Tregu i punës në Gostivar, mungojnë zanatçinj

Në Sallën e këshillit të Komunës së Gostivarit, u prezantua Analiza e tregut te punës për rajonin e Gostivarit, qe është realizuar për nevojat e Këshillit Lokal ekonomiko Social te Komunës se Gostivarit.

Analiza e mbështetur nga USAID,  është realizuar nga ESA Tetovë gjatë muajit Maj dhe Qershor.

Nebi Jusufi nga agjencia për përkrahje të ndërmarrje ESA në Tetovë, tha se kjo analizë do të jetë një bazë për përgatitjen e Planit Aksional për punësimin e të rinjve në Komunën e Gostivarit.

“Analiza ka treguar disa rezultate konkrete të cilat prezantojnë një pasqyrë reale të ekonomisë së komunës së Gostivarit dhe të situatës së tregut të punës në këtë komunë, veçanërisht për pozitën e të rinjve në mënyrën se si kanë pengesa ose si duhet të sillen ose çfarë shkathtësi duhet të kenë që të sigurojnë me lehtë punësime. Nga vetë analiza vërehet se në komunën e Gostivarit ka rritje të popullatës viteve të fundit në bazë të të dhënave Statistikore, nga ana tjetër është edhe në rritje edhe numri i të punësuarve si edhe në nivel shtetëror edhe në Gostivar është mjaftë i lartë”, tha Jusufi duke vazhduar se  ajo që brengos është se numri  i të regjistruarve në Byronë për Punësim është 57.7%  prej atyre që janë pa kualifikim ose kanë kualifikim të ulët.

“Duhet të ndikohet që ajo situatë të përmirësohet. Nga ana tjetër njëjtë është e dhënë interesante që numri i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Komunën e Gostivarit është konstant sikur edhe në nivel shtetëror është 99.45 % në ekonominë e tregut të Gostivarit”, theksoi Nebi Jusufi.

Sipas Jusufit, ka edhe të dhëna tjera  për analizë të shkathtësive të të rinjve që duan të punësohen, format se si punëdhënësit ti angazhojnë, sistemi formal i arsimit të mesëm dhe të lartë, a i plotëson nevojat e tregut të punës së Gostivarit.

“Prodhohen kuadro që ndoshta edhe nuk mund të gjejë edhe punë, nga ana tjetër ndërmarrjet në Gostivar kanë nevojë për drejtime të zanateve që është mungesë. E njëjta situatë ndodhi edhe në Tetovë, por edhe në nivel të shtetit. Mungojnë kuadro të shkollave të mesme profesionale ose të profesioneve të zanateve që duhet tu ndihmojnë ndërmarrjeve”, deklaroi Nebi Jusufi nga agjencia ESA.

Nasir Musliu, kryetar i Këshillit të Komunës së Gostivarit, foli për rolin që ka Këshilli Lokal Ekonomiko Social të komunës.

“Ky këshill u formua me sugjerim të USAID-it, ka funksion konsultativ, këshillëdhënës dhe shqyrton çështje, mendime, propozime dhe rekomandime deri te Këshilli i Komunës dhe organet tjera për çështje të caktuara nga sfera ekonomike dhe sociale, posaçërisht çështjen e punësimit të të rinjve dhe përforcimin e lidhjeve esenciale në mes të nevojave të tregut të punës të definuara nga subjekte të afaristëve dhe shkathtësive të cilët zhvillohen tek të rinjtë nëpërmjet sistemit arsimor”, theksoi kryesuesi, Nasir Musliu.

USAID me rrjetin YES ndihmon në gjithë procesin, jep përkrahje teknike Këshillit Socio Ekonomik të Komunës së Gostivarit e cila paraprakisht e përgatiti Planin Strategjik të këtij këshilli.

Hapi i radhës ishte të bëhet analizë në tregun e punës ndërsa hapi i ardhshëm është përgatitja e Planit Aksional për punësim katërvjeçar për punësim të të rinjve.

Plani pritet të jetë gati për dy muaj dhe nga ky plan Komuna e Gostivarit do të mund të zgjedh programe dhe projekte të cilat disa do implementohen vetë, disa do implementohen me nivelin qendror dhe disa me donator të jashtëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button