Krasniqi: Posti i kryeministrit i takon partisë fituese, e jo humbësve të zgjedhjeve

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në njëfarë mënyre ka demantuar deklaratat e sotme të liderit të LDK-së, Isa Mustafës dhe të Dardan Molliqajt të Vetëvendosjes, se PDK-ja ua ka ofruar postin e kryeministrit këtyre dy subjekteve në këmbim të bashkëqeverisjes.

Përmes një shkrimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se PDK-së i takon posti i kryeministrit dhe si fituese e zgjedhjeve, ky post është i panegociueshëm.

Lexojeni të plotë postimin e Krasniqit në Facebook:

“Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e pakontestueshme e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, është duke respektuar afatet ligjore dhe ende nuk ka filluar negociatat për krijimin e Qeverisë së Misionit të Ri.

Të gjitha partitë humbëse të zgjedhjeve duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se pozita e Kryeministrit është e panegociueshme, sepse ajo i takon partisë fituese, ashtu siç e kanë përcaktuar qytetarët me vullnetin e tyre të lirë dhe siç e ka rikonfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese.

Qeveria e Kosovës do të udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, në koalicion me partnerët që e kanë prioritet zhvillimin e vendit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zbatimin e Misionit të Ri. Në asnjë rast nuk do të qeverisim me ata që duan ta kthejnë vendin tonë prapa në procesin e shtet-formimit dhe të integrimeve euro-atlantike”.

Lajme të ngjashme

Back to top button