Gruevskit i zien ndër këmbë, kërkon takim me Samarasin sa më shpejtë

Javën e kaluar, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski i ka dërguar letër kryeministrit grek, Andonis Samaras, në të cilën i propozon mënyra për tejkalimin e ngecjes në bisedimet për dallimet për emrin e Maqedonisë, njofton e përditshmja “Dnevnik”.

Të shihemi që këtë javë, thotë Gruevski në letrën e tij. Burime diplomatike, që e kanë konfirmuar këtë për “Dnevnik”-un, theksojnë se bëhet fjalë për letër, në përmbajtjen e së cilës propozohet diçka që është shumë më thelbësore se sa takimet e mëparshme ndërmjet kryeministrave të dy vendeve.

Në letrën dërguar Samarasit, Gruevski thotë se, gjithsesi, të dyja vendet do të përfitonin nga zgjidhja e problemit, që në këtë moment nuk është e mundur për shkak se bisedimet nuk përparojnë ashtu siç duhet dhe ashtu siç pritet.

Prandaj, ai i propozon Samarasit që të krijohen ekipe me në krye kryeministrat e dy vendeve, që do të bisedonin në mënyrë të drejtpërdrejtë për zgjidhjen e kontestit dhe kërkon nga Samarasi përkrahje për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE.  Sipas kryeministrit maqedonas, kjo jo vetëm që do të kontribuojë për ardhmëri më të ndritshme të të dyja vendeve dhe të rajonit, por edhe do ta përmirësojë klimën për mbyllje të suksesshme të problemit të emrit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button