Dritë jeshile për objektet ndihmëse nëpër autostrada

Qeveria fillon me realizimin e projektit për ndërtimin e 30 objekteve ndihmëse në rrugët magjistrale dhe rajonale në të gjithë vendin.

Zëdhënësi i qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev në konferencë për shtyp sot informoi se në fazën e parë tashmë janë krijuar nëntë  vende për ndërtimin e pompave të benzinës, motele dhe objekte të tjera ndihmëse komerciale në tre autostradat që janë ndërtuar në vend.

Prej tyre, dy vende përgjatë autostradës Kërçovë-Ohër pranë fshatit Misleshevë dhe Smilevë, tri vende në rrugën Demir Kapi-Smokvicë pranë lokalitetit Miravci dhe Miletkovë dhe katër vende përgjatë trasesë së autostradës Shkup – Shtip në afërsi të Shën Nikolës, Peshirovës dhe Sopotit.

“Për këto nëntë vende, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe institucionet e tjera relevante kanë filluar procedurat që të çojnë në përpilimin e dokumentacionit urban dhe të planifikimit”, tha Gjorgjiev duke shtuar se  procedurat priten të jenë gati deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Nëntë vendet do të ofrohen për shitje përmes ankandit publik elektronik. “Me krijimin e këtyre objekteve ndihmëse, arrihen disa objektiva si rritja e cilësisë së transportit dhe qarkullimit dhe hapja e  mundësive të reja për komunitetin e biznesit dhe investime që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal”, theksoi Gjeorgjiev.

Lajme të ngjashme

Back to top button