Efektet e politikës së shoferëve

1. Fundi i legjendave 
Muhabetet e preferuara për patriotizëm dhe kryelartësi, përfundimisht u përballën me realitetin. Dy kamionë të parkuar ilegalisht para kufirit e deligjitimuan makiato-heroizmin. Kaq ishte nga përrallat rreth oxhakut dhe emocionet tomahauk. Një bandë shoferësh jo vetëm që u bënë faktor në Bllacë, por vepruan njëjtë edhe në Jazhincë, sa për t’i kënaqur adhuruesit e gajretit lokal, ku disa shfaqen më patriotë se tjerët. Mirupafshim patriotizëm deri më 28 nëntor dhe pastaj 17 shkurt! 

Ky është shteti-kandidat për BE, që pretendon të jetë i bazuar në ligje, por që gjunjëzohet para një grupi shoferësh për të cilët thuhet se janë të dirigjuar nga qarqet pro-qeveritare, duke e vijuar kështu traditën e kundër-protestuesve që meriton të patentohet si zbulim i këtij pushteti. Po të ishin parkuar në ndonjë kufi tjetër, pronarët e kompanive dhe vozitësit që moti do të shfaqeshin me gjenealogji familjare në mediet qeveritare (përfshirë ato shqiptare), si tradhtarë dhe mercenarë të moçëm.

Bllokimi i kufirit me porosi, e dëshmuar si vegël efektive e politikës, do ta merr tagrin shumë shpejtë. Në Ballkan, vështirë gjendet ndonjë model i mbrapshtë që mbetet pa u kopjuar. 

2. Manipulimi dhe injoranca
Jo se mediet maqedonase nuk kanë probleme tjera, por është mjerim që për një javë bllokadë, asnjë gazetar nuk e morri rrugën deri në Prishtinë që të bisedojë me palën kosovare. Të supozojmë që është e tepërt të punësohen shqiptarë në redaksitë maqedonase, por vallë është kaq e vështirë të kalohet kufiri për ta hulumtuar lajmin e javës? Skemat demonizuese ishin gati tek mediet e shumta në tutelën e pushtetit, dihej që në fillim se vendimi kosovar është ndikuar nga qarqet kriminalo-mafioze. Kjo për dallim nga Maqedonia – sinonim i pushtetit të ndershëm dhe sundimit të ligjit. 

Qofshin afër ose larg qeverisë, pothuajse të gjitha mediet maqedonase e raportuan krizën si ”luftë tregtare” duke e anashkaluar masën e paparë të taksës kufitare dhe nënshtrimit ndaj bllokadës së paligjshme të një grupi shoferësh. Nuk mund të tejkalohet mizoria e injorimit të njerëzve, që u privuan nga e drejta e lëvizjes së lirë për një javë. Fakti që pakkush e pa të rrugës ta kritikojë këtë, flet shumë për shoqërinë, njëjtë si fakti që vetëm dy-tre biznesmenë kishin guximin të prononcohen me emër dhe mbiemër për humbjet milionëshe. Kur heshtet për fitime kaq të larta financiare, merreni me mend se çka ndodh me gjërat më pak të dukshme, si demokracia ose dinjiteti njerëzor. 

Meqë dy partitë kryesore shqiptare heshtën plot katër ditë, mbetet pyetja se çka mund t’i detyrojë ata të dalin nga modeli “bira e minit 300 grosh”. Nuk bëhet fjalë për dalje nga qeveria – është thënë moti se pushtetarët shqiptarë rrinë aty meqë nuk kanë ku të shkojnë. Mes tjerash, kjo është arsyeja pse nuk i pyet kush për asgjë. Politikanët që nuk shkelin në Shkup, mediet e kontrolluara nga mercenarët që i mbrojnë denjësisht padronët qeveritarë, si dhe demek-profesorët që krijojnë një shtresë të rrejshme intelektualësh, janë thelbi i injorancës në shërbim të manipulimit. Tjerat janë vetëm pasojë. 

3. Leksionet 
Partitë politike në Maqedoni treguan unitet si kurrë më parë. Krerët e koalicionit qeveritar as që u prononcuan, disa ministra shkëlqyen me deklarata boshe dhe ide qesharake, ndërkohë që opozita shqiptare duket se ka punë më të rëndësishme se imtësirat si bllokimi i kufirit. Kryeministri foli vetëm një herë, tha se gjithçka mund të ndodhë dhe menjëherë pasuan taksat dhe bllokimi i paligjshëm.

Takimi i mesnatës në kufi mes ministrave nga Maqedonia dhe Kosova jo vetëm se nuk duhet të trajtohet si e arritur, por ajo e shënon kulmin e paaftësisë për zgjidhjen e problemeve me kohë, shumë para eskalimit. Lojërat e këtilla nuk i ndihmojnë Kosovës në etablimin si shtet serioz, aq më pak i shërbejnë Maqedonisë në krijimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët tjerë pos Serbisë. 

Të dy shtetet, Maqedonia dhe Kosova, e dëshmuan edhe një herë që nuk kanë kapacitet të mirëfilltë institucional. Kot janë flamujtë evropianë, kur dy vendet nuk janë të afta as për regullimin e raporteve brenda distancës prej tetëdhjetë kilometrave. Me qeveri të këtilla që bëjnë inat fëmijësh, është e tepërt të pritet takat për veprim me 28 shete të BE-së, nëse një ditë anëtarësohen rastësisht.  

Pushteti, partia, leku dhe patriotizmi nuk janë një. Ky ishte leksioni më i çmueshëm që duhet mbajtur mend, pavarësisht zhurmës së çiftelive dhe ideve për krijimin e komisioneve për bashkëpunim me Kosovën. Në jetën institucionale dhe diplomaci, ka diçka që quhet “ambasadë”, përgjegjëse për raportet mes shteteve – jo për jarani dhe veprimtari partiake. Deri sot, nuk është zgjidhur asnjë problem për të cilin është propozuar formimi i grupeve të punës. Paçim fat për tjerat në ardhmëri!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button