Shkëndija fitoi miqësoren e parë në Bullgari

Shkëndija ka shënuar fitore 2:0 në miqësoren e sotme përballë ekipit bullgar Cherno More, në takimin e parë kontrollues në kuadër të fazës së dytë të përgatitjeve në Bansko. Ishte kjo një përballje interesante, me kundërshtar kualitativ, që në bazë të lojës dhe rezultatit jep shenja pozitive për ekipin ‘kuqezi’, megjithëse është evidente se ka edhe shumë gjëra për tu përmirësuar.
Golin e parë për Shkëndijën e ka shënuar Mensur Kurtishit duke gjuajtur nga rreth 25 metra. Me këtë rezultat ka përfunduar pjesa e parë, edhe pse kishte edhe disa raste në të dy anët.
Në fillim të pjesës së dytë të dy trajnerët kryen disa zëvendësime, mirëpo intensiteti i lojës nuk ndryshoi dhe ekipet vazhduan të tregonin futboll të mirë. Rezultati nuk u ndryshua deri në minutën e 66-të kur Useini me gjuajtje precize shënoi për 2:0.
Disa minuta më vonë mundësi e mirë për vendasit kur pas një harkimi në zonë Amar tenton bukur me kokë, mirëpo me intervenim të shkëlqyeshëm shfaqet Adis Velii, që ruan të paprekur portën ‘kuqezi’.
Për Shkëndijën kjo ishte ndeshja e parë kontrolluese në kuadër të qëndrimit në Bullgari, ndërsa e treta prej fillimit të përgatitjeve. Paraprakisht në Strugë, Shkëndija mundi anëtarët e Ligës së Dytë të Maqedonisë, Mlladost Carev Dvorin (3:0) dhe Dritën e Bogovinës (6:1).
Ekipi të hënën nuk do të ketë stërvitje në Bansko, por do të presin të mësojnë emrin e kundërshtarit në kualifikimet për Liga Evropa. Të mërkurën skuadra do të zhvillojë edhe një ndeshje kontrolluese kundër ekipit Marek Dupnitsa.

Lajme të ngjashme

Back to top button