Obama: Raketa, nga separatistët pro-rusë, reagon Moska

Presidenti amerikan Barack Obama ka bërë përgjegjëse Rusinë për rrëzimin e avionit malajzian, në bordin e të cilit kishte edhe pasagjerë amerikanë.

Në një deklaratë, Obama ka deklaruar se avioni është qëlluar nga një sistem raketor i sofistikuar dhe ka theksuar se ky veprim ka shkaktuar një irritim madhor.

“Siguria jonë se raketa u qëllua nga zona të kontrolluara nga separatistët pro-rusë po rritet. Kjo është padyshim një alarm zgjimi për Evropën dhe mbarë botën se do të ketë pasoja nga përshkallëzimi i konfliktit në lindje të Ukrainës”, ka thënë Obama.

Ai ka theksuar se kriza ukrainase nuk do të mbetet më një krizë lokale dhe i ka drejtuar një akuzë direkte presidentit rus Vladimir Putin. “Zoti Putin ka kontrollin e pjesës më të madhe të dhunës në konfliktin në Ukrainë”, ka thënë më tej shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ai ka bërë gjithashtu thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës në lindje të Ukrainës dhe kryerjen e një hetimi serioz dhe të besueshëm të tragjedisë ajrore.

Reagon Moska: Obama, propagandë ofensive

Ndërkohë, Alexander Nekrasov, një ish-këshilltar i Kremlinit, ka akuzuar presidentin Obama se i ka dhënë jetë një “propagande ofensive” kur hetimi mbi tragjedinë nuk ka filluar ende.

Nekrasov ka hedhur poshtë mundësinë që raketën ta kenë qëlluar separatistët pro-rusë, duke ia atribuar veprimin ndonjë njësie “renegate” të ushtrisë ukrainase.

“Sistemi BUK konsiston në katër automjete dhe dy radarë. Duhet të jesh profesionist për ta kontrolluar. Kështu që dyshimet janë që kjo të jetë bërë nga ndonjë njësi renegate e ushtrisë ukrainase, apo nga ndonjë njësi analoge e të ashtuquajturve separatistë”, ka thënë Nekrasov.

Ndërkohë, ekipi i hetuesve të OSBE-së ka mbërritur në vendin e ngjarjes, i kryesuar nga numri dy i misionit të monitorimit, Alexander Hug.

Ndërsa një burim nga OSBE ka thënë për BBC se, ekipi nuk ka pasur akses të plotë në vendin e ngjarjes dhe se pranë saj ka pasur të shtëna, por pa rrezik për hetuesit.

/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button