Maqedoni: Kur kleptokracia e vret demokracinë!

Rajoni i Ballkanit “vlon” nga politikanët kleptokratë, të cilët pasurohen personalisht dhe familjarisht në kurriz të popullit. E parafrazuar, kjo ishte deklarata e ndihmës së sekretares amerikanë të shtetit, Viktoria Njulland në Forumin vjetor për Kroacinë që u mbajt në Dubrovnik.

Politika s’ka vullnet për luftimin e korrupsionit

Ndërsa Fatos Rushiti, ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) u shpreh për Inbox7 se deklarata e zonjës Njulland se rajoni është nën ndikimin e politikave kleptokratike dhe korruptive dhe si rezultat qytetarët plaçkiten nga politika, në fakt shpreh hapur rezervat që kanë shtetet me demokraci të arrirë karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor, te cilët presin me vite të integrohen në BE dhe në NATO. “Përjashto Kosovën, ku SHBA dhe BE përzihen pozitivisht në politikën e brendshme tek shtetet tjera akuza u adresohet direket politikanëve që menaxhojnë me politikat publike, ndërsa dukshëm mungon vullneti i qeveritarëve për të lënë pushtetin gjyqësor të lirë e të pavarur, si kusht i domosdoshëm për luftimin e politikanëve të korruptuar. Në Maqedoni edhe përkundër aferave me audioincizime të verifikuara, asnjë qeveritar të lartë nuk e kemi në burg. Kjo do të thotë se pikërisht shteti mbron të korruptuarit dhe mban peng zhvillimin e shoqërisë në shumë sfera, sidomos në arsim dhe ekonomi”, thotë ligjëruesi Rushiti, i cili konstaton me bindje se po të kishte bartës të punëve publike, të dënuar për korrupsion zonja Njuland nuk do të fliste aq hapur.

Rushiti vlerëson se opinioni publik u “shokua” pak para zgjedhjeve nga kryeministri Nikolla Gruevski, i cili në një audioincizim fliste për miliona euro dhe për favore, ndërkohë që pas përfundimit të zgjedhjeve kryetari i opozitës, Zoran Zaev i cili nuk pranon të hyjë në Parlament shkon e takon vetë atë që e ka akuzuar publikisht për korrupsion. Kjo sipas tij, reflekton mënyrën maqedonase e të bërit politikë, ku morali publik harrohet shpejt për interesa konjukturale të grupeve politike.

Ndërsa anëtari i Këshillit Drejtues të Organizatës Joqeveritare “Transparenca-Maqedoni“ (TM), Sasho Ordanovski, duke komentuar porositë e Njullandit theksoi se publiku nuk është i informuar sa duhet rreth saj. “Kjo vizitë më tepër është e fokusuar tek aktivitetet e qeverisë maqedonase në fushën e sektorit bankar dhe energjetik, rreth së cilave amerikanët kanë më shumë informacione se sa qytetarët maqedonas“, tha Ordanovski.

TM: Në korrupsion janë përfshirë zyrtarë të lartë dhe të ultë qeveritarë

Përhapjen e korrupsionit në Maqedoni, ligjëruesi i USHT-së, Fatos Rushiti e sqaron përmes faktit se në Maqedoni, për fat të keq ende nxirren dokumente publike me “të njohshëm” dhe me “para në dore”. Kjo sipas Rushitit flet se Maqedonia është një shtet të vonuar në përqafimin e demokracisë. “Maqedonia deri më tani nuk u bë shtet i së drejtës, por shtet në të cilin “të pashkolluarit“, bëhen ministra dhe ndërtojnë sistem politik të korruptuar, ku çdo gjë sillet rreth partive kryesore politike VMRO-DPMNE dhe BDI, të cilat e etatizojnë dhe sidomos e partizojnë skajshëm shoqërinë në Maqedoni, në vend se të bëjnë politike zhvillimore dhe produktive. Edhe pse ekzistojnë ligje dhe Komision i Antikorrupsionit, ende nuk kemi drejtues qeveritarë dhe politikë në burgje, përderisa të gjitha raportet ndërkombëtare flasin për korrupsion në Maqedoni”, u shpreh Rushiti.

Ndërsa Sasho Ordanovski nga Organizata Joqeveritare “Transparenca Maqedoni” (TM) vlerëson se megjithë rangimin e Maqedonisë në vendin e 67-të, gjendja e korrupsionit në vend është shumë e keqe se sa tregon indeksi i perceptimit të korrupsionit. “Korrupsioni është i shpërndarë në të gjithë sferat dhe nivelet në shtet. Në të janë të përzier eshalone të larta dhe të ulta të pushtetit. Mekanizmat kontrollues dhe institucionet e shtetit janë larg punës efikase dhe të pavarur dhe praktikisht të njëjtat nuk ekzistojnë, ndërsa viteve të fundit asnjë rast më i rëndësishëm i korruptimit nuk është zbuluar e as proceduar”, thotë Ordanovski.

Indeksi i perceptimit të korrupsionit për vitin 2013

Shteti                      Renditja

Sllovenia              Vendi 43

Kroacia                 Vendi 57

Maqedonia          Vendi 67

Mali i Zi                 Vendi 67

Bullgaria               Vendi 77

Serbia                    Vendi 72

Kosova                 Vendi 111

Shqipëria            Vendi 116

Ai vu në dukje edhe disa fenomene tjera të korruptimit. Sipas tij rritet numri i tenderëve për të cilat bëhet marrëveshje në “katër sy”, rritet numri i anekseve të marrëveshjeve për kryerjen e punëve plotësuese me para të buxhetit të shtetit, të cilat askush nuk i kontrollon, ndërsa Maqedonia nuk ka gjyqësor të pavarur dhe shtyp të lirë, të cilat mund në mënyrë efikase ta korrigjojnë këtë anomali serioze shoqërore dhe politike. Ordanovski paralajmëroi se gjendja e korrupsionit është e keqe, me tendenca të trendeve të përhershme negative.

Ndërkohë Fatos Rushiti vlerëson se Maqedonia nuk shënon përparim në luftimin e kësaj dukurie negative shoqërore. “Nuk ka trend pozitiv për ta luftuar korrupsionin më shumë se sa në Serbi apo Shqipëri, duke qenë pothuajse në një nivel të të bërit politikë, ku qytetarët kanë paga të ulëta dhe në disa rajone janë në gjendje të dukshme varfërie”, tha Rushiti.

Çka deklaroi Njulland në Dubrovnik?

Victoria Nuland“Rajoni është nën ndikimin e politikanëve të pistë, që me ndikimin e tyre në vendet ku janë, po pasurohen dhe po shqyejnë qytetaret.. Evropa nuk mund të jetë e plotë, kur kleptokratët i trajtojnë shtetet, si një burim fitimi e plaçkitjeje për veten dhe miqtë e tyre. Evropa nuk mund të jetë në paqe, kur zyrtarët e korruptuar përdorin frikësimin politik, ekonomik dhe gjyqësor për të shtypur kundërshtarin dhe shqyer qytetarët e tyre. Korrupsioni dhe konfliktet e stërzgjatura po kërcënojnë shume shtete te rajonit”.

Ndërkohë hulumtimi global “Barometri i korrupsionit global 2013″ i “Transparensi Interneshënall” (TI) tregon se shkalla e korrupsionit në Maqedoni për vitin 2013 është 17 për qind dhe është për 4 për qind më e ulët në krahasim me vitin 2010. Barometri global i korrupsionit në Maqedoninë tregon se 42 për qind e të anketuarve kanë dhënë ryshfet, si mënyrë e vetme për ta fituar shërbimin, 37 për qind kanë theksuar se qëllimi ka qenë përshpejtimi i procedurave, ndërsa 21 për qind kanë dhënë ryshfet si dhuratë. Perceptimi i qytetarëve për korrupsion më së larti i radhit partitë politike, pas së cilave pasojnë gjyqësori, administrata publike, policia, Parlamenti, shërbimet shëndetësore, mediat, arsimi, sektori privat, komunitetet fetare dhe ushtria.

Shembuj të luftimit të korrupsionit janë Kroacia, ku ish kryeministri Ivo Sanader është në burg, ndërsa është i dënuar me 10 vjet burg, pikërisht për korrupsion dhe Sllovenia, ku po ashtu ish kryeministri Janez Jansha u dënua me dy vjet burg për korrupsion. Ndërsa politikanët ndiqen penalisht për korrupsion dhe mitmarrje edhe në Mal të Zi, Bosnjë dhe Serbi. /Inbox-7

Lajme të ngjashme

Back to top button