Shtretërit e lumenjve në Tetovë mbeten në gjendje të rëndë, pavarësisht pastrimeve për “sy e faqe”

Shtretërit e lumenjve në rajonin e Komunës së Tetovës dhe jo vetëm vazhdimisht janë të ndotura me lloj-lloj mbeturinash. Ndonëse Komuna për çdo vit bën pastrimin e tyre përmes planeve aksionale, kjo sipas sektorit civil është e pamjaftueshme, pasi nuk është zgjidhje afat-gjate, shkruan Portalb.mk.

Pamjet e shtretërve të lumenjve një territorin e Komunës së Tetovës më shumë u ngjajnë deponive se sa lumenjve.

Kështu duket për shembull shtrati i Lumit “Shkumbin” në Tetovë dhe Lumi në fshatin Poroj.

This slideshow requires JavaScript.

Për të zbutur këtë problem, të gjithë këshilltarët e Këshillit Komunal të Tetovës në seancën e fundit me 31 mars, votuan pro miratimit për planin aksional për pastrimin e shtretërve të lumenjve në këtë komunë për vitin 2023.

“Edhe atë, për Lumin “Shkumbin”, Lumin në Reçicë të Madhe dhe Reçicë e Vogël, Lumin në Poroj dhe Shipkovicë. Pas miratimit nga këshilli, çdo vjet edhe këtë vit i njëjti dërgohet në Ministrinë e Ekologjisë për ndarjen e mjeteve”, tha Lulzim Bexheti nga Sektori për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës.

Portalb.mk kërkoi edhe planin aksional nga Komuna e Tetovës, por deri në publikimin e këtij shkrimi të njëjtin nuk e dërguan.

Nga ana tjetër, aktivisti ekologjik, Arianit Xhaferi për Portalb.mk thotë se ndotja e shtretërve të lumenjve në Komunën e Tetovës vjen sa nga mungesa e një menaxhimi të mirë me mbetjet komunale e nga mungesa e deponive të standardizuara po aq edhe nga mungesa e vetëdijes dhe kulturës qytetare për të mbrojtur lumenjtë.

“Aksionet (e rralla) për pastrimin e shtretërve të lumenjve janë vetëm ndërhyrje ad-hok për të zbutur problemin, por janë larg nga zgjidhja e problemit në mënyrën e duhur. Si fillim, duhet të hartohet dhe më pas zbatohet një plan i mirëfilltë për grumbullimin, transportin dhe trajtimin e mbetjeve në deponi të standardizuara dhe paralelisht të zhvillohet një kampanjë intensive për vetëdijesimin dhe edukimin e qytetarëve mbi mënyrën e trajtimit të mbetjeve, dhe njëkohësisht të sanksionohen edhe qytetarët edhe subjektet që do të vazhdojnë të ndotin lumenjtë, edhe përkundër kushteve të ofruara për menaxhim adekuat të mbeturinave”, tha Xhaferi.

Nga ana tjetër, Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. Në aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Nga Komuna për këtë të fundit edhe pse kohë më pare u zotuan se do e rregullojnë, kjo nuk ka ndodhur deri tani. Ndryshe, numri i dënimeve të shqiptuara nga Inspektorati komunal për vitin 2022 nga fusha e mjedisit jetësor, sipas asaj që tha Komuna e Tetovës për Portalb, është pesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button