Për Shkupin!

Shkruan: Dionis Xhafa , Tiranë

Nuk më rezulton të ketë patur protesta të shqiptarëve në mënyrë kaq masive, aq sa u panë në Shkup, së paku që nga viti 1989, në protestat studentore në Prishtinë. Këta të fundit, patën si pikënisje mosdurimin e regjimit autoritar, deri diktatorial të Millosheviçit, çka u bë të besohej se shtetit të krijuar që më 1945 me emrin Jugosllavi i kishte ardhur fundi, se liria, barazia dhe të drejtat mes etnive në këtë konfederatë ishin veçse propagandë.

Regjimit të Millosheviç iu kundërvunë së pari shqiptarët dhe kroatët, si etnitë më të paragjykuara e më të diskriminuara nga Beogradi zyrtar. Jo rastësisht përmenda demonstratat e shqiptarëve të Kosovës, për të vënë në pah se ka një ngjashmëri mes atij regjimi të Millosheviçit në ish-Jugosllavi dhe regjimit të sotëm të Gruevskit. Ky i fundit, udhëheq sot një parti me parime nacionaliste maqedonase, e vetmja parti nacionaliste që udhëheq një qeveri sot në gjirin e Evropës, e cila çdo ditë e më shumë po e distancon irredentizmin dhe nacionalizmin. Për të ndalur te protesta në Shkup dhe te “Shkupi” si problem i këtyre ditëve….Kam mendimin se protestat që u zhvilluan edhe mund të mos zhvilloheshin që tanimë. Ata janë të drejta nëse i referohemi faktit se shqiptarët diskriminohen, burgosen shpesh me raste të montuara, se edhe Marrëveshja e Ohrit nuk respektohet akoma në Maqedoni etj.

Pra, janë të drejta nëse shihen në këtë aspekt, si vazhdimësi e asaj çka kanë provuar shqiptarët nën një sistem shtypës me nuanca nacionaliste të thekshme të kryeministrit Gruevski.Shkupi pa frikë është shndërruar sot në tmerrin e Evropës, në qytetin që ngërthet nga legjenda që as i përkasin këtij shteti. Pa fund histori legjendare maqedonase dhe shtypje ndaj shqiptarëve. Mirëpo, në rastin “Monstra”, mendoj se duhe pritur edhe vendimi i Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme që të mund të dilet të protestohet në rrugë. Pra, “Monstra” është një nga komponentët përbërës të një regjimi shtypës, ose më më mirë të themi “gjysmë-diktatorial” të ngritur nga Gruevski.

Edhe vetë mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar kreun e qeverisë së Shkupit si një person me karizëm gjysmë-diktatoriale dhe aq më tepër Shkupin e kanë cilësuar “një tmerr ku jetohet me legjenda, ku përshpirtshëm iu mësohet maqedonasve një histori që as mund të mos ketë ekzistuar. Mirëpo, vetë Gruevski dhe partia e tij, VMRO-DPMNE, në deklaratat publike ka thënë se “VMRO respekton shqiptarët dhe mendon për ta”. E, këtu vetëvetiu ka një paralele mes kësaj që ne quajmë “Maqedoni” dhe ish-Jugosllavisë. Ndërsa në fund të viteve 90-të u kuptua se mes etnive të ndryshme në Jugosllavi nuk kishte paqe dhe se ajo ishte vetëm propagandë, edhe Gruevski i ka vetëm propagandë deklaratat e tij.

E vërteta, siç dhe thuhej në “Reuters”, është se ka një hendek mes shqiptarëve dhe maqedonasve, nuk ka aspak bashkëjetesë dhe se këto janë vetëm fjalë, pasi që në vepra është krejt ndryshe. Shqiptarët janë të diskriminuarit. Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar pas konfliktit të armatosur më 2001 as që respektohet, e që këtu dëshmohet se “harmonia” shqiptaro-maqedonase është vetëm përrallë.Ndoshta është momenti më i mirë që Shkupi të çlirohet njëherë e mirë nga “prangat e nacionalizmit gruevskian”, e turpit të Evropës, e mitit të paqenë, e legjendave dhe bëmave historike të kësaj toke, që siç e konsideronte Samaras, është krijuar artificialisht nga komunistët. Është koha të “çlirohet” Shkupi, të çlirohen edhe “ata”. Kjo do të ishte dhurata më e mirë që mund të bënim, ne shqiptarët, për Shkupin.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button