Marin Mema: Politika shqiptare në Maqedoni duhet të tregojë nëse mbron interesat e shqiptarëve

Redaksia e Portalb, sjell mendimin e gazetarit të Top-Channel, Marin Mema në lidhje me ndodhitë e fundit në Maqedoni ku u mbajtën protesta kundër rasteve të montuara politike ndaj shqiptarëve në Shkup, Tetovë, GostivarDibër, Strugë madje dhe në Stamboll.

 Mema: Politika shqiptare në Maqedoni duhet të tregojë përfundimisht nëse mbron interesat e shqiptarëve apo jo!

Portalb: Sipas bilancit paraprak nga Ministria e Brendshme, ka pasur dhjetëra protestues të arrestuar. Ç’mendoni mbi arrestimet e tilla?

Marin Mema: Nuk është e drejtë dhuna që është ushtruar..nuk është i drejtë represioni ushtarak dhe policor… shqiptarët po trajtohen si të huaj, si pushtues, kur ata jane në tokën e tyre…Po vihen ballë një sulmi të patolerueshëm të cilin shteti maqedonas duhet ta ndalë menjëherë.

Portalb: Deri me tani protesta organizohet turma-turma dhe pa një ide. A duhet të ketë protesta një udhëheqës?

Marin Mema: Protestat kane nevojë sigurisht për një kokë, por duke parë se politika në Maqedoni është e zënë duke i bërë fresk qeverisë dhe interesave të saj personale , ato nuk kanë një të tillë. Tashmë duhet të jenë një grup të rinjsh që të marrin gjithçka në dorë, një grup idealist që duhet të drejtojnë protestat, që të dijnë se çfarë kërkojnë dhe të adresojnë kërkesat në formën e duhur. Vetëm përmes të rinjëve të zhveshur nga interesat partiake, nga interesat e çcdo lloji që mund të cënojnë pavarësinë e tyre mund të arrihet një rezultat i vërtetë.

Portalb: Roli i fesë në këtë mes?
Marin Mema: Do të doja që protestat të ishin e të kishin vetëm ngjyrat kombëtare. Ato janë ngjyrat që na përfaqësojnë, e mbi të cilat janë ngritur themelet e mbijetesës sonë. Ne jemi shqiptarë, ky është identiteti ynë dhe si të tillë duhet të kërkojmë të drejtat tona, lirinë tonë, mundësitë e gjithçka na ka dhënë Zoti e askush tjetër. E pikërisht ai Zot na i dha me flamurin tonë kombëtar. Duhet të kemi kujdes që askush të mos përdorë shpirtin e këtyre protestave për qëllime të tjera , do të ishte e pafalshme. Duhet çdo ditë të kujtojmë kush jemi dhe nga vijmë e përmes këtyre rrënjëve të ngremë edhe traret e protestave të sotme. Shqiptarët kanë patur historikisht problem kombëtar dhe jo fetar, të mos e harrojmë. 

Portalb: Roli që duhet të luajë politika shqiptare jashtë dhe brenda Maqedonisë?
Marin Mema: Rolin më të turpshëm e ka marrë politika në Maqedoni e cila po fle mbi protestat që po organizohen, po fle mbi dhunën që po ushtrohet, por fle e gatshme jo për të përkrahur shqiptarët por për t’u shqyer mes veti kush e kush të shtrihet në shtrat me pushtetin maqedonas. Politika shqiptare në Maqedoni duhet të tregojë përfundimisht nëse mbron interesat e shqiptarëve apo jo. Të mos thuash as edhe një fjalë?! E ç’mund të presësh nga përfaqësues të tillë që s’duan t’ia dinë për asgjë.

Fitim Dika, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button