Vetvendosja: Qeveria e Thaçit reagoi vonë për situatën në Maqedoni

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë sot me një reagim ndaj pozicionimit të Qeverisë në ikje të Thaçit kundruall protestave të shqiptarëve në Maqedoni.

Në reagim thuhet:

Situata e krijuar në Maqedoni këto ditë pas procesit të padrejtë gjyqësor dhe konfirmimit se dhuna policore e shtetërore është e rezervuar për shqiptarët, e veçanërisht për ata të cilët protestojnë ndaj padrejtësive, nxori në pah po ashtu dhe qëndrimin plotësisht të pavend që paska kryeministri e Qeveria në ikje (e Kosovës – sqarim ynë). Kjo në kushtet kur Maqedonia proserbe e Nikola Gruevskit është shumë më e egër ndaj shqiptarëve sesa Maqedonia e Lubçe Georgievskit.

Në vend të mbështetjes për protestat e drejta të shqiptarëve atje dhe të thirrjes për respektimin e të gjitha të drejtave të nëpërkëmbura të shqiptarëve në Maqedoni, në reagimin e vonuar të Qeverisë së Kosovës u bë thirrje për dialog midis “palëve” duke e shpërndarë përgjegjësinë për dhunën e shfrenuar që u pa në rrugët e Shkupit e qyteteve të tjera.

Ne protestojmë ashpër ndaj reagimit të padrejtë që Qeverisë në ikje e cila i barazoi protestuesit me qeverinë e cila përdor dhunën dhe të gjithë aparatin shtetëror që të shtypë shqiptarët në ngjarjet e fundit e edhe më herët.

Siç jemi deklaruar dhe më herët bëjmë thirrje për lirimin e qytetarëve të arrestuar në protesta, për ndaljen e dhunës e garantimin e të drejtës së protestës.

Po ashtu iu rikujtojmë faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoni se çdo qëndrim që neglizhon në heshtje apo aktivisht reagimin e popullit shqiptar në Maqedoni për ndaljen e terrorit dhe dhunës, i kontribuon thellimit të shtypjes së shqiptarëve atje.

Pjesëmarrja e tyre në Qeveri, Kuvend apo dhe institucionet e pushtetit vendor e të tjera nuk ka mjaftuar për ta sanksionuar respektimin e plotë të drejtave politike, ekonomike e shoqërore të popullit shqiptar në Maqedoni, ndaj është momenti për të mbështetur pa kompromis kërkesat dhe protestat të qytetarëve shqiptarë.

Lajme të ngjashme

Back to top button