Beogradi “s’ lejon” t’i ndryshohet emri listës unike “Serbija”

Beogradi ka paralajmëruar se do ta hedhë poshtë kërkesën eventuale të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) të Kosovës që t’i ndërrohet emri listës unike të serbëve “Serbija” , e cila ka aplikuar për regjistrim në KQZ.

Gazeta e Beogradit “Novosti” shkruan se në rrugë diplomatike ka marrë vesh se Beogradi e ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për mundësinë që KQZ të mos e regjistrojë listën unike “Serbia, për shkak të emrit të saj. Sipas gazetës, kryeministri serb Ivica Daçiq do ta shtrojë këtë çështje në takimin e radhës me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, të dielën, në Bruksel.

Sipas burimeve të gazetës, pikërisht emri i listës unike “Serbija” ka qenë arsye për shtyrjen e mbledhjes së KQZ-së, që ishte caktuar për të enjten, në të cilën duhet të bëhej verifikimi i listave zgjedhore të dorëzuara në KQZ.

Autoritetet në Serbi kanë paralajmëruar se do të përdorin të gjitha mjetet për të zmbrapsur kundërshtarët e emërtimit të listës unike. Disa prej tyre kanë shkuar aq larg sa refuzimin eventual të listës “Serbija”e kanë cilësuar “fatal” për marrëveshjen e Brukselit.

“Emërtimi ‘Serbi’ nuk e prejudikon statusin e Kosovës dhe është në përputhshmëri të plotë me marrëveshjet e Brukselit. As nuk vjen në konsiderim ndryshimi i këtij emri”, citohet të ketë thënë Milovan Drecun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.

Në listën unike të serbëve “Serbia”, prapa të cilës qëndron Qeveria e Serbisë, gjenden kandidatët për kryetarë të 22 komunave të Kosovës. Shumica prej tyre janë kandidatë të partive që e kanë bazën në Beograd. Sipas zyrtarëve të qeverisë, lista synon shtimin e pranisë së Serbisë në Kosovë.

“Objektiv i listës unike është rritja e prezencës së Serbisë në Kosovë, përfaqësimi më ënergjik dhe më i vendosur i të drejtave të serbëve të Kosovës dhe shtimi i sigurisë për ta”, ka thënë shefi i Zyrës për Kosovën të qeverisë serbe, në Graçanicë, Branimir Stojanoviq.

Por, të këtij mendimi nuk janë serbët që janë kandidatë të listave të tjera zgjedhore. Oliver Ivanoviq, kandidat për kryetar të Mitrovicës veriore, ka thënë se pjesëmarrja e serbëve me më shumë lista zgjedhore mund të shkaktojë shpërndarjen e votave.

Lajme të ngjashme

Back to top button