Qime në vezë

Kohë më parë, në Komunitetin Musliman të Shqipërisë, bashkë me përfaqësuesin nga Bashkësia Islame e Kosovës, nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi. Kjo marrëveshje konsiston në një projekt madhor kombëtar. Për këtë hap, të tre palët ishim të vetedijshëm dhe madje shumë të lumtur që më në fund do t’i qasemi punës për një fjalor të përbashkët terminologjik islam në gjuhën shqipe. Fatkeqësisht, madhështinë e një projekti kombëtar e kemi kuptuar vetëm kur me të janë marrë shërbimet sekrete dhe kur ka filluar loja e minimit të projekteve tona. Kështu ka ndodhur, të paktën, në viset etnike jashtë kufijve të shtetit amë. Mjerisht, kështu ndodhi edhe së fundmi! Një burim i yni i sigurt na konfirmoi se nënshkrimi i atij akti për bashkëpunim trilateral, u paskësh nxjerrë punë shërbimeve të SSHK-së maqedonase (DeBeKa-së) apo UDB-së së dikurshme e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur qendër-model e specializuar kundër shqiptarëve. Pra, ky shërbim sekret e paska marrë nga web faqja e BFI-së kontratën që e publikuam dhe paskësh ngritur një grup për ta përcjellë këtë punë si dhe për të zbuluar “qëllimin e vërtetë” të këtij bashkëpunimi. Nga natyra shquhem si njeri që kam qejf t’ua lehtësoj sa më shumë punën individëve, grupeve, shërbimeve, përveç asaj që jam tepër transparent në veprimet e mia, aq më tepër kur ato janë të karakterit kombëtar e fetar.

Në Tiranë, tri liderët fetarë të komuniteteve muslimane nënshkruajtën akt bashkëpunimi për hartimin e Ilmihalit të përbashkët, i cili, në letrat shqipe do të shënonte nismën e parë të përbashkët të komuniteteve tona. Do të ngrihen grupet e punës, të përbërë nga ekspertë të lëmive të ndryshme në fushën islame si dhe nga akademikët e fushës së gjuhësisë shqiptare. Cila është ideja jonë?

Në trevat shqiptare, gjithnjë e më shumë po shtohet numri i kuadrove tona të shkolluar nëpër qendrat e ndryshme islame; çdo njëri prej tyre po intepreton çështje fetare sipas doktrinave dhe filozofive të qendrave prej nga kanë ardhur, sipas shkollave përkatëse juridike islame, sipas mentaliteteve dhe kulturave ku janë formuar si akademikë. Përpjekjet për të ndikuar dhe për të krijuar xhemat të vetin, secila shkollë më vete, sado të pranueshme në islam, po shkaktojnë mjaft telashe në rrafshin kombëtar. Në fjalorin e përditshëm kemi nisur të përdorim fjalë joadekuate për të shpjeguar probleme islame, kemi futur fjalë me të cilat, në fakt, e ofendojmë fenë islame, po na përvjelen fjalë greke e latine për t’i zbërthyer nocionet islame e që, në të vërtetë, as për së afërmi nuk përngjasohen me ato.

Standardit të gjuhës sonë, kujtojmë ne, prijësit e tri komuniteteve, i lipset edhe standardizimi i shprehjeve islame në gjuhën shqipe. Një fjalor unik i terminologjisë islame në gjuhën shqipe është nevojë urgjente dhe e patjetërsueshme.  Problemet tona të natyrës drejtshkrimore duhet të tejkalohen sa më parë. Diku kam nënvizuar se, nëpër shkrimet e teologëve tanë, shpesh hasim nëpër fjalë që na fusin në dilema. Në mungesë të atij standardizimi të gjuhës shqipe islame, në letrat shqipe ndeshim herë fjalën mysliman e herë musliman. Përdoret herë si Allah e herë si All-llah! Herë si Muhamed e herë si Muhammed! “Nuk dimë” si ta pagëzojmë fëmijën: Ymer, Omer, Umer! Ta përdorim fjalën Ummet, Umet apo Ymet…

Të gjithë shqiptarët, pa dallim përkatësie fetare, duhet me çdo kusht ta ruajmë gjuhën e standardizuar si thesarin tonë më të çmueshëm. Por, pa dyshim, kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga ato fjalë që na vijnë nga Gjuha e Krijuesit tonë, nga ato fjalë islame të cilat janë të pashpjegueshme me cilatdo fjalë të tjera dhe nga cilado gjuhë tjetër.

Pra, ky është një projekt kombëtar i cili është në kompetenca ekskluzivisht të ekspertëve të të tri komuniteteve tona si dhe i instituteve respektive të gjuhësisë. Nuk guxon të funksionojë asnjë institucion kombëtar e fetar në kuadër të shoqërisë sonë e që nuk duhet të jetë në shërbim të interesave kombëtare. Ky interes kombëtar nuk  rrezikon, absolutisht askënd, aq më pak shoqërinë maqedonase apo shërbimin sekret maqedonas. Inicijativa jonë e përbashkët mbi të gjitha ka për qëllim mbrojtjen e islamit autokton në viset tona etnike.

Shqiptarët myslimanë, si komunitet dominues në shoqërinë shqiptare, pa dyshim që janë bartës të projekteve madhore historiko-kombëtare. Si komunitet më i madh, janë faktori kyç i tolerancës ndërkonfesionale shqiptare; gjithnjë ditën t’ua shtrijnë dorën vëllezërve të vet të krishterë, si nga komuniteti katolik ashtu edhe nga ai ortodoks. Alfabeti i gjuhës shqipe ishte produkt i këtij vullneti dhe bashkëpunimi vëllazëror i pashoq dhe unik në botë.

Ka ikur ajo kohë kur udbashët jugosllavë projektet e përbashkëta kombëtare i vlerësonin si përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Në Bashkimin Evropian thyhen të gjitha ëndërrallat  për ide megalomane. Në vendet që aspirojnë qeverisje demokratike të gjitha veprimet janë dhe bëhen në mënyrë transparente, madje edhe përpjekjet për sisteme të reja politike bëhen pothuajse haptazi. Në këtë rrafsh, brengosjet dhe angazhimet e shërbimeve sekrete të sigurimit shtetëror janë krejtësisht të kota, siç është e kotë dhe tepër qesharake edhe përpjekja e shërbimit sekret maqedonas që në bashkëpunimin e tri komuniteteve tona të synojë të gjejë qime në vezë.

Cili është morali i këtij shkrimi? Thjesht dhe shqip, shërbimit sekret maqedonas  t’ua bëj me dije se përpjekja jonë është që të bëjmë standardizimin e një fjalori terminologjik islam si dhe të letërsisë islame në gjuhën shqipe.  Përpjekja për t’i dhënë ngjyrë politike, pretendimet për të gjetur një “fundamentalizëm islamik gjithëshqiptar” do të jenë jo vetëm të kota por edhe tepër qesharake. Zaten, jo një herë ky “shërbim sekret” faqe botës ka dalur herë duke dënesur e herë qesharak.

(Autori është Reisul Ulema i Bashkesisë Fetare Islame në RM)

Lajme të ngjashme

Back to top button