1954/ Letra për Krujën, si kopjonte UDB librat dhe dokumente shqip për regjimin e Titos

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

Romë, 7 Korrik 1954

 

            I ndershmi Z. Mustafë,

Për karakterin e letrës së Juej, të fundit nuk do të mujshe kurrsesi as me Ju falënderue e as me Ju përgjegjë vetëm pa u takue me shokët e mij, të cilët, tue pasë besimin e plotë në cilësit e nalta të Juejat, më patën autorizue të Ju bâjshe edhe Juve thirrjen për këshillim e ndihmë. Të gjith prá, njizemret e mendjet e ndiejmë për detyrë me Ju falënderue thellësisht për këshilla, mtime, munshtime e dhanje zemër, për mundim e premtim qi bani dhe po ngutem të Ju njoftoj se në tanësí 90% e letrës së Juej âsht përvehtësue.

Pa i kapë pikat ashtu fill’e për pê, po mundohem me Ju përgjegjë letrës së Juej të datës 22 Qershuer.

Ju keni ra pikë për pikë më nji fjalë me nji mikun t’onë qi ndimo Zot e fjalën e parë qi tha qe: “Libër shqip?… për punë të Shqipnís, të Kosovës? – Jo, po libër në gjuhë të hueja për punë të Shqipnis e të Kosovës-ban.” U shtruem për rrashit e u muerëm vesht gjithsesi. Asht e vërtetë se nê – po them të rijvet – na mundon ajohja qi s’kemi mujtë me dhanë dishka, e tue kujtue se po e kryejmë ate dishka, shpresuem se me daljen t’onë këndej do të mirëkuptohemi e do t’i sherbejmë çashtjes së paku nëpërmjet ajkës intelektuale e parís shqiptare, qi, s’po themi hiku, por prini. Ndoshta pse jemi të papërvojë, e ndiejmë nevojën e domosdoshme me u këthye në gjurmët e rilindjes kombëtare në shum pika. Na nuk dijmë ose harrojmë vështirësinat nëpër të cilat keni pasë kalue Ju të Rilindjes. Mù po më kujtohet se sa ishe në Prishtinë, kemi pasë vû në librin e klasës së katërtë gjimnaz përshkrimin e famshëm të Juejin “Si kemi nxanë na…”. Edhe për këte libër do të duhej nji artikull i Jueji “Si kemi shkrue na atëherë” – qi tash fatmirësisht pjesërisht e kemi para veti në letrën e Juej.

Në qoftë se na ndihmon Zoti e urtija, libri do të dali – kur të dali – shqip e do të përkëthehet mejherë n’anglisht e mandej shëndosh e moti i mirë. Ju, për tash, mikut mos i bini më qafë, pse po bahet si puna e peshkut në det e fërteres në zjarm, qi Fishta ia ve në gojë Ali Këlcyrës ke Gomari i Babatasit.

Mtimet e Jueja nuk janë si koshi mbas të vjelash, por me kohë e vend e nuk asht thanë qi ai brúm, paraqitë në trajtë të tryezës së landës e pagzue heret ashtu, të jetë thadrue si shkrolat në Rrasat e Mejzehit, por âsht nji brum në ngjeshje e sipër qi bán új e miell e mund të bâhet buk’e kuleq e të piqet në furr’e në qerep. Ka qenë mù kjo e ky parim qi na ka shtërngue – kundrejt vendimevet të ngushta për këtë punë – me Ju drejtue Jú e ndonji tjetri si Ju për këto çashtje, të bindun plotësisht se, edhe pse me bindje të ndryshme politike e idesh, për këto punë nuk do të kursehet kush. Asht i njajti qëllim i pazhigla qi keni pasë Ju me ABETARIN, me ndryshim se nuk do të dali n’emën të nisjatorvet e punëtorvet, po n’emën të njij brenge së përbashkët, ashtu qi kush t’a lexojë, t’a ndiejë vetin sikur ka bashkëpunue edhe ai me nê.

Përfshimja e landës në kapitujt e shenuem prej Jush si edhe formulimi i titujvet do të mbetet në tanësi simbas Jush. Për ndryshimet qi mund të bahen sidomos nga fundi, do të Ju shkruej ma vonë. Njani prej nesh qi njef turqishten ka marrë përsipër të pyesi në Përfaqsin Turke këtu në se e kanë Encikopedin e Sami Frashërit, prej kah do të mbajë shënimet e nevojshme. Un pata mtue me iu përmbajtë hartës qi ka botue Vardari e qi po Ju a bashkangjes. Për këte nji teknik e pat marrë përsipër me e smadhue, nji tjetër të bate përkëthimin shqip. Ndamjen në Vilajete, tue shënue edhe kufijte Shqipnís simbas porosis e skicës së Juej mendojmë me e bamë simbas përshkrimevet qi ka ba po Sami Frashëri në “Shqipërija ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë?”. Me gjith atë, tue kërkue landë, ndoshta mund të hasim në thesare të paparapame, qi do t’i përdorim me gëzim. Tash për punën e hartës po presim edhe nji herë këshillimin e Z. së Juej.

Shumicën e burimevet qi na këshilloni i kemi pasë parapá. Ju na i keni përforcue e shtue, si ato të Hans Kramer-it etj. Tash qi jam mâ i lirë se përpara kam gjetë mjaft landë në Bibliothekën e Vatikanit, qi mjerisht me 15 k.m. po mbyllet për pushimet verore si ajo orjentalja. Do të na duhet, jo vetëm mue po edhe tjerëvet, me u këthye kah bibliotheka e Antonianvet, ku ka pasë ndejën e Romës I Lumi Fishta. Dikush ve dhe në nacjonale. Besoj se do të matarohemi me ngadalí. Mbassi t’a kemi mbledhë bukur do landë, do të mundohemi me e shoshë e sitë. Ate qi kemi mbledhë do t’a zbardhoj un në muejin Gusht kur të shkoj për pushim. Mandej do të shqyrtohet përsëri. Ndërkohë do të vijohet me mbledhë e porosis së Juej për të mos u ngutë, do t’i përmbahemi, pse përkon edhe me të tjerëvet.

Xhemal Beg Prishtina ka vdekë e i biri qenka “batall”-më tha nji mik qi e njef e un po them “harû”, në qoftë ashtu vërtetë.

Në gjetshim ndonji datë nga kapitulli i VI qi Ju e keni përcaktue “Kryengritja e Kosovës më 1912 kundra Turqis dhe Lufta Ballkano-Othomane”, do të Ju a dërgojmë dhe Ju e rregulloni e e shtoni simbas kujtimevet t’Ueja.

Edhe për kapitujt XII e XIII do të mbajmë si parim, po parimet e Z. së Juej dhe porosit e t’urtëvet si Ju, mbassi ata qi kanë dalë q’prej 1944 e para prej Shqipnije janë bâ – dashtë e padashtë – të gjith t’urtë gati në kuptimin e plotë të fjalës-; por m’anë tjetër âsht mú njikjo pika nevralgjike, për shka na, tue pasë qenë deri diku në dijeni të gjendjes s’emigracjonit të sodshëm shqiptar, përsëri kemi dalë këndej. Nuk besojmë kurrsesi se ka me qenë e paudhë me paraqitë ngjarjet e faktet ashtu si kanë qenë, ashtu si kanë ndodhë. Na nuk do të shtyhemi shum n’arsyetime e mbrapaskena qi dihen mâ. Për ato do të bijmë shembuj nga shkrimtarë, gazetar e komentuesa të huej sa të jetë e mundun për të lanë kështu modestisht me u kuptue ajo qi duhet. Jemi të mendimit se pa e haprue, mú si na këshilloni Ju, âsht e udhës me bindë sa ku të mundemi me fakte tue kursye, shprehjet e frazat bombastike të shprazta. Nuk ka dyshim se ndiesit t’ona do të na duhet me i frenue me përdhunë, aq ma tepër, mbassi kemi ra në nji mende me u këshillue me njerz të vyem siç âsht Z. e Juej. Mú tue bisedue rreth letrës së Z. së Juej e tue prû shembullin e Dr. Milan Shufflay-t qi i ka urrye aq fort Serbët sa i hangrën edhe kryet, nji mik i madh i ynë tha se kemi me ra në pikë të “hallit”. Auktorët si ky e Vllatko Raic, qi vjet ka shkrue librin “Kroacija e Serbija” n’Argjentinë janë ekstremista e doemos do t’i marrim me shum rezervë. Z. Mustafa ka të drejtë.

Përsa u takon dokumentavet qi keni e qi bujarisht e burrnisht na premtoni, për tash jam i autorizuem të Ju rifalënderoj n’emën të të gjithvet e të Ju thom: “Zot ruejna, me na i gjetë gja udhës ata dokumenta të pazavendsueshëm o prej kontrollit të këndejshëm, qi haemadreq s’dijnë se shka bâjnë, o prej atij t’andejshmit, shka kishim me bâ?” Mbasi dikush më fishkëlloi në vesh se Ju paski ndërmend me kalue për Francë së shpejti, me atë rasë, ndoshta përshkoni sadopak o kah Napoli o Gjenova, mund t’ia dorëzoni materjalin ndonjâj prej miqvet qi do të gëzojnë besimin dhe do të ketë nderin me iu dalë përpara. Përndryshej duhej nji “amanetçar” doradoras. Kur të vijnë këtu ato qi na nuk do të jemi në gjendje me i mbledhë e do të na i dërgoni Ju, do të jenë drejt për drejt në besë e përgjegjësi t’emen si Merditas.

Mtimi i parathanjes pa e pasë para landën qe i njij shoqi e na të tjerët disi e muerëm e e përvehtësuem vetvetiu diqysh edhe për t’a quejtë vetin mâ të mbështetun, por Ju keni plotësisht të drejtë. Pa u mbledhë edhe nji herë me e shqyrtue landën e qysh ia patëm ngjitë na emnin “tryezën e landës” – tue mos marrë para sysh se shka kemi mbledhë deri tash – nuk po dijmë se shka me Ju ngarkue mâ parë e po tutemi se po Ju mundojmë shum e po na dhimbeni si puna e kingjit.

* * *

Për shëndet tash jam tue ba do gjylpana e tue marrë do barna dhe nuk e ndiej vetin keq. Shpresoj ende se do të dal diku jashtë gjatë muejit Gusht.

Mu’atë ditë qi më mrrijti letra e Juej kam pasë ba gati nji letër të shkurtë, në të cilën Ju kam pasë shtî katalogun e libravet qi keni këtu bashkangjitun. Miku i jem qi kam në Shpín Botuese “M. Bakija” më shkruen se âsht në gjandje me bâ qi të Ju dërgohen të gjitha librat qi dishroni, por me kusht qi të drejtoheni jo atij, por zyrtarisht shpís botuese tue i bâ listën e libravet e tue iu kërkue çekun. Un kam bâ për tash nji kërkesë të vogël për veti, e për nji mik këtu pak ma të madhe, pse ai ia ka kohën. Ato qi kam kërkue un në katalog janë shënue me ngjyrë, ndërsa miku i ka shënue të vetat me O. Tash, në qoftë se do të bani Ju kërkesë, mirë; në qoftë se doni qi të Ju a bâj un, mirë se mirë, më shkrueni; porse i takon me ba dy angarije e pague dy herë për postime dhe me kalue nëpër katër dyshime. Me gjith ate, kishem me thanë të mos nguteni deri sa të marrim na porosín e parë e mandej të Ju shkruej se si na i kërkuen të hollat, ç’farë pratikash na u deshtën për pagim etj. Në qoftë se “ishalla” kaloni këndej, po Ju a bâj un n’emën t’emin porosín, porsa të marr shënimet e Jueja.

Po Ju dërgoj edhe “Vardarin”, qi përmban FALËNDERIMIN Fadil Hoxhës, i cili nuk ka pasë prâ tue thanë se “Për Kosovë duhet nji SHIPJON”. Duket se ate e ka mendue për veti si Zoti na falët – e pashi Zotin mos u fyeni se nuk e kam aspak me Ju, se me qenë nuk i veni në dispozicjon pa kurrfarë shpërblimi dokumenta e kohë e fuqi – auktori i “TREGTAR FLAMUJSH”, qi duket se nuk po don me na lëshue asnji libër në dorë, pse vetëm ai duhet me dalë supershipjon i të gjitha përpjekjevet. Ashtu qoftë mâ së fundi e ashtu âsht, pse âsht i zoti.

Fadili nuk âsht i pandiesi nacjonaliste, por mbassi me nacjonalizëm nuk ia pat pa gjasën me dalë në pah, pse ishin të tjerë ma të përgatitun edhe mâ të zott aso kohe e mbasi pat parapa besa edhe mirë se rrota do të sillej si sillej gjithmon’e jetës, bani mirë e iu pshtet të fortit, për të mujtë me u ba “SHIPJON”. Ashtu i squetë, i zoti në të gjitha landët si nxanës (ka qenë), shum i matun, çmonte e përpjestote kohën amerikançe. Në letërsi e histori i pëlqejshin tragjedít, qi si nxanës edhe i luente me gjallní për t’a admirue. Nuk merrte pjesë pa ia sigurue mâ parë vetëm atij protagonistin e atëherë e përvehtësonte me çdo kusht e para të gjithvet. Normalen e ka krye nji vjet mbas meje, më 1940. Pushtimi me nja’anë e ka prekë, më tjetrën e ka zgjue. Ka kalue në Kosovë me petkun e oficerit kmish-zí (dhe ka mbajtë fjalime me nji grup të tillë kosovarësh në Gjakovë, Prizren e Pejë majherë e pa u shpërnda krejt ushtrija Jugosllave. Tërhjekja e italjanvet në Kukës, Va Spas, Tropojë, Vermosh, Tuz etj. e shkatrrimi i Kuksit, Urës së Vezirit etj. i kanë lanë shum përshtypje dhe e kanë ftofë a priori qysh më 1941, posë faktit qi ai ka pasë marrë pjesë në “Grupin e Zjarrit”, ku bante pjesë Zef Mala, Emin Duraku, Elhami Nimani, Kadri Hoxha, etj. Mehmet Hoxhën nuk e ka gjâ, vetëm se të dy janë prej Gjakovet, por Mehmeti asht shum i poshtër – për mue ë -. Ke Ju do t’a ketë përdorë të gjith artin e dreqnis së vet qi e ka të gatshëm për kedo e shtoj se ai ka qenë si nxanës edhe ma i shkëlqyeshëm se Fadili. E njef Z. Koliqi. Fadili, përkundrazi nuk âsht përlëkurës. Madje, në Frori ne 1951, kur u hap zyrtarisht çashtja e shkollavet turke në Kosovë e Metohi, ai ka thanë tekstualisht këto fjalë në mbledhjen e partis; “As gjatë luftës NÇ, as kur studentat e rinija përparimtare demaskonte borgjezín serbomadhe kapitaliste monarkiste, as mbas shlirimit nuk asht vu në pyetje problemi i pakicës turke përsa i takon shkollimit qoftë në Kosovë e Metohi ose në Mal të Zi: ndërsa për Maqedoni ndryshon”. E Gjoko Pajkoviç, sekretar i tij iu ka përgjegjë: “Shok Fadil, ato punë i din partija” mu ashtu sikur kishte pasë thanë dikur Esat Pasha : “kto punë i di Pasha vetë e populli le të hajë… .” Me hipokrizin qi karakterizon serbët qe gjoja gradue si inspektor i Partis për Serbi e përzanë pa nji pa dy prej Kosove; por tash qi asht këthye mbas dy vjetësh dënim, nuk âsht mâ ai Fadili i përparshëm si Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Krahinës autonome të Kosovë e Metohis, por, por i “Qarkut autonom etj.” Me të gjitha të zezat, nuk mund të thohet se nuk ka besim edhe ke shum shqiptar, sidomos intelektual t’atjeshëm, të cilëve iu asht shfaqë haptazi. Un nuk kam dashtë tá takojshe, ndonse e motra qi ka qenë nxanëse e ime ka ardhë me m’urue se dola prej burgut shëndosh. Ajo sivjet mbaron universitetin.

Për lasticitetin e tyne e të Martinit, edhe un jam njimendjet me Jú e po thom Ju lumtë, pse ndryshe nuk i delet. Qe, tash dy vjet e gjymës këtu nuk kam bâ nji “kacell” pune, atje, në mos tjetër, me përkëthime do t’ishe ngî, edhe ajo do të kishte qenë punë jo krejt pa fryt. Më falni në se po Ju thom se duhet me Ju ruejtë letrave, qi UDB i kopjon si dokumenta në favor të regjimit titoist. Pa kurrfarë marrje janë mandej gati me i shtypë. Nuk rrijnë pa e shfrytzue edhe këte leje për “përhapjen e librit në prendim”; po tutem ashtu kot për veti e dridhem kah túa bâj kërkesat. Ndoshta kjo asht e pavend dhe e tepërme, po nji fjalë enthusjazmuese e bajnë si “mrrela-pela”.

Tue ju urue çdo të mirë shëndet e tue Ju rifalënderue un e të gjith shokët për premtim e mundim, po mbetemi tue shpresue se do të bahet ma mirë n’i hiftë fili.

Lajme të ngjashme

Back to top button