Erdogan: Puçistët e Egjiptit, të nxjerrin mësim nga historia e Turqisë

Kryeministri turk Erdogan, ka ndërmarrë një sulm të ashpër ndaj puçistëve kundër legjitimitetit në Egjipt, duke theksuar se ky puç nuk do i shërbejë aspak popullit, përkundrazi, ai e kthen disa dekada pas. Ai tha se puçistët egjiptianë dhe mbështetësit e tyre, duhet të nxjerrin mësim nga ajo që ka ndodhur në të shkuarën në Turqi.

Gjatë një takimi me ulema dhe hoxhallarë në emigracion, Erdogan u shpreh se Turqia dhe Egjipti janë dy shtete me histori të lashtë dhe se dy popujt i karakterizon një miqësi e pashembullt, Kajro dhe Stambolli janë simotra dhe kur cenohet Kajro cenohet dhe Stambolli dhe anasjelltas. Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Egjiptit, janë në një nivel të tillë që asnjëri nuk bën dot pa tjetrin.

Erdogan tha se puçi ushtarak në Egjipt i cili e largoi Mursin nga presidenca, është i ngjashëm me puçet ushtarake të Turqisë në të shkuarën. Turqia ka paguar taksë të rëndë për grushtet e shtetit dhe puçet ushtarake. Ne nuk ia urojmë asnjë shteti tjetër të vuajë siç kemi vuajtur ne dhe të paguajë haraçe të ngjashme si ato të vendit tonë. Puçet e shtetit nuk i shërbejnë asnjë objektivi të demokracisë, përkundrazi, ato e stopojnë zhvillimin dhe progresin e popujve, duke i kthyer në të shkuarën e errët.

Erdogan u bëri thirrje puçistëve dhe mbështetësve të tyre në Egjipt, që ta lexojnë mirë historinë e Turqisë dhe të nxjerrin mësime prej saj. Të organizosh grusht shteti ndaj një presidenti të zgjedhur nga populli me votë të lirë, në çdo vend të botës qoftë, është diçka e ligë dhe negative, prej të cilës nuk pritet asnjë e mirë. Ai theksoi se në asnjë vend të botës nuk ka grusht shteti demokratik, apo grusht shteti pozitiv dhe të mirë. Dallimi mes puçizmit dhe demokracisë, është si dallimi mes jetës dhe vdekjes.

Lidhur me qëndrimin e perëndimit karshi puçit në Egjipt, Erdogan u tregua kritik me luhatjen e shteteve perëndimore në qëndrimin e tyre karshi këtij puçi. Ai e dënoi shmangien nga ana e tyre të termit “puç ushtarak” duke thënë se krerët evropianë i shkelën me këmbë standardet demokratike. E kundërta ndodhi me krerët e Unionit Afrikan, të cilët nuk hezituan ta quajnë atë një puç dhe grusht shteti ushtarak, duke marrë dhe vendimin për pezullimin e Egjiptit  në Union.

Erdogan tha se puçi i Egjiptit vuri në provë kredibilitetin e evropianëve, ai ishte një test se sa e mbrojnë demokracinë për të cilën na flasin natë e ditë. Ai shtoi se heshtja e tyre, tregoi se ata dështuan në këtë provim dhe test.

Ai tha se nuk ka njeri të pagabueshëm mbi faqe të tokës dhe nëse Mursi ka gabuar, është populli ai që e korrigjon dhe e detyron të paguajë faturën, jo puçistët ushtarakë. Të organizosh puç dhe grusht shteti një vit pasi ka marrë postin, me pretekstin e demokracisë, kjo është diçka e papranueshme, pasi demokracia dhe puçizmi janë dy gjëra të kundërta që nuk bashkohen asnjëherë. Erdogan u bëri thirrje të gjithë atyre vendeve që kanë heshtur, me në krye vendet evropiane, që të mbajnë qëndrim ndaj këtij puçi. “Ai që hesht sot, nuk ka të drejtë të flasë nesër, sepse demokracia nuk i pranon qëndrimet dhe standardet e dyfishta” tha ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button