Kufizimi i borxhit, prapavijë e Gruevskit për t’i ngulfatur gjeneratat e ardhshme

Kufizimi kushtetues i borxhit publik në 60 % nga Prodhimi i Përgjithshëm Bruto është kufi shumë i lartë për ekonominë maqedonase. Kështu vlerëson ish ministri i financave Nikolla Popovski. Sipas tij, e shprehur me numra absolut, bëhet fjalë për borxh shumë të madh, transmeton Alsat.

“Të dhënat e tanishme zyrtare për nivelin e borxhit janë rreth 35% edhe pse mendoj se është joreale dhe e fshehur. Kjo do të thotë se ne kemi rreth 2-3 miliardë euro borxh. E tani, imagjinoni sikur të arrijmë në 60 %, atëherë ne do kemi 6-7 miliardë euro borxh publik. Kush mund ta përballonte presionin dhe të funksiononte me borxh publik prej 6-7 miliardë euro në Maqedoni”, u shpreh Nikolla Popovski, ish ministër financash.

Sipas Popovskit, kontestuese është edhe kufizimi i deficitit buxhetor në 3%, sepse qeveria aktuale në vitet e kaluara vazhdimisht ka pasur një deficit më të madh buxhetor nga ky që duan të kufizojnë tani. Popovski thotë se nëse tani kufizohet me Kushtetutë, ndonjë qeveri tjetër, kur të ballafaqohet me recesion ekonomie, dhe të ketë nevojë për deficit më të lartë buxhetor, nuk do mund ta bëjë këtë për shkak të kufizimeve kushtetuese. Një gjë e tillë do të dëmtonte ekonominë, prandaj është mirë që këto kufizime të rregullohen me ligj. Profesori Tome Nenovski del me qëndrim të kundërt.

“Kushtetuta nuk ndryshohet shpesh dhe nuk është aq lehtë të ndryshohet. Ligji ndryshohet me 61 deputetë, gjithmonë kur një garniturë  të caktuar qeveritare ta dëshirojë atë”, deklaroi Tome Nenovski, profesor.

Kufizimet e deficitit buxhetor dhe borxhit publik do të vlejnë deri në vitin 2017. Për Popovskin, kjo ka prapavijë.

“Kjo ka prapavijë t’i jepet përparësi borxhit publik dhe deficitit deri në momentin prej përafërsisht një vit para se të përfundojë mandati i saj, dhe pastaj të largohet dhe t’i lërë qeveritë e ardhshme me potencial të madh buxhetor për konsum, dhe në pamundësi për financim me deficitin e ri dhe borxhin publik në kufijtë e qëndrueshmërisë. Dhe çdo qeveri e ardhshme, të mos mund të hyjë borxh për çfarëdo qoftë, që do shkaktonte pasoja serioze ekonomike në shtet”, tha Nikolla Popovski, ish ministër financash.

Edhe Nenovski konsideron se kufizimi nuk guxon të shpërdorohet dhe se çdo pushtet do të duhet të sillet në mënyrë të disiplinuar me paratë e qytetarëve.

“Flasim për ndryshime kushtetuese që duhet të nënkuptojë disiplinim. Duhet të sillemi si tani edhe nesër, për shkak se vijnë gjenerata të tjera. Pa pasur qëllime të fundit, t’i lëmë dikujt ca borxhe nga të cilët nuk do të dalë. Sipas kësaj, është mirë që të gjithë, nga i pari deri tek i fundit, t’i pranojnë rregullat e vetë-disiplinimit dhe sigurimit të stabilitetit të konsumit publik në Maqedoni”, deklaroi Tome Nenovski, profesor.

Nenovski i shpjegon këto ndryshime të Kushtetutës me rregullat e BE-së, ndërsa Popovski thotë se ato rregulla për momentin nuk janë obliguese dhe se madje edhe pas aderimit në BE, kanë një dekadë kohë për t’u zbatuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button