Shkupi festoi Bajramin para ndeshjes me Tiranën

Skuadra e FC Shkupi pas dy dite pushim që kanë ardhur me rastin e festës së bajramit, të mërkurën është grumbulluar përsëri në stadiumin e Çairit për të vazhduar me punët intensive në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik.
Por para se të fillojnë stërvitjet futbollistët së bashku me kryetarin e klubit Ejup Ademi ishin mbledhur për ti uruar njëri tjetrit festën dhe për tu ëmbëlsuar me nga një bakllava.
Sot skuadra e Shkupit do të niset për në Ohër, ku duhet të zhvillojë dhe ndeshjen e tretë kontrolluese, ndërsa për kundërshtarë do të ketë skuadrën shumë të fortë të Tiranës, e cila këtë sezonë është përforcuar shumë dhe do të jetë një nga konkurrentët kryesorë për titull.
Skuadra e Shkupit dhe Tiranës si dhe tifozët e dy skuadrave “Shvercerat – Shkup” dhe “Tirana Fanatics” kanë një bashkëpunim të madh mes vete dhe janë klube vëllazërore, andaj pikërisht kjo ndeshje pritet të kalojë në një frymë të tillë, duke marrë parasysh se dy ekipet do ta fillojnë se zonin me pretendime të larta, Shkupi për rikthim në elitën e futbollit, ndërsa Tirana për të fituar titullin.

Trajneri Ramadani nesër kundër ish-trajnerit të tij Magani
Trajneri Ramadani nesër kundër ish-trajnerit të tij Magani

Trajneri Zekerija Ramadani është shprehur mjaft i entuziazmuar për takimin me Tiranën, pasi që do të ketë përballë në pankinë e Tiranës ish-trajnerin e tij kur luante te Flamurtari, Gugash Magani.

“Magani është një trajner i madh, ai është një mësues me vlerë për mua, nga i cili kam mësuar shumë dhe besoj se do të mësoj edhe më nga ai. Do të jetë një duel premier për ne dhe test i fortë përballja me Tiranën, duke e ditur se sa janë përforcuar dhe se pretendojnë të jenë në majat e kampionatit shqiptarë. Besoj se do ja kalojmë mirë nesër në duelin e tretë dhe do të përfitojmë nga ndeshja që e kemi me Tiranën”, ka thënë Zekerija Ramadani.
Ramadani mes tjerash ka thënë se ka të gatshëm që të gjithë futbollistët, në përjashtim të Goran Stankovskit i cili është me leje i liruar nga ndeshja e nesërme.
Shkupi deri më tani ka luajtur dy ndeshje kontrolluese, fillimisht kishte barazuar 1:1 me Mlladostin, ndërsa e ka mundur ekipin e Ligës së Parë Sileksin me rezultat 3:2.
Ndeshja Shkupi – Tirana luhet në Ohër me fillim në orën 17:30. / Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button