Tetovë, të gjithë duan të bëhen doktorë e gjimnazistë

Edhe afati i dytë për regjistrim në shkollat e mesme të Tetovës kaloi ndërsa semimaturantët mbetën të painteresuar për shkollat profesionale. Këto shkolla ofrojnë mundësi të përgatitjes praktike dhe teorike në një profesion të mirëfilltë si dhe mundësi për studime të mëtutjeshme në çdo drejtim.

Pjesa dërmuese e gjysëm-maturantëve kanë zgjedhur gjimnazin dhe shkollën medicinale për ta vazhduar shkollimin.

Sherif Abdurahmani, drejtor i shkollës së mesme profesionale “Mosha Pijade” thotë se deri më tani kanë aplikuar 170 nxënës në gjuhën shqipe dhe 72 nxënës në gjuhën maqedonase, ndërsa numri i paraparë në gjuhën shqipe është 646 dhe 340 për mësim në gjuhën maqedonase.

Ai bën apel që nxënësit të regjistrohen në këtë shkollë pasi që ka drejtime profesionale që kërkohen në tregun e punës, si dhe kushte ideale për mbarëvajtjen e mësimit.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në shkollën e mesme profesionale të tekstilit “Gjoce Stojcevski” ku sipas drejtorit Abaz Abazi deri më tani dokumente  për regjistrim në të dy afatet kanë dorëzuar vetëm 84 nxënës në gjuhën shqipe, ndërsa asnjë në gjuhën maqedonase. 

Në këtë shkollë janë paraparë 9 paralele në gjuhën shqipe me 306 nxënës  dhe 1 në gjuhën maqedonase me 34 nxënës. 

Sipas drejtorit Abazi kjo shkollë ka në dispozicion tre punëtori të tekstilit dhe tre laborator të drejtimit kimi-teknologji. Drejtorët e shkollave të mesme profesionale bëjnë apel te prindërit dhe nxënësit që semimaturantët ti regjistrojnë në bazë të suksesit të tyre. Rezultatet do të shpallen sot. Afat shtesë për regjistrim është paraparë edhe me 22 gusht.

                              Shkolla e mesme profesionale e tekstilit “Gjoce Stojcevski”

Lajme të ngjashme

Back to top button