Ryshfeti, pezullohet edhe zv.shefi i policisë Rrugores

Pezullohet nga detyra dhe nis hetimi edhe ndaj zëvendësshefit të Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, komisar Baftar Hadushaj.

Vendimi është marrë nga Departamenti për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pas shfaqjes së pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku Hadushaj paraqitet duke marrë shumën prej 20 mijë lekësh të rinj, për të zhbllokuar një patentë.

Pezullimi i tij u konfirmua zyrtarisht edhe nga Policia e Shtetit. “Nisur nga rasti i trajtuar në emisionin “Fiks Fare”, të televizionit “Top Channel”, nga Departamenti për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është marra masa e pezullimit nga detyra të komisar Baftjar Adushajt, punonjës në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ka nisur ecurinë disiplinore ndaj komisar Baftjar Adushajt”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.Një ditë më parë, për të njëjtën arsye, u pezullua edhe specialisti i Policisë Rrugore, Agim Kamberi./ Panorama

Lajme të ngjashme

Back to top button