IPA fondet do të shfrytëzohen kryesisht për reformat në gjyqësor

Ndërtimi i besimit të qytetarëve ndaj institucioneve është një nga kushtet kryesore të Brukselit në kuadër të kritereve politike. Për këtë qëllim por edhe për të përmirësuar imazhin e dëmtuar pas procesit ‘Monstra’, zv/kryeministri  për çështje evropiane Fatmir Besimi paralajmëroi se pjesa më e madhe fondeve evropiane IPA 2014-2020 do të shfrytëzohen pikërisht për reformat në gjyqësor, transmeton Alsat.

“Reformat që kanë të bëjnë me rritjen e pavarësisë së gjyqësorit, rritjen e efikasitetit dhe procedurat të cilat do të rritin besueshmërinë tek institucionet e vendit, veçanërisht gjyqësorin…procedurat si të emërimit ashtu edhe të përcaktimit të normave disiplinore dhe normat që kanë të bëjnë si për emërimin ashtu edhe shkarkim të gjykatësve dhe në prokurori për realizimin e punëve të tyre sipas standardeve ndërkombëtare duke siguruar kështu pavarësinë e gjyqësorit”, deklaroi Fatmir Besimi, Zv/Kryeministër.

Megjithatë PDSH drejtoi një sërë akuzash ndaj BDI-së për mos përmbushjen e agjendës evropiane dhe diskriminimin e skajshëm të shqiptarëve në çdo sferë. Sipas PDSH-së, me politikën servile të BDI-së jo vetëm që nuk përmbushen të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë por as kriteret bazë politike që kërkon Brukseli.

“Shqiptarët por edhe forcat progresive evropiane nuk arritën ta kuptojnë përse BDI duhej të hiqte dorë nga gjuha shqipe për proceset euro-integruese. Sipas BDI-së shkaku i bllokimit me vite të proceseve integruese në NATO dhe BE na qenka zyrtarizmi i gjuhës shqipe dhe kërkesat e tjera të shqiptarëve..mos të flasim për gjyqësorin tani më të gjithë qytetarët por sidomos shqiptarët e kanë humbur plotësisht besimin tek gjyqësori sepse është totalisht i varur”, tha Merale Ferati, deputete e PDSH-së.

Nga ana tjetër deputetet e shumicës parlamentare, përkeqësimin e dosjes së Maqedonisë përpara syve të Brukselit, ia faturuan opozitës maqedonase.

“Dialogu politik, gjithëpërfshirja dhe kompromisi duhet të jenë elementë të përhershëm të politikës në Maqedoni. Por e vërteta është se në për momentin jemi në krizë politike”, deklaroi Nora Aliti, BDI.

“Me këtë sjellje, opozita jonë vetëm iu ofron një instrument shtesë në duart e atyre që nuk duan që Maqedonia të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s por bëhet aleate e fqinjit tonë jugor, Greqisë që të mund të thotë se Maqedonia nuk i përmbush kriteret politike”, tha Silvana Boneva, VMRO DPMNE.

Boneva i bëri thirrje opozitës të kthehet në parlament në mënyrë që Maqedonia të shfrytëzojë pikërisht periudhën kur edhe kancelarja Merkel jep sinjale të fuqishme se mbështet integrimin e vendit në BE duke u shprehur e gatshme për të ndihmuar procesin e gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për emrin.

Lajme të ngjashme

Back to top button