Ekskluzive! Teuta Arifi me projekt të ri për ujësjellësin në Tetovë

Projekti i ujësjellësit të Tetovës do të përpilohet nga fillimi, kështu thonë nga kabineti i kryetares së komunës së Tetovës Teuta Arifi. 

“Komuna e Tetovës është në proces të përpilimit të një projekti që do të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për furnizim të pandërprerë  të qytetit me ujë të pijshëm për realizimin e të cilit do të hapet tender ndërkombëtar”, thonë nga komuna për Portalb.

Sipas tyre, ekspertët kanë konstatuar se projekti ekzistues është vetëm zgjidhje e përkohshme.

“Poashtu sipas analizës së ekspertëve projekti i ujësjellësit Leshnica  ka qenë një  zgjedhje e pjesërishme për  furnizim të përkohshëm me ujë të pijshëm  i cili ka rezultuar me dëmtim serioz të buxhetit komunal dhe shpërdorim të parasë publike” thonë nga kjo Komunë.

Ata përsëritën qëndrimin se në projektin ekzistues ka shkelje të mëdha që me ta është duke u marrë policia financiare dhe më pas do të ketë edhe të dhëna konkrete për këto shkelje.

“Sipas të dhënave fillestare që kemi në projektin e ujësjellësit Leshnica, ka shkelje serioze ligjore nga zbatimi i procedurës për tenderim publik deri te moskryerja e obligimeve nga ana e  kompanisë së kontraktuar. Policia financiare është e njoftuar për të dhënat që dalin nga procesi i auditimit dhe ajo do të veprojë më tutje në bazë të kompetencave të saja ligjore. Pas raportit përfundimtar të auditimit do të merren masa të mëtutjeshme  si nga ana e komunës ashtu edhe nga ana e organeve të drejtësisë” thonë për Portalb nga Komuna.

Për projektin e ujësjellësit janë ndarë më mijëra euro si në kohën kur me këtë Komunë ka udhëhequr Hazbi Lika, në atë të Sadi Bexhetit dhe tani përsëri do të duhet të ndahen miliona euro edhe kur në krye është Teuta Arifi, ndërkohë tetovarët përballen me shumë probleme sa i përket mos-pasjes së ujit të pijshëm. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button