Virusi vdekjeprurës Ebola, rrezik për tërë botën

Virusi i rrezikshëm i “ebolës” po vazhdon të shkaktojë frikë në Afrikë, por edhe anembanë botës. Në epideminë, deri më tani më të përhapur, në disa shtete afrikane jetën e kanë humbur mbi 670 njerëz, kurse pasi që janë infektuar edhe mjekët, të cilët në Afrikë kanë shkuar për të provuar ta ndalojnë përhapjen e këtij virusi, frika nga “ebola”, e cila vret 90 për qind të të infektuarve, ka filluar të marrë përmasa globale.

Rreziku më i madh qëndron në faktin se koha e inkubacionit mund të zgjasë deri në 21 ditë dhe gjatë kësaj periudhe i infektuari mund të ketë simptome, të cilat të përkujtojnë gripin, kështu që është relativisht vështirë që të izolohen menjëherë dhe të pengohen kontakti me të tjerët. Në këso situate është shumë e mundshme që personi i infektuar pa probleme të mëdha të hyjë në ndonjë aeroplan dhe të fluturojë, për shembull, nga Nigeria në Britani të Madhe dhe kështu i pavërejtur ta bartë me vete virusin në kontinentin tjetër.

Në vendin ku kurrë nuk ka pasur “obolë”, mjekët ndoshta nuk do të jenë në gjendje që menjëherë ta diagnostifikojnë se çfarë nuk është në rregull me pacientin, i cili në një çast sigurisht se do t’u paraqitej me dhembje të mëdha, gjakderdhje dhe të vjella. E ekspertët thonë se pasojat e situatës, në të cilën personi i infektuar do të vendosej në spital me pacientët e tjerë, do të ishin të paparashikuara dhe katastrofale, sepse personeli mjekësor në tentimet e tyre që pacientit t’i ofrojnë trajtim sigurisht se padashur do ta infektonin gjithë spitalin.

Tërë kjo dikujt mund t’i duket panik i pabazë, por duhet përkujtuar se epidemia aktuale për herë të parë në Afrikë është përhapur në mjedise të mëdha urbane, derisa në të gjitha herët e kaluar megjithatë “ebola” ka qenë e kufizuar në rajone të thella rurale. Rreziku që nga ato qytete afrikane mund të bartet në shtetet dhe kontinentet e tjera, prandaj është më i madh se kurrë më parë, shkruan “Daily Mail”.

Mbi seriozitetin e situatës dëshmojnë masat e pushtetit në Liberi, i cili gati krejtësisht e ka mbyllur kufirin e saj më shtetet fqinje, duke tentuar të pengojnë përhapjen e infeksionit. Të martën e kaluar, madje edhe lidhja futbollistike e ka ndaluar lojën e futbollit, meqë është fjala për një sport, në të cilin lojtarët vënë kontakte të drejtpërdrejta me të tjerët, gjë që e shton rrezikun e bartjes së virusit.

Njësoj kanë vepruar edhe në Guinenë e afërt, prej nga epidemia edhe ka filluar dhe në Sierra Leone. Deri më tash në këto tri shtete, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë vdekur 672 persona.

“Sasi kolosale të klorit janë sjellë në aeroportin, Oduber Quiros në Fritaun”, i ka thënë Forbes Sidie Yayah Tunis nga Ministria e Shëndetësisë e Sierra Leone-s.

Ekspertët e huaj mendojnë se këto përpjekje nuk do të jenë të mjaftueshme. Sëmundja është vështirë të zbulohet në fazë të hershme, sepse simptomat si: lodhja, ethet apo të vjellat të përkujtojnë ato të rëndomtat kur është në pyetje gripi apo malaria. Besohet se edhe njerëzit, të cilët mbijetojnë mund të përhapin sëmundjen me anë të marrëdhënies seksuale edhe dy muaj më vonë.

Ekspertët thonë se shkaktari kryesor është virusi i “ebolës”, të cilin, për shkak të natyrës së tij të rrezikshme, është vështirë ta shqyrtosh. Derek Gatherer, ekspert i cili merret me gjenetikën e virusit, nga Universiteti Lancaster në Britani të Madhe, ka shpjeguar se gjithmonë është më lehtë të gjendet ilaçi për sëmundjet, të cilat i shkaktojnë bakteret.

“Ilaçet antivirus janë prapa atyre antibakterialë për disa decenie. Viruset nuk prodhojnë mjaft proteinë, kështu që janë “objektiv” më i vogël që të mund të vihen në shënjestër për t’u trajtuar. Kjo ndodh edhe me virusin e ‘ebolës’”, thekson Gatherer.

Lajme të ngjashme

Back to top button