Kriza institucionale po e degradon Kosovën

“Vakumi institucional pas zgjedhjeve në planin politik po e krijon kontekstin negativ për Kosovën, i cili po determinon disa trende negative. Situata e sigurisë në Kosovë po degradon në mënyrë rapide”, ka thënë Koci.

Politika kosovare duhet të tregojë maturi dhe të mos e qojë vendin në krizë. Ngërçi institucional po e degradon vendin si në aspektin ekonomik po ashtu edhe në atë të sigurisë.
Avokati Arianit Koci, në një intervistë për Tribunën ka bërë thirrje që veprimet e partive politike të mos e zbehin suksesin e mbajtjes së zgjedhjeve më të mira deri më tash në Kosovë.

Tribuna: Si i shihni zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare që u vlerësuan si më të mirat deri më tash?

Koci: Vërtetë zgjedhjet ishin më të mirat deri më tani. Manipulimet me votat e qytetarëve janë minimizuar, por animozitetet politike në raportin pozitë-opozitë pas zgjedhjeve, si edhe interpretimet diametralisht të kundërta të dispozitave kushtetuese, lidhur me krijimin e qeverisë, e kanë zbehur shumë mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Sidoqoftë, lajmi mirë për Kosovën është se si duket do të krijohen dy blloqe politike, që do të kenë programet e artikuluara politike dhe ekonomike. Qytetarët e Kosovës, në të ardhmen do ta kenë shumë më lehtë të vendosin se cili është opsioni i tyre i preferuar politik.
“Vakumi institucional pas zgjedhjeve, në planin politik po e krijon kontekstin negativ për Kosovën, i cili po determinon disa trende negative. Situata e sigurisë në Kosovë po degradon në mënyrë rapide”, ka thënë Koci.
Avokati, e ka quajtur lajm të mirë, faktin se SITF nuk do të ngre aktakuzë për trafikim organesh edhe tre vjet pas hetimeve intensive.

Tribuna: Cilat mendoni se do të jenë pasojat e kësaj krize?

Koci: Vakumi institucional pas zgjedhjeve, në planin politik po e krijon kontekstin negativ për Kosovën, i cili po determinon disa trende negative. Situata e sigurisë në Kosovë po degradon në mënyrë rapide. Vetëm këto ditë kanë ndodhur ekzekutimi brutal i z. Pista, pa asnjë provë apo indikacion deri më tani për motivin dhe kryesin eventual. Grabitja e dy bankave në Prishtinë, brenda 24 orëve. Numri i viktimave në komunikacion është rritur në mënyrë drastike.
Pastaj kemi degradimin e mëtutjeshëm të ekonomisë në Kosovë. Asnjëherë pas lufte nuk ka qenë krizë më e madhe, thuajse nuk ka biznes që nuk ka probleme financiare. Vonesat në kthimin e kredive kanë filluar të marrin përmasa alarmante. Trendi tjetër ka të bëjë me marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit. Nuk po shihet në horizont liberalizimi i vizave dhe kartoni i gjelbër, vazhdojmë të jemi populli i më i izoluar në Evropë. Ka edhe disa fusha tjera. Serbia në raport me Kosovën, po e shfrytëzon këtë vakum institucional për avancim politik në realizimin e agjendave të veta (heqja dhe rivendosja e barrikadës në Mitrovicë). Vazhdon popullimi në postet kryesore të administratës shtetërore dhe institucioneve publike me injorantë dhe analfabetë. Arsimi dhe shëndetësia janë shumë nën nivelin e shteteve të regjionit.

Tribuna: Çfarë duhet bërë?

Koci: Liderët tanë, si dhe të gjithë politikanët relevantë, duhet të tregojnë pjekuri institucionale dhe politike, dhe sa më shpejtë ta krijojnë qeverinë, për shkak se gjendja është alarmante. Sa më shumë prolongohet krijimi i qeverisë, sanimi i kësaj gjendje katastrofale do të jetë më i gjatë.

Tribuna: A mendoni se Gjykata Kushtetuese do të zgjidhë ngërçin institucional?

Koci: Dua të besoj që Gjykata Kushtetuese, do të jetë e paanshme dhe që do ta kryejë punën në mënyrë profesionale. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese është dashur të përmbahet prej çfarëdo deklarimi në media lidhur me këtë çështje. Deklarimi i parakohshëm, i kujtdo nga ana e gjykatës, mund të ngritë tensione politike dhe me deklarime të parakohshme dëmtohet kredibiliteti i gjykatës. Thjesht, gjykatësit nuk mund të deklarohen për një çështje, para se të vendosin. Në të njëjtën kohë, Gjykata Kushtetuese vendos si trup gjykues i përbërë prej të gjithë gjyqtarëve të pranishëm të gjykatës. Tash kjo çështje është iniciuar prej presidentes, dhe kredibiliteti i gjykatës do të varet prej vendimit e sidomos prej arsyetimit profesional që e bën e njëjta. Qytetarët duhet të binden me arsyetim profesional, sepse është marrë një vendim. Nuk dua në këtë fazë të jap mendim profesional, për shkak se nuk dua ta paragjykoj vendimin. Duhet të mësohemi të mendojmë institucionalisht dhe t’u besojmë institucioneve tona.

Tribuna: Brenda javësh SITF pritet të dalë me gjetjet e hetimeve trivjeçare për raportin e Martyt. Tashmë është e qartë se nuk do të ketë akuzë për trafikim organesh. Çfarë kuptimi ka kjo?

Koci: Të gjithë kemi qene të bindur që nuk ka pasur trafikim të organeve gjatë luftës në Kosovë. Besimi ynë u vërtetua. Lufta e UÇK-së, ka qenë luftë e pastër dhe luftë çlirimtare. Ky informacion, në këtë zymtësinë elektorale, është pa dyshim lajmi më i mirë në këtë vit për Kosovën. Shumë shpejt do të vërtetohet se edhe akuzat për krime lufte ndaj Sami Lushtakut, Syleljman Selimit dhe të tjerëve janë krejtësisht të pabazuara. Duhet kohë, mund e sidomos durim, por ngadalë dhe sigurt propaganda dhe akuzat e pabazuara ndaj Kosovës, po demontohen pjesë, pjesë. Si gjithnjë, vazhdojmë t’i besojm drejtësisë ndërkombëtare dhe vlerave demokratike dhe euroatlantike

Tribuna: A mendoni se institucionet tona janë të gatshme të ballafaqohen me këto të gjetura dhe do të dinë t’i plasojnë ato, në mënyrë që njolla e raportit të Martyt të zbehet?

Koci: Duhet të krijohet atmosfera që individët e aftë profesionalisht, që janë jashtë partive dhe politikës, të motivohen që të kyçen dhe të punojnë për shtet dhe zgjedhjen e problemeve të akumuluara. Normalisht, së bashku me individët që janë në parti politike.
Klanet politike të krijuara paslufte dhe atmosfera e linçimit medial, demotivon njerëzit e aftë dhe kompetent që të kyçen. Për këtë arsye, Kosovën që prej paslufte e kanë udhëhequr njerëzit me kapacitet nën mesatar politik dhe intelektual. Kemi nevojë për meritokraci.
Kam qenë kundër Gjykatës Speciale në formën e imponuar, por duhet ta pranojmë se vetë i kemi fajet për krijimin e kësaj gjykate, për shkak të arsyeve që i ceka më lartë. Sidoqoftë, vendimi është marrë dhe duhet tani që të gjithë të kontribuojnë që eventualisht të zbardhen të gjitha rastet e dyshimta. Kosovarët duhet të ballafaqohen me të kaluarën dhe vet t’i gjykojnë krimet eventuale që janë bërë. Ndërkohë, ndërkombëtarët duhet të na ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve dhe mekanizmave gjyqësore, të na ngarkojnë me “detyrat e shtëpisë”. Kjo është mënyra më e mirë që të dëshmojmë se e meritojmë të jemi pjesë e botës demokratike. ” Bërllokun” tonë duhet ta pastrojmë vetë./Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button