Kroacia zyrtarisht anëtare e Bashkimit Evropian, pritet me entuziazëm

Udhëheqësit evropianë i kanë duartrokitur të premten në Bruksel hyrjes së Kroacisë, e cila, të hënën, më 1 korrik do të bëhet anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian. Po ashtu, BE i ka hapur derën edhe Serbisë, duke shënuar kështu një etapë “historike” njëzet vjet pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë.

Ky zgjerim i BE-së, i shtati gjatë 60 viteve, është zyrtarizuar në ditën e dytë të samitit të shefave të shteteve dhe të qeverisëve, i dominuar sërish nga çështjet ekonomike dhe sociale.

Liderët e 27 vendeve kanë rënë dakord, gjatë natës, për të mobilizuar rreth tetë miliardë euro në luftën kundër papunësisë së të rinjve, një problem shumë i madh për shumicën e vendeve evropiane. Po ashtu, një marrëveshje politike është arritur për buxhetin e BE-së për periudhën 2014-2020, i cili, megjithatë, duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian.

Dy ditë para kohës, kryeministri kroat, Zoran Milanoviq, është ftuar të ulet në tavolinë me homologët e bllokut evropian.

“Ky është vërtet një moment historik për Kroacinë. Ju tashmë jeni një anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Herman Van Rompuy, kryetar i Këshillit Evropian, duke nxitur duartrokitje në sallë.

“Anëtarësimi juaj pas një periudhe lufte të kohëve të fundit na përkujton synimin fundamental të Evropës: të jetojmë së bashku në paqe, të jetojmë së bashku në prosperitet”, ka shtuar ai.

Shumë udhëheqës evropianë, në mesin e tyre z. Van Rompuy, do të jenë të hënën në Zagreb për festimin e kësaj ngjarjeje.

Tetë vjet i janë dashur Kroacisë për të plotësuar kriteret e caktuara nga evropianët, e të cilat janë ashpërsuar që nga fillimi i krizës financiare dhe pas telasheve të shkaktuara nga dy anëtarët më të rinj, Bullgaria dhe Rumania, të cilat janë anëtarësuar më 2007.

Ashpërsimi i kritereve është edhe rrjedhojë e pakënaqësisë së qytetarëve evropianë pasi që, sipas një hulumtimi të fundit të Eurobarometrit, 52 % e tyre e kundërshtojnë një zgjerim të ri.

Mirëpo, është punë delikate mbyllja e derës së “familjes evropiane” për vendet e Ballkanit, të cilët në të shohin rrugën më të sigurtë për ta tejkaluar traumatizmin e shkaktuar nga luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

“Është perspektiva e anëtarësimit në BE ajo që i ka shtyrë vendet e ish-Jugosllavisë të dorëzojnë pothuaj të gjithë kriminelët e dyshuar të luftës në Gjykatën e Hagës por edhe të krijojnë kushtet e një paqe të qëndrueshme në rajon”, theksojnë Sami Andoura dhe Yves Bertoncini, në një studim të publikuar këtë javë nga instituti “Notre Europe”.

Përveç Serbisë, katër prej këtyre vendeve konsiderohen si kandidate potenciale për anëtarësim: Mali i Zi, më i avancuari, Maqedonia, Bosnja dhe Kosova.

Lajme të ngjashme

Back to top button