Musa Xhaferri, politikani që mban rekordin e pathyeshëm ministror, sërish premton avancim të MO

Musa Xhaferri është i vetmi politikan në historinë e Maqedonisë pluraliste që brenda një periudhe 12-vjeçare për 10 vite ka qenë ministër. Ndërkohë që mandati i tij në qeveri vazhdon, ky lloj rekordi bëhet gjithnjë e më i paarritshëm.

Ndonëse në politikë luan “solo”, Musa Xhaferi që nga themelimi i BDI-së është figurë kyçe e saj.

Në optikën e qytetarit të thjeshtë Musa Xhaferri, është një personalitet politik i heshtur që pak i ezauron çështjet me rëndësi për opinionin publik dhe një personalitet që  mbart përgjegjësi për dështime, për dikë një personalitet që reflekton.

Disa qytetarë mendojnë se dikasteri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit po e zgjat veprimtarinë e saj.

Arben Osmani, thotë se zëvendëskryeministri Musa Xhaferri është figura kuçe në BDI i cili nuk mund të amnistohet nga përgjegjësit që MO është shndërruar në një dokument, jo veç tani më të parealizueshëm në tërsinë e tij, por edhe një dokument shumë i paqartë.

Një tjetër qytetar, Lulzim Ramadani, ndan përshtypjen se Musa Xhaferri si personalitet politik, është treguar më i fuqishëm në bërjen e politikës së përgjithshme të BDI se sa në postet ministrore që ka udhëhequr.

Prototip i politikës shqiptare

Për analistin Xhelal Neziri, Musa Xhaferri është prototip i politikës shqiptare ngase funksionon pa fraksion, grup apo degë partiake.

“Në fakt, Ahmeti dhe Xhaferri janë binomi i BDI-së që drejtojnë partinë në dy fusha: i pari në luan politikën “gju më gju me popullin” ndërsa i dyti “kryeministrin e çeliktë” të shqiptarëve të Maqedonisë. Xhaferri ka zgjedhur të jetë figura negative e kreut të BDI-së, andaj gjatë kohë është urryer brenda partisë. Tani, kur në zgjedhjet e fundit fitoi maksimumin e votave në njësinë zgjedhore numër 5 dhe la opozitën pa asnjë deputet, Xhaferri ka edhe bazë të fortë partiake. Kam përshtypjen se viteve të fundit ai punon në përmirësimin e imazhit negativ që gëzon brenda partisë dhe jep shenja se bëhet gati që në një të ardhme jo të largët të drejtojë BDI-në”, thotë Xhelal Neziri për Portalb.

Marrëveshja e Ohrit paraqet ende një sfidë për marrëdhëniet e brishta ndëretnike në Maqedoni. Periudha e ardhshme do të vë para një sprove edhe BDI-në, për implementimin e plotë të kësaj marrëveshje.

Zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, tregon për Portalb se ka edhe shumë rrugë për të implementuar këtë marrëveshje me gjithë parametrat e saj.

Ai thotë se gjatë këtij mandati ministror, do të avancojë edhe përmbajtjen edhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Marrëveshja e Ohrit as në çerekun e formësimit të plotë

Nga axhenda që do të ketë përpara zëvendëskryeministri Xhaferri që trashëgon po të njëjtin resor, mund të kuptohet se Marrëveshja e Ohrit nuk ka arritur të trasojë as çerekun e  rrugës së saj.

Ja prioritetet që Musa Xhaferri tregon për Portalb:

–          Do të vazhdohet me përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në sistemin gjyqësorë.

–          Forcimi i kapaciteteve financiare të komunave

–          Ligji për decentralizimin e komunave

–          Implementimi i zhvillimit rajonal, shpërndarja adekuate e mjeteve financiare për regjionet.

–          Rritja e besueshmërish së shqiptarëve në institucionet e shtetit, nëpërmjet përfaqësimit adekuat në këto institucione

Për zëvendëskryeministrin Xhaferri, relaksimi i marrëdhënieve ndëretnike mbetet një çështje e komplikuar.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button