Nimic sot në Maqedoni në bisedime për emrin

Ndërmjetësi në bisedimet për kontestin me emrin, ambasadori Methju Nimic, sot do të mbërrijë në Maqedoni, në kuadër të raundit të ri të bisedimeve me autoritetet në Shkup dhe në Athinë.

Sipas kumtesës së KB-së, Nimic fillimisht do të udhëtojë për në Maqedoni, sot dhe nesër, ndërsa do të niset për në Athinë më 30 dhe 31 korrik.

-Qëllimi i takimeve është të intensifikohen bisedimet nën patronatin e KB-së të kahëzuara drejt gjetjes së zgjidhjes së pranueshme të ndërsjelltë për kontestin me emrin, shkruan në kumtesën  KB-së.

Nimic në Shkup për herë të parë do të takohet me përfaqësuesin e ri të Maqedonisë në kontestin për emrin dhe ambasadorin në SHBA, Vasko Naumovski, i cili është emëruar në këtë funksion me vendimin e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Në deklaratën për programin “Zëri i popullit” ndërmjetësi i KB-së në bisedimet për kontestin për emrin, javën e kaluar deklaroi se kësaj here pret progres të madh në takimet me kreun shtetëror në Shkup dhe Athinë.

-Do të kaloj dy ditë në Shkup dhe Athinë me krerë shtetërorë të të dy vendeve, ku shpresoj për një zgjidhje të pranueshme  të ndërsjelltë rreth kontestit me emrin, theksoi Nimic.

Mediatori pret bashkëpunim të mirë me negociatorin e sapoemëruar  rreth emrit nga pala e Maqedonisë ambasadorin Vasko Naumovski, siç kishte edhe me paraardhësin e tij Zoran Jolevski.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki në pritje të vizitës deklaroi se nuk ka paralajmërim se ndërmjetësuesi Nimic do të sjellë propozim të ri. Me vlerësim të njëjtë dolën edhe burime diplomatike në Greqi, transmeton Katimerini.

Lajme të ngjashme

Back to top button