ndryshimeve kushtetuese e propozuar së fundmi nga Qeveria, nuk përmban asnjë nga kërkesat me interes për BDI-në, edhe pse nga partia e Ahmetit paralajmëronin se do të kërkojnë edhe ndryshimin e formës së zgjedhjes së presidentit. Propozim-ndryshimet tashmë janë dorëzuar në Kuvend dhe do të shqyrtohen në Komisionin parlamentar për çështje kushtetuese më 25 gusht.

Lajme të ngjashme

Back to top button