Kush janë të arrestuarit në aksionin “Dirigjenti” dhe si ka funksionuar rrjeti?

Shkatërrohet bërthama kryesore e të ashtuquajturës “Mafie e Frankfurtit”. Kështu deklaroi sot ministrja e Brendshme Jankullovska e cila tha se bërthama drejtuese përbëhej nga tre grupe shtetasish të Maqedonisë, secili me detyrë të posaçme, transmeton Alsat-M.

Njëri grup vepronte në Veles dhe ka qenë përgjegjës për furnizimin e heroinës dhe të tretësit për përzierjen e drogës. I dyti, i kryesuar nga një 38 vjeçar nga Shën Nikollë, ka rekrutuar të rinj vendas të cilët më pas e shisnin heroinën nëpër rrugët e Frankfurtit dhe rrethinat e saj. Në grupin e tretë gjendeshin dy persona, njëri nga Velesi e tjetri nga Shkupi. Ata organizonin dhe dërgonin një vajzë 25 vjeçare të Velesit, për të blerë heroinën në Amsterdam. Paralelisht me krimin narkotik, është kryer edhe krimi tjetër, i pastrimit të parave. Për këtë, MPB-ja pranon se në krim është përfshirë edhe Drejtoria për të Ardhurat Publike.

“Janë bastisur një numër i caktuar personash, të përfshirë edhe për pastrim parash, konkretisht, bizneset e tyre apo biznese në pronësi të familjeve të tyre. Për këtë arsye, në hetim është përfshirë edhe Drejtoria e të ardhurave Publike si dhe policia financiare, ndërsa pritet nga partnerët tanë në Gjermani, të na dorëzohen dëshmi për disa transferua parash, pas të cilave, do të kompletojmë procedurat edhe kundër personave të tjerë”, deklaroi Gordana Jankullovska, ministre e Punëve të Brendshme.

Sipas MPB-së, në të gjitha aksionet e deritanishme nga operacioni “Dirigjenti”, në vend dhe jashtë, për shkak të lidhshmërisë me këtë grup, janë arrestuar mbi 500 persona. Pjesa më e madhe, rreth 460 syresh, janë arrestuar në territorin e Gjermanisë, Austrisë dhe Holandës. Në vendin tonë, prej vitit 2009 e këndej janë arrestuar 70 persona. Janë sekuestruar mbi 220 kilogramë heroinë, që siç u shpreh ministrja, varësisht nga ecuria e procedurave, janë asgjësuar në mënyrë periodike. Operacioni “Dirigjent” filloi në vitin 2009, në bashkëpunim me autoritetet e Gjermanisë. Në kuadër të hetimit të fundit janë përfshirë 62 persona, prej të cilëve 44 në Gjermani dhe 18 në Maqedoni. Prej personave të arrestuar në Gjermani, 26 janë shtetas të Maqedonisë. 

Back to top button