Dhjetra turistë shqiptarë sëmurën në vendpushimet luksoze në Egjipt

Një virozë la të paktën 30 turistë shqiptarë të sëmurë me disa simptoma, pasi ajo përfshiu një zonë turistike egjiptiane në fund të korrikut. Shqetësime të ngjashme janë raportuar edhe nga shqiptarë të tjerë që pushuan në hotelet e Sharm e Sheikh-ut këtë verë.

Dhjetra pushues nga Shqipëria, që zgjodhën hotelet e Sharm el Sheikh në Egjipt janë prekur nga virusi, që mendohet të jetë Shigella, i cili shkakton diarre, dhimbje barku dhe temperaturë.

Njerëzit që qëndruan në hotelin ‘Hilton Waterfalls resort’ me 5 yje, u ankuan se kanë qëndruar të mbyllur në dhomat e tyre gjatë shumicës së qëndrimit të tyre në hotel, për shkak të shqetësimeve me shëndetin.

Për Gazetën IDEA turistët e kthyer në Shqipëri deklaruan se faji i problemeve me shëndetin ishte higjiena e keqe dhe kuzhina e pistë, në të cilën shërbenin vetëm meshkuj.

“Çfarë pret kur meshkujt të lajnë e të shpërlajnë, kur gatuajnë në kuzhina të ndotura…o zot mirë që shpëtuam”,- thanë turistët për Gazetën IDEA.

“Ujë i ndotur, ushqim që të vinin zorrët në gojë. Të paguash qimet e kokës për pisllëk. O Dhërmi qofsh bekuar…Ç’duam neve andej more aman!”,- tha një tjetër.

“Atje ishte luks në kuptimin e ndërtesave, por ama ushqimi dhe higjienia ishte për mos më keq. I kalova dy ditë në dhomë sëmurë dhe doktori më kushtoi sa gjysma e pushimeve”,- tha një tjetër turist shqiptar për IDEA-n.

Sipas tyre vendi luksoz nuk duhej kurrsesi të kishte mungesë higjiene. Edhe prestigjozja britanike ‘Daily Mail’ raporton sot të njëjtin shqetësim sot, me qindra turistë britanikë të akomoduar në hotelin me 4 yje, “Coral Sea Waterworld”.

Sipas ‘Daily Mirror’, pushuesit që qëndrojnë në hotel, thonë se ka pasur 50 raste të sëmundjes të raportuar vetëm në 24 orët e fundit. Sakaq kostot e vizitës tek mjeku në Egjipt për kurimin e virusit janë minimalisht të kushtueshme në vlerën 200
dollarë.

Turistët shqiptarë thanë se i kishin kaluar pushimet duke marrë mjekime dhe bërë injeksione. Ata shprehen se agjencitë e udhëtimit duhet t’i lajmërojnë turistët para nisjes për rreziqet që mund të hasin në Egjipt. Agjencitë e turistike të kontaktuara nga Gazeta IDEA thanë se nuk ishin në dijeni më herët të të tilla problemeve me turistët në Egjipt dhe se ky ishte rasti i parë. Turistët po lënë opinionet e tyre në faqen e hotelit TripAdvisor, ku shumë ankohen se virusi i kishte shkatërruar pushimet e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button