Libri i jetës së përtejme

Veshur me rroba të pastra dhe sandale të bardha, ti qëndron në një korridor të madh të mbajtur në këmbë nga kollona.
Në një fron në skajin e largët të sallës ndodhet figura e Osiris, perëndia i botës së nëndheshme. Në të majtë e në të djathtë qëndrojnë 42 perëndi, figura të mumifikuara tmerruese përfshirë Gëlltitësin e hijeve, Kockëthyesin dhe Gëlltitësin e ekzistencës.

Përpara ndodhet perëndia Thoth në formën e një majmuni. Qëndron në krye të shkallëve që shumë shpejt do të përcaktojnë jetën e përtejme. Eshtë dita e gjykimit dhe kush dështon në test do të përjetojë agoninë e vdekjes së dytë. Por askush nuk duhet të frikësohet, sa kohë që posedon Librin e të Vdekurve, i cili në tekstet e tij përmban sekretet e mbijetesës në jetën e përtejme. Kthehesh nga i pari i perëndive dhe fillon të flasësh: “O perëndi që vjen nga Heliopolis, unë nuk kam mashtruar”. Më pas kthehesh nga i dyti: “O perëndi i zjarrit që vjen nga Kheraha, unë nuk kam vjedhur…”

Për egjiptianët e lashtë jeta mbi tokë mund të ishte shumë e shkurtër, dhe kështu që ritualet që rrethonin vdekjen ishin një pjesë integrale e kulturës së tyre. Shumë prej relikeve më të njohura nga Egjipti – piramida, varre dhe mumje – zbulojnë kohën dhe burimet që njerëzit që jetonin në brigjet e Nilit ishin gati të shpenzonin për të siguruar jetën e përtejme. Formula që mund të ndihmonte në rrugën drejt botës së përtejme u shfaqën fillimisht në muret e piramidave gjatë Dinastisë së 5 egjiptiane rreth vitit 2350 para Krishtit. Rreth 400 vjet më vonë në kohën e Mbretërisë së mesme të Egjiptit, këta tekste piramidash u shndërruan në tekste qefinësh, që skaliteshin në gurët e varreve dhe ndonjëherë mbi papirusë.

Pas vitit 1550 para Krishtit një trup formulash magjike të shkruajtura dhe ilustruara në papirusë nisën që të zëvendësojnë tekstet në qefinë në varret egjiptianë. Eshtë ai që sot e njohim si Libri i të Vdekurve. Libri i të Vdekurve vazhdoi të përdoret ndonëse me ndryshimet që pësoi në 1500 vitet e ardhshëm, deri kur ndryshimet e mëdha në vend dëmtuan shumë prej traditave të tij.

Ndonëse ne e njohim si Libri i të Vdekurve, në të vërtetë asnjëherë dy libra nuk ishin të njëjtë. “Nuk ka patur një Libër standard të të vdekurve – cdo dorëshkrim përmbante tekste të ndryshëm”, shpjegon John H. Taylor, kurator i një ekspozite të re britanike e fokusuar në këtë traditë të spikatur egjiptiane. “Kishte një sasi tekstesh, rreth 200 të tillë, nga të cilët mund të zgjidhje, por asnjë dorëshkrim i njohur nuk i përmban të gjithë formulat magjike që njihen deri më sot. Janë disa që ekzistojnë pak a shumë në cdo kopje të Librit të të Vdekurve, dhe të tjera që janë vërtetë të rralla dhe nga të cilat kemi vetëm një ose dy shembuj”.

Libri i të Vdekurve është përdorur gjerësisht në atë kohë dhe janë shumë kopje dhe shembuj që kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Megjithatë është e qartë se nuk ishin të disponueshëm për të gjithë egjiptianët. Shkruajtur me kujdes dhe shpesh herë ilustruar bukur, Librat e të Vdekurve ishin përtej asaj që mund të përballonin shumica e nejrëzve. Ata gjendeshin vetëm në varret e njerëzve që u përkisnin shtresave të sipërme të shoqërisë egjiptiane. Atëherë, nuk ishin thelbësorë? “Duket se nuk ishte dicka që duhej absolutisht ta kishe”, thotë Profesor Stephen Quirke i Muzeut Petrie, në University College në Londër. “Ishte një luks shtesë për të përforcuar shanset për jetën e përtejme. Ishte një shtesë shumë dominuese dhe e dëshirueshme për një varrim të pasur”.

Pasi vdisje, egjiptianët besonin se shpirti yt, ba, do të shkëputej nga trupi por vetëm përkohësisht. Ba do të kish nevojë të rikthehej periodikisht në trupin tënd, ndoshta cdo natë, dhe që ky ribashkim të ishte i suksesshëm duhej që trupi të mbetej i paprekur. Për këtë arsye egjiptianët zhvilluan një proces kompleks të mumifikimit sepse pa të, do të vihej në rrezik jeta e përtejme.

Luftimi i efekteve të dekompozimit nuk mjaftonte megjithatë për të garantuar që do të kishe sukses në botën tjetër. Ba në vetvete do të haste shumë sfida gjatë udhëtimit të tij – dhe për t’i përballuar ato, Libri i të Vdekurve do të ishte një ndihmë shumë e madhe. Kështu që, shpesh herë Libri vendosej në qefin, ndonjëherë edhe i mbështjellë me rrobat e mumjes, me qëllim që fjalët brenda tij do të të ndiqnin teksa hasje në rreziqet e jetës pas vdekjes.

Nuk ka asnjë dyshim që bota tjetër ishte një vend i rrezikshëm, e mbushur me monstra që reflektonin dhe ekzagjeronin bishat e egra që egjiptianët mund të kishin ndeshur në botën e të gjallëve. Kështu që, ishe i pajisur me formula magjike për të luftuar gjarpërinj, krokodilë, si dhe një qenie të frikshme e njohur si “krijesa që gëlltit”. Mund të ndeshje gjithashtu edhe vendin e kasaphanës së perëndive. Fatmirësisht pajiseshe me mjetet për të luftuar të keqen, shpëtuar kurtheve, shmangur dekompozimin dhe kokëprerjen.

Një tjetër gjë e frikshme ishte po të ktheheshe me kokë poshtë, një fat që do të shkaktonte shkatërrim të sistemit tretës. Për këtë arsye, në Librin e të Vdekurve përfshihej një formulë magjike “për të mos ngrënë jashtëqitje apo pirë urinë në botën e përtejme” – një paralajmërim i gjallë i tmerreve që mund të ndeshje.

Lajme të ngjashme

Back to top button