Ministri i arsimit nuk do të dëgjojë për testimin ekstern si projekt pilot

Testimi ekstern nuk do të jetë projekt pilot, por do të mbetet projekt ligjor që ka filluar këtë vit, tha Ministri i Arsimit, Spiro Ristovski, pas iniciativës së Forumit rinor të arsimit (FRA) për mbledhjen e nënshkrimeve që testimi ekstern këtë vit të jetë vetëm si test.

Sipas ministrit, çdo aktivitet i organizatave joqeveritare është për t’u respektuar, por reaksioni i FRA-së është me vonesë dhe procesi në këtë fazë është pa efekt.

“Testimin ekstern ka ardhur në fazën përfundimtare. Është viti i parë dhe që nga fillimi kemi thënë se ka pasur disa lëshime minimale të cilat deri në vitin e ardhshëm do të përmirësohen. Peticioni në këtë fazë nuk është i nevojshëm sepse krijon konfuzion shtesë. Ne mbrëmë kemi pranuar iniciativën nga FRA-ja për takim në të cilin ata dëshirojnë t’i prezantojnë idetë e tyre për përmirësimin e testimit ekstern. Mua më vjen shumë mirë se askund nuk thonë se testimi është i keq dhe se nuk duhet të zbatohet, por në letrën e tyre ka iniciativë për korrigjime për vitin e ardhshëm. Unë jam i hapur për bisedime dhe bashkëpunim. Ka gjasa edhe të ketë takim në të cilin do të shqyrtohen sugjerimet e tyre për përmirësimin e testimit ekstern, por nuk do të bisedojmë për atë se a të jetë pilot apo jo”, tha Ristovski.

Ristovski thotë se nota e testimit ekstern është ndryshe nga nota e programit mësimor e përcaktuar me ligj. Ai më tej shpjegoi se nga testimi ekstern në dëftesë mund të vendohet njësh, ndryshe nga lëndën në të cilat sipas ligjit në atë dokument nuk vendohet notë negative. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button