Ndotja në Evropë Sarajeva, Shkupi dhe Tetova ngufaten në tym

Era e rëndë e metalit duket se nuk u bën shumë përshtypje banorëve të fshatit Jegunovcë. I vendosur në pjesën veri-perendimore të Maqedonisë, afër 15 kilometra larg qytetit të Tetovës, ky fshat është sinonim i metalurgjisë së rëndë të vendit. Në qendër të fshatit është e vendosur fabrika për përpunimin e metaleve “Jugohrom” oxheaqet e të cilës ndotin jo vetëm fshatin, por tërë rajonin e Pollogut.

Të shqetësuar për ajrin, por edhe për vendin e punës

Qytetarët e këtij rajoni kanë organizuar disa protesta kundër ndotjes së lartë, që Tetovën, bashkë me Shkupin, i bën qytetet më të ndotura jo vetëm në Maqedoni por edhe në nivel Ballkani. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të përpunuara nga gazeta The Guardian, në nivel të Evropës, Sarajeva është qyteti më i ndotur, i dyti renditet Shkupi derisa i treti Tetova.

Banorët e Jegunovcës nuk dëshirojnë të flasin para kamerës së INBOX7 për këtë problematikë. Thonë se janë të vetëdijshëm për dëmin që e shkakton ndotja, por se nga kjo fabrikë varet ekzistenca e mbi 1 mijë punëtorëve.

“Unë e di se tymi shkakton sëmundje, bën probleme…por ku të gjejnë punë njerëzit? Ku të shkojnë? Me ajër të pastër nuk mbushet barku”, thotë Ratko, banor i Jegunovcës. Ai shpreson se do të gjendet zgjidhje e cila do të mundësojë që fabrika të punojë, ndërsa edhet të mos ndotë ambientin.

Alushi, një punëtor i fabrikës, aspak nuk i intereson nëse ndotet ajri apo jo. Ai thotë se nga ai në shtëpi presin ushqim 5 anëtarë të familjes.

“Ku të shkoj? E dini ju se 1100 njerëz udhqejnë familjen këtu?! Nuk jemi në Zvicër apo Gjermani të kërkojmi filtra apo ta mbyllim fabrikën e t’i lëmë njerëzit pa bukë”, thotë Alushi me një dozë nervoze.

Nga ana tjetër, nga Këshilli protestues “Stop ndotjes kancerogjene” pranojnë se iniciativa dhe protestat e tyre keqkuptuar nga punëtorët e Jugohromit dhe të afërmit e tyre. Thonë se nuk kërkohet mbyllja e fabrikës, por vendosja e filtrave konform standardeve të përcaktuara me ligj. Vendosja e filtrave për Jugohromin dhe ndotësit tjerë, ndezja joligjore e bërrllokut dhe gomave, zgjidhja e problemit me deponitë e egra dhe subvencionim i energjisë elektrike gjatë sezonit dimëror – janë këto kërkesat e Këshillit protestues.

“Ne do të takohemi me ministrin e ri të ekologjisë që edhe atij t’i tregojmë se nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga kërkesat tona. Është legjitime të dëgjojmë planet e tij dhe t’i japim një hapësirë veprimi”, tha Merita Maksuti, anëtare e Këshillit protestues.

Elena Mishevska është koordinatore e Formit Rinor Arsimor në Tetovë. Në bashkëpunim me shoqatat Aleanca Rinore, Shoqëria  e ekologjistëve dhe LGBT United, kanë ndërmarrë aktivitetin “Së bashku protiv zagaduvanjeto vo Tetovo” për të siguruar ajër më të pastër në vend.

“Të merrem masa të menjëhershme për pastrimin e deponisë së qytetit; të ndërpritet lëvizja e veturave në qytet, për periudhë të caktuar, në këtë mënyrë duke u mundësuar qytetarëve transport publik falas për të hyrë në qytet deri tek sheshi qendror; të ndalohet djegia e mbeturinave të ndryshme siç është plastika, goma dhe mbetje të tjera që lëshojnë amvisëritë si dhe mjetjet djegëse. Poashtu, të pengohet ndezja e mbetjeve publike, që gjenden në hapsirat urbane; Inspektorët të vendosin për vënien e filtrave për ndotësit e mëdhenj industrial, siç janë “Jugohromi” dhe të tjerë…”, thotë Mishevska, duke prezantuar kërkesat e shpalosura në protestat që kanë organizuar.

Gjithashtu, kërkojnë edhe parqe dhe hapsira të gjelbërta për rekreim dhe të mundësohen shtigje të veçanta për çiklistët në qytet.

Mungesa e vetëdijes

Mishevska thotë se nga komuna e Tetovës kanë hasë në mirkuptim dhe se ka filluar t’i realizojë të njëjtat kurse nga pesë komunat tjera nuk kanë marrë përgjigje.

“Për rastin Jugokrom kemi mbajtur protestë para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapsinor. Edhepse protesta ishte e paralajmëruar, ministri përsëri nuk u takur me ne. Afati për vendosjen e filtrave , përkatësisht për plotësimin e standardeve për fitimin e lejes së integruar ekologjike për objektet industriale kaloi me 1 prill ,  megjithatë autoritetet akoma nuk kanë dhënë asnjë përgjigje në pyetjen se nese ky afat do të shtyhet”, thotë ajo.

Sipas saj, është e nevojshme iniciativë më e madhe dhe bashkim i aktiviteteve dhe përkrahje më e madhe nga qytetarët që të rregullohet një herë e mirë ky problem i madh pasi Tetova akoma vazhdon të jetë një nga qytetet më të ndotura në Republikën e Maqedonisë.

Ekologjistët thonë se te qytetarët ende nuk ka vetëdije të krijuar për pasojat që sjell ndotja. Alisa Kamberi, banuese e lagjes Drenovec në Tetovë, thotë se tymi që del nga fabrika “Jugohrom” nuk i bën më përshtypje se tash sa vite pamja nga ballkoni i saj ka pikërisht ndotjen e natyrës.

“Unë me duket se jamë mësuar më ndodtjen e ajrit. Tash sa vite e shoh se si ndotet natyra nga vetë dora e njeriut, pra nga fabrika Jugohrom, dhe askush asgjë nuk ndërmerr ta ndal këtë dukuri fatkeqe”, thotë ajo.

Për Kamberin ky problem nuk do të gjej asnjëherë zgjedhje sepse është në favor të personave të caktuar të fitojnë miliona duke helmuar njerëzit.

“Ashtu siç nuk na zgjidhen me qindra probleme me të cilat përballemi çdo ditë, nuk do të zgjidhet as ky problem. Çdo gjë që bëjmë është e kotë”, shprehet Kamberi.

E reja Gona Selmani nga Tetova shprehet se vetëdija qytetare e banorëve të Pollogut do të ngritet atëherë kur do të përballemi me pasojat e mëdha nga ndotja. “Para disa muajsh u organizuan disa protesta. E dini shumë mirë sa ishte numri i pjesmarrësve në këtë protestë. Neve nuk na intereson shëndeti, jemi verbuar nga të gjitha anët”, thotë Selmani.

Qeveria vetëm prolongon afate

Më 10 mars të këtij viti, pas protestave në Tetovë, ish-ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Abdilaqim Ademi, tani Minister i Arsimit, së bashku me zëvendësministrin Stevo Temellkovski, ishte për vizitë në fabrikën “Jugohrom Feroalojs” në lidhje me plotësimin e planit operativ në këtë kombinat metalurgjik për respektimin e standardeve ekologjike, respektivisht marrjes së A lejes së integruar.

Në pajtim me Ligjin për mjedis jetësor, Ademi tha se 1 prilli këtë vit është afati kur të gjitha firmat duhet t’i plotësojnë standardet ekologjike.

“Qeveria ka vendosur të mos ketë vazhdim të afatit për plotësimin e standardeve ekologjike. Megjithatë, kompanive u mbetet mundësia që vetë të kërkojnë vazhdim të afatit për pjesë të caktuar edhe atë për periudhë të shkurtër. Por, vendimi nëse do të lejohet kjo nuk është në kompetencën time, ata kanë kompetencë të Qeverisë. Sa i përket “Jugohrom”, ata kanë zbatuar rreth 14 masa, ndërsa së bashku me komunën do të punojnë në pastrimin e ujërave komunale dhe ndërtimin e stacionit filtrues. Si problem kryesor mbetet vendosja e sistemit për filtrimin e pluhurit nga gazrat e dëmshme nga impianti, si dhe 5 masa të tjera që varen nga ai”, deklaroi Ademi më 10 mars në Jegunovcë.

Ministria e Ekologjisë vazhdon të vendosë afate të reja për ndotësit, edhe pse kompanitë e kanë për obligimin të vendosin filtrat që nga viti 2005.

Sipas tij, nga metalurgjia përveç “Jugorhomit” edhe “Makstil” nuk i ka plotësuar të gjitha standardet, ndërsa afati maksimal për të cilin mund të arrihet prolongim për pjesë të caktuara nga aktivitetetet dhe masat është 5 vjet. Sipas drejtorit të përgjithshëm të “Jugohrom Feroalojs”, Branisllav Gjurqeviq potësimi i standardeve ekologjike është punë e rëndësishme për fabrikën.

Megjithatë, Jugohromi dhe ndotësit tjerë vazhduan punën edhe pas 1 prillit, gjë që ka shtuar revoltën te qytetarët që banojnë në rajonin e Pollogut.

Pas zgjedhjeve parlamentare, në kolltukun e Ministrisë së Ekologjisë u ulë Nurhan Izairi. Në paraqitjen e tij të pare, Izairi tha se nuk do të ketë më afate shtesë pas 31 tetorit dhe se Makstil dhe Jugohrom për të cilët vlente prolongimi, rrezikojnë mbylljen. / Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button