Posti i kryetarit të Kuvendit vë në pikëpyetje marrëveshjen LDK-AAK-Nisma

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës si duket do të jetë gozhda e parë në të cilën rrezikon të ngecë procesi politik pas-elektoral. Treshja LDK-AAK-Nisma me marrëveshjen e tyre kanë vendosur që LDK-së t’i takojë posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por këtë si duket nuk e lejojnë ligjet në fuqi në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit zgjidhet në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me shumicën e thjeshtë, 61 vota të deputetëve të ri të Kuvendit. Mbledhjen konstituive të Kuvendit të ri e organizon Kryesia e vjetër. Por, mandati i Kryesisë së vjetër është i kufizuar vetëm në atë që të ftojë mbledhjen, të përgatisë agjendën e mbledhjes dhe të përcaktojë ulëset për secilin grup parlamentar dhe atë sipas një procedure të sqaruar në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës. Pra, është një kompetencë krejtësisht formale dhe e kufizuar. Mbledhjen e udhëheq deputeti më i vjetër i Kuvendit të ri, gjithashtu me kompetenca të kufizuara.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, që është kategori kushtetuese, hapat kryesorë në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës janë verifikimi dhe konfirmimi i mandatit të deputetit, betimi i deputetit dhe zgjedhja e organeve të Kuvendit. Verifikimi dhe konfirmimi i mandatit të deputetit bëhet në bazë të të dhënave të ofruara nga KQZ-ja, pra kuvendarët e ri identifikohen në bazë të partisë apo koalicionit me të cilin kanë garuar në zgjedhje dhe me të cilin kanë marrë votat për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.

Pra, deputetët e ri, në këtë fazë të mbledhjes, nuk mund të paraqiten si anëtarë të ndonjë subjekti politik tjetër, por vetëm si anëtarë të atij subjekti me të cilin janë certifikuar në KQZ.

Pas konfirmimit të mandatit, deputetët e ri japin betimin. Ndonëse mandati i deputetit fillon me ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve (neni 70.2), deputeti i zgjedhur nuk mund ta ushtrojë detyrën e deputetit para dhënies së betimit. Dokument i rëndësishëm që konfirmon këtë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese RK523/13, i datës 16 dhjetor 2013.

Hapi tjetër është zgjedhja e organeve të Kuvendit, kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit. Sipas legjislacionit në fuqi, të drejtën për të nominuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës e ka grupi më i madh parlamentar.

Në ditën e konstituimit të Kuvendit, grupi më i madh parlamentar është subjekti politik që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, pra në këtë rast PDK-ja.

Deputetët e secilës parti, sipas nenit 20 të Rregullores së Punës të Kuvendit të Kosovës, janë të lirë të formojnë grupe të reja parlamentare, madje edhe grupe që do të jenë më të mëdha se grupet parlamentare në mbledhjen konstituive. Por, për “secilin rast deputeti është i obliguar që për vendimin e ti, ta njoftojë me shkrim kryetarin e Kuvendit”. Pra, që këto grupe të kenë fuqi juridike, për formimin e grupit duhet të njoftohet Kryesia e Kuvendit të Kosovës. Këtu theksi është te Kryesia e Kuvendit të Kosovës që ende duhet të zgjidhet dhe për formimin e grupit të ri parlamentar nuk mund të njoftohet as kryetari i vjetër dhe as kryesuesi i mbledhjes konstituive.

Treshja LDK-AAK-Nisma thirret në formimin e grupit “6+” në legjislaturën e kaluar, për të argumentuar se mund të formojë grup të ri parlamentar edhe në ditën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Por, “6+” vetëm është deklaruar në seancën konstituive, ndërsa juridikisht grupi është konsideruar i themeluar vetëm pasi ka deponuar njoftimin apo shkresën zyrtare te Kryesia e re dhe kjo e fundit ka konstatuar vlefshmërinë e shkresës në mbledhjen e vet të parë.

Argument tjetër i fuqishëm, që shkon në kundërshtim të pohimeve të LDK-AAK-Nisma, është kërkesa e AAK-së për ndryshimin e përfaqësimit në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës pasi grupet parlamentare të AAK-së dhe LVV-së kishin ndërruar vendet për nga numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës. Megjithëse AAK ishte bërë grup më i madh parlamentar se VV-ja dhe kërkonte përfaqësim adekuat në Kryesi, Kuvendi nuk kishte pranuar që të ndryshojë mënyrën e përfaqësimit të LVV-së dhe AAK-së. Këtë vendim më vonë e ka mbështetur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Pa përfunduar sekuenca e verifikimit dhe konfirmimit të mandateve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në bazë të të dhënave të KQZ-së, betimi i kuvendarëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit, mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk konsiderohet e mbyllur dhe Kuvendi nuk mund të mbajë mbledhje tjetër parlamentare. “Mbledhja konstituive” mund të ndërpritet për të vazhduar në një ditë tjetër, por Kuvendi nuk do të konsiderohet i konstituuar deri sa “Mbledhja konstituive” të mos përfundojë.

Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk parashohin ndonjë procedurë e cila lejon që nominimi i kryetarit të Kuvendit të mund të bartet nga një grup parlamentar në një grup tjetër parlamentar. Kjo do të thotë se nëse Kuvendi dështon që të zgjedhë kryetarin, atëherë konstatohet bllokimi i punës së Kuvendit. Në Kushtetutë dhe në Rregullore të punës nuk ka ndonjë procedurë si të veprohet në një situatë të tillë, prandaj supozimi logjik është shpërndarja e Kuvendit, sepse pa u konstituuar Kuvendi i Republikës, Presidenti i Kosovës nuk ka mundësi juridike që të kërkojë mandatarin për kryeministër të vendit.

Rrjedhimisht, pamundësia për të zgjedhur z. Isa Mustafa për kryetar të Kuvendit të Kosovës e vë në pikëpyetje edhe marrëveshjen LDK-AAK-Nisma në formën e tashme dhe do të shtrojë nevojën për një marrëveshje të re në mes të këtyre tri partive. (lajmi.net)

Lajme të ngjashme

Back to top button