Qeveria nuk ka para për të mbuluar deficitin e parashikuar

Qeveria nuk ka para për të mbuluar deficitin e parashikuar për këtë vit dhe për këtë arsye merr hua euro-obligacion që do të arrijë maksimumi gjysmë miliard euro. Kështu vlerësojnë ish ministrat e financave Popovski dhe Hajredini. Argument për këtë, thonë ata, është shuma dhe fakti se euro-obligacioni do të përdoret edhe për këtë vit, edhe për vitin e ardhshëm, transmeton Alsat.

“Më kot kryeministri deklaron se është për ri-financim të borxhet të vjetra. Nëse është për ri-financimin e borxhit të vjetër të obligacionit të vitit 2005, do të jetë 150 milionë, e jo 500 milionë euro. Qeveria ka një deficit të madh që është 300-400 milion në vit. Ajo duhet të kreditohet nga diku”, tha Nikolla Popovski, Ish Ministër Financash.

Vendimi për shumën dhe afatin e euro-obligacionit është publikuar në gazetën zyrtare. Atje thuhet se euro-obligacioni do të jepet në tremujorin e tretë të këtij viti, dhe do të lëshohet për mbështetjen e buxhetit për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, që është në kundërshtim me deklaratën e djeshme të kryeministrit Nikolla Gruevski se vendi, edhe për këtë vit nuk ka nevojë për euro-obligacione dhe prandaj ri-financimi do të vinte në fillim të vitit të ardhshëm.

“Janë kontradiktorë për destinacionin e mjeteve. Kryeministri thotë vetëm për financim, do të thotë vetëm për të paguar, për të shlyer borxhet e mëparshme, kurse Ministri i Financave thotë se për deficitet që i ka në buxhet. Janë këto situata që me të vërtetë e habisin opinionin”, u shpreh Xhevdet Hajredini, Ish Ministër Financash.

Edhe pse nga qeveria thonë se euro-obligacioni do të jetë me normën më të ulët të interesit, megjithatë, ekonomistët theksojnë se çështja nuk është tek niveli i ulët, por a do të ndikojë dhe sa më e lartë do të jetë nga normat e interesit që Maqedonia kishte vitin e kaluar me garancinë nga Banka Botërore, dhe sa do të jetë më e lartë nga interesi me të cilin huazojmë nga bankat e vendit.

“Le të shohim se cili është interesi më i ulët historik. Së pari, kemi një euro-obligacion me interes 4.5 %, pastaj kredia nga Banka Botërore, Kina, FMN-ja me interes 2 % që qeveria e Gruevskit i ktheu me nxitim para kohe që tani të marrim hua me 9, me 10 %. Pse i kthyen kreditë e Bankës Botërore me 2 %?”, tha Nikolla Popovski, Ish Ministër Financash.

“Kryeministri gënjen kur thotë se do të mirren këto mjete me interes më të ulët. Rekordin e interesit e ka arritur Qeveria e VMRO-së, 9,8. Ku e din kryeministri prej tash se me cfarë interesi do ti merr”, deklaroi Xhevdet Hajredini, Ish Ministër Financash.

Euro-obligacioni i parë u lëshua në vitin 2005, me vlerë prej 150 milion eurosh dhe interes prej 4.65%. Euro-obligacioni i dytë u lëshua në vitin 2009 në vlerë prej 175 milion eurosh me interes prej 9.8% dhe u shlye vitin e kaluar. Në vitin 2010, qeveria u tërhoq nga ideja e lëshimit të një euro-obligacioni sepse kushtet ishin të pafavorshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button