Miqësia amerikane dhe shembja e demokracisë

Në Maqedoni, tashmë një kohë të gjatë, prapa nxitjes së disponimit anti-NATO, në fakt fshihej disponimi anti-SHBA, ndonëse kjo gjë nuk shfaqej në mënyrë transparente nga nomenklatura aktuale politike maqedonase. Një nga shkaqet për një disponim të këtillë negativ ka qenë jo vetëm bombardimi i NATO-s në Serbi (1999), vendit më të preferuar të Maqedonisë nga të gjithë fqinjët ekzistues, por edhe “implikimi” i kësaj super-fuqie botërore gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, për të cilin opinioni maqedonas dhe politikanët e këtij komuniteti mendojnë se “ajo mori anën e shqiptarëve dhe imponoi Marrëveshjen e Ohrit”, të cilën e kanë “halë në sy” tash e 12 vjet më parë. 
Kjo politikë miope shkon aq larg sa që konsideron se bllokimi i Maqedonisë për hyrje në NATO nuk bëhet nga ana e Greqisë për shkak të emrit, por nga SHBA-ja. Kështu janë shprehur megafonat e afërt me qeverinë aktuale maqedonase. Në rastin e fundit, kjo doli edhe nga goja e ish-ambasadorit Nikovski, njeri me përvojë të gjatë diplomatike, në një konferencë për çështje të sigurisë rajonale. 
Sipas kësaj logjike, çdo ambasador, diplomat, burrështetas që sugjeron ndryshimin e emrit të Maqedonisë për zhbllokimin e proceseve euro-integruese të këtij vendi, menjëherë anatemohet nga mediet që janë nën kontrollin e pushtetit. Edhe vizita e fundit në Shkup e zëvendësit të ndihmës sekretarit të shtetit amerikan, ish-ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Filip Riker, i cili u angazhua për një debat gjithëpërfshirës në opinion për propozimin e ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic, për sa i përket emrit, është konsideruar si një “vazhdimësi e presioneve për ndërrimin e emrit të Maqedonisë”.

Autoritetet maqedonase nuk morën në konsideratë rekomandimet e këtij zyrtari të lartë amerikan, që të ndiqet shembulli i arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, edhe në rastin e kontestit me Greqinë, ndonëse u vu në dukje se nuk mund të vihen paralele strikte. Ndërkohë, edhe shefi i diplomacisë maqedonase Popovski i bëri një “replikë” të ashpër z. Rikerit, mikut të vjetër të Maqedonisë. Për këtë shkak, Riker nuk u prit gjithaq ngrohtë nga kreu shtetëror, ndërkohë që nuk u pa me sy të mirë edhe takimi i tij “incognito” e në “regji private”  me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, në një ambient shumë më relaksues.

Ç’është e vërteta, miqësia maqedonase-amerikane mori teposhtën në Samitin e NATO-s në Bukuresht, në vitin 2008, kur ky vend i vogël ballkanik që kishte përkrahjen e pa rezervë të SHBA-së dhe të presidentit të saj, Xhorxh Bush, në njëfarë dore tradhtoi pretendimet e fuqive të mëdha për ta futur këtë shtet në aleancën e madhe ushtarake e të sigurisë. Që atëherë mori në thua partneriteti me këtë vend të madh miqësor, të cilin në Maqedoni mbase mbetën ta duan edhe më tej dhe pa kurrfarë rezerve vetëm shqiptarët.
Propozimi i fundit i ndërmjetësit Nimic mbeti enigmatik për opinionin në Maqedoni. Në doza të vogla u mësua për përmbajtjen e tij vetëm nga shtypi grek. Kreu maqedonas mbase ka droje të publikojë detaje, të cilat mund të jenë “ekstreme”: ose janë shumë të ashpra për veshin e këtushëm, ose janë shumë të këndshme, por që të dyja nuk i konvenojnë.

Përkundër këtyre kthesave dramatike në politikën e fuqive të mëdha ndaj Maqedonisë, opinioni i këtushëm edhe më tej mbetet në apati dhe nuk po shqetësohet fare. Ky tashmë është bërë një stil standard i jetesës këtu. Mbase diplomacia amerikane nuk do të shqetësohet fort që po e “harron” nga pak këtë vend ballkanik, por janë qytetarët e saj të cilët duhet seriozisht të brengosen. Sepse, do të jetë shumë rëndë të mbetesh pa një mik të fortë “për ditë të vështira”.
“Kupa u derdh” sidomos pas një raporti të një organizate amerikane me renome, e cila përcjell zhvillimet në fushën e realizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut “Fridom haus”, e cila e paraqiti shumë të rrudhur nivelin e demokracisë në Maqedoni në rrafshin botëror. Kjo ishte një goditje e fuqishme për pushtetin aktual. Vlerësime të ngjashme negative, që lansojnë Maqedoninë në margjinat e civilizimit njerëzor erdhën edhe nga “Reporterët pa kufij” etj.
Kjo është “fatura” që i vjen dhe të tjera që do të vijnë në të ardhmen, për shkak të instrumentalizimit dhe uzurpimit pa precedencë të institucioneve dhe medieve nga ana e pushtetit. Në këso rastesh, keqpërdorimi i pushtetit dhe shfrytëzimi i forcës në luftë për të ndarë “të mirën nga e keqja”, sjell detyrimisht shkeljen e të drejtave të njeriut, përkatësisht të vlerave më sublime demokratike.

Çka është në thelb demokracia? Euro-komisionari për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, do të shprehet: “Liria e medieve është matësi më i mirë i demokracisë në një vend”. Në Konferencën “Speak up2” të mbajtur në Bruksel, komisionari për zgjerim do të thotë: “Nëse dëshironi të shihni nivelin e demokracisë së një shteti, atëherë shihni se në çfarë niveli është liria e shprehjes dhe e medieve”. Hose Manuel Baroso, kryetar i Komisionit Evropian, në paraqitjen e tij në këtë Konferencë ka thënë se “frikësimi i gazetarëve dhe dhuna e shqetësojnë më së shumti BE-në”. Me një rast, edhe Xhon Pol Stivens ka thënë se “Interesi për trimërimin e lirisë së të shprehurit në një shoqëri demokratike ka një peshë shumë më të madhe përballë justifikimeve teorike dhe përfitimeve jo të dëshmuara nga censura”. 

Së këndejmi, kur të kihet parasysh se në çfarë niveli është demokracia dhe liria e medieve në Maqedoni, sidomos sipas sondazheve ndërkombëtare, s’duhet të na habit fakti se jemi buzë humnerës. Opinioni në Maqedoni e sheh këtë sindromë të demokracisë varësisht nga përkatësia partiake. Ata të pushtetit thonë se “lulëzon demokracia” dhe se sondazhet e huaja qenkan qëllimkëqija, të tjerët thonë se kjo moti është “varrosur” nga pushteti. 

Kjo nëpërkëmbje e vlerave demokratike në këtë shtet, shkakton dëmtime të rënda në dioptrinë politike të grupimeve brenda opinionit publik. Në mungesë të informatave relevante dhe objektive, njerëzit këtu futen me vite në lajthitje, ata instrumentalizohen në një makineri votuese, për të mbështetur pa vetëdije të thellë një politikë retrograde. Kjo shërben si bazë për të ndërtuar një realitet të konstruktuar, të ngjyrosur “roze”, për të mbajtur në jetë pushtetin ekzistues. Fenomenet që ndodhin aq të qarta në dëm të qytetarëve po mjegullohen në vazhdimësi nga mediet e paguara të pushtetit. Në vend të tyre jepen fakte absurde: “Në Maqedoni cigaret dhe pijet alkoolike janë më të lirat në Evropë!”. Çfarë fati dhe ironie, qytetarët mund të pinë pa kursyer cigare dhe alkool, që të mbeten popull më i lumtur në Evropë.   

Lajme të ngjashme

Back to top button