Civilë të vrarë në Luhansk, teksa vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje

Forcat ruse kanë përdorur avionë për të kryer sulme të reja ndaj pozicioneve ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut, tha ushtria ukrainase më 18 prill. Ky njoftim pasoi raportimet për bombardime në rajonin e Luhanskut, ku janë vrarë disa civilë dhe ka pasur dëme të mëdha në infrastrukturë, kanë thënë zyrtarët rajonalë, transmeton REL.

Forcat ruse kanë përdorur aviacionin operacional-taktik dhe sulmues në përpjekje për të përparuar në qytetet e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës dhe Marjinkës në Donjeck, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ukrainase ka zmbrapsur mbi 70 sulme të armikut në Bahmut dhe Marjinka, që vazhdojnë të jenë epiqendra të armiqësive, tha ushtria ukrainase.

Beteja disamujore për Bahmutin është shndërruar në një prej betejave më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës, ku të dyja palët raportohet se kanë pësuar humbje të mëdha.

Në rajonin fqinj të Luhanskut, granatimet ruse kanë vrarë të paktën tre persona dhe kanë plagosur një tjetër në fshatin Novojehorivka, tha më 18 prill kreu i administratës ushtarake rajonale, Artem Lysohor.

Lysohor tha se në ditët e fundit, forcat ruse vazhdimisht kanë përdorur avionët për të bombarduar vendbanimet e çliruara në këtë zonë.

Edhe në rajonet jugore të Ukrainës, ditëve të fundit është vërejtur përdorim më i madh i avionëve nga Rusia, tha Natalya Humenyuk, kryetare e qendrës koordinuese mediale të Forcave Mbrojtëse Jugore të Ukrainës.

Humenyuk tha për televizionin ukrainas se dronët rusë dhe avionët kanë kryer sulme thellë në territorin ukrainas, përtej vijës së frontit në rajonin e Hersonit.

Ndërkaq, Kremlini tha përmes një deklarate më 18 prill se presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar selitë ushtarake në rajonet e Hersonit dhe Luhanskut, që janë pjesërisht nën kontrollin rus.

“Komandanti suprem i forcave ushtarake të Federatës Ruse ka vizituar selitë e grupimeve ushtarake të Dnjepërit” në rajonin e Hersonit, u tha në deklaratë, pa specifikuar se kur ka ndodhur kjo vizitë.

Kremlini, po ashtu, ka publikuar pamje, që supozohet se shfaqin Putinin duke pranuar raportime nga komandantët ushtarakë në pjesët e kontrolluara nga Rusia në Herson, para se të udhëtonte me helikopterë në selitë e Gardës Kombëtare ruse në rajonin e Luhanskut.

Në shtatorin e vitit të kaluar, Rusia njoftoi për aneksimin e rajoneve ukrainase të Hersonit, Luhanskut, Donjeckut dhe Zaporizhjës, që Moska i ka pjesërisht nën kontroll, vendim që është refuzuar nga shumica e botës dhe është cilësuar joligjor.

Pamjet e publikuara nga Kremlini nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Më 17 prill, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina po përgatitet të takohet më vonë gjatë javës me Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Zelensky tha se ka zhvilluar “bisedime përgatitore” para takimit të 21 prillit të grupit që përbëhet prej dhjetëra shteteve që i kanë ofruar armë Kievit.

Ai tha se Ukraina pret “që të merren vendime të forta që duhet të jenë në përputhje me prospektet në fushëbetejë” gjatë takimit me mbështetësit e Ukrainës.

Një prej pikave kyçe të këtij takimi pritet të jetë çështja e furnizimit të Ukrainës me municion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button