Nata e Kadrit, natë më e mirë se jeta e gjatë

Pejgamberi a.s. thotë: “Kush agjëron Ramazanin me besim (të vërtetë) dhe duke llogaritur (shpërblimin e Allahut), do t’i falen mëkatet e mëhershme të bëra (ndaj Allahut)”. “Kush falet në Ramazan me besim (të vërtetë) dhe duke llogaritur (shpërblimin e Allahut), do t’i falen mëkatet e mëhershme të bëra (ndaj Allahut)”. “Kush falet (lutet) Natën e Kadrit me besim (të vërtetë) dhe duke llogaritur (shpërblimin e Allahut), do t’i falen mëkatet e mëhershme të bëra (ndaj Allahut)”[1].

Veçoritë e Ramazanit
Këtë muaj fisnik, në të cilin Allahu urdhëroi agjërimin e tij, caktoi faljen e namazit të Teravisë gjatë tij, e ka bërë atë sezon për tregti të të mirëve, sezon për falje dhe shlyerje të të këqijave, pastrimit të zemrave nga ndyrësitë dhe nga ligësitë. Allahu e veçoi këtë muaj me Natën e Kadrit:
“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!”[2]. Kadr do të thotë nder dhe pozitë e lartë, prandaj ajo është një natë me domethënie të lartë, në të cilën është shpallur Libri me vlerë madhështore përmes Pejgamberit a.s..
Nata e Kadrit është nata në të cilën Allahu e shpalli Librin më të mirë të zbritur, përmes Pejgamberit më të mirë të dërguar ndonjëherë, te populli më i mirë i paraqitur ndonjëherë në mesin e njerëzve.
Pra, Nata e Kadrit është nata e Kur’anit, nata e kësaj kushtetute qiellore madhështore, natë në të cilën është shpallur ky Kur’an, natë të cilën Allahu e preferoi nga netët e tjera, madje e bëri më të mirë se njëmijë muaj.
Veprat e mira, adhurimi dhe namazi gjatë saj janë më të mira se veprat dhe adhurimet e njëmijë muajve, që është e barabartë me 83 vjet e 4 muaj, një jetë kjo e gjatë.

Nata më e mirë se jeta e gjatë
Sa njerëz nga ne shpresojnë që t’u zgjatet jeta, që të jetojnë njëmijë muaj duke bërë vepra të mira. Shumë dëshirojnë që, pas fëmijërisë dhe rinisë, t’i jetojnë 83 vjet, dhe, kur kësaj i shtohen vjetët e fëmijërisë dhe rinisë, ajo arrin përafërsisht 100 vjet. Kjo është një jetë e gjatë.
Megjithatë, këtë jetë që njeriu dëshiron ta jetojë, duke e lutur Allahun për t’ia dhënë atë, që të jetoj për të bërë vepra të mira dhe të dobishme, pra këtë jetë të shpresuar Allahu xh.sh. ua dha pasuesve të Muhammedit a.s. në një natë. Kjo jetë e gjatë është e përmbledhur në një natë, në Natën e Kadrit.
A ka nder më të madh nga ai që veprat gjatë kësaj nate të jenë më të mira sesa veprat gjatë njëmijë muajve?
Transmetohet se Pejgamberit a.s. i është shfaqur jetëgjatësia e popujve para islamit, dhe ai kishte vërejtur se ata paskëshin jetuar gjatë, pastaj kishte vënë re se njerëzit e këtij Ymeti jetojnë 60, 70 ose 80 vjet, një gjë që e brengosi atë se pasardhësit e tij s’do të mund të arrinin të bënin vepra të mira ashtu siç kishin bërë popujt në të kaluarën, për këtë arsye, Allahu xh.sh. ia dha atij këtë natë si nder për Pejgamberin e Tij dhe për këtë popull.
Kjo natë përsëritet për çdo vit në muajin e bekuar të Ramazanit, po a keni parë diku tjetër një shumëfishim të tillë?! Nuk është shumëfishim njëqind përqind, as dyqind përqind, dhe as njëmijë përqind, veçse është një natë më e mirë se 30.000 net të tjera.

Privimi i fatkeqit
Çfarë humbjeje për atë të cilit i kalon kjo natë e nuk e shfrytëzon, që është i pavëmendshëm ndaj saj dhe nuk interesohet që ta arrijë atë?!
A nuk është dështim dhe humbje që në një natë të këtillë, vlera e së cilës është e shumëfishuar dhe shpërblimi i saj është shumë i madh, njerëzit të jenë të pavëmendshëm dhe të pakujdesshëm ndaj saj?
Kush falet dhe lutet vetëm gjatë kësaj nate, atij do t’i falen mëkatet e mëhershme të bëra (ndaj Allahut). A ka mirësi më të madhe se kjo? A ka vlerë më të madhe dhe më të lartë se kjo? Prandaj, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush privohet nga mirësia e saj, është i privuar në të vërtetë”. Gjithashtu, ai ka thënë: “Kush privohet nga mirësia e saj, do të privohet nga të gjitha mirësitë. Nuk privohet nga mirësia e saj vetëm privuesi”. Sa fatkeq dhe sa fatzi! A ka më fatkeq dhe më fatzi se ai të cilit kjo natë i kalon duke qenë i pavëmendshëm, nuk e shfrytëzon atë dhe nuk e fiton mirësinë e saj të madhe?!
Në këtë natë, Allahu xh.sh. e zbret mëshirën dhe shpërblimet e mëdha; gjatë saj zbresin engjëjt që e mbushin sipërfaqen e tokës. Engjëjt janë reflektim i mëshirës, kënaqësisë dhe begatisë nga Allahu xh.sh., pra zbritja e engjëjve ndodh për shkak të zbritjes së kënaqësisë, mëshirës dhe shpërblimit. Për këtë arsye, shtëpia e privuar prej të mirave është ajo në të cilën nuk hynë engjëjt, si shtëpia në të cilën ekziston qeni pa nevojë, ose si shtëpia në të cilën ekzistojnë idhujt.
Ajo është nata e paqes, e tëra është paqe, prej fillimit të saj e deri në agim të mëngjesit:
“Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”[3].
Ajo është Nata e Kadrit, me të cilën Allahu e veçoi këtë Ymet dhe me të e nderoi mbi popujt e tjerë:
“Allahu me mëshirën e Vet, veçon atë që dëshiron, Allahu është Zot i mirësisë së madhe”[4].
Allahu i zgjedh ditët, netët, vendet dhe personat që i dëshiron, sepse zgjedhja dhe veçimi është e drejtë ekskluzive e Allahut xh.sh.:
“Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh kë të dojë, atyre nuk u takon zgjedhja”[5]. Allahu e zgjodhi këtë natë, e kjo zgjedhje megjithatë është reflektim i Urtësisë së Tij, për të cilën nuk na lajmëroi saktë se cila është ajo (natë).

Cila është ajo natë?
Allahu na saktësoi se ajo është në muajin e Ramazanit, në të cilin zbriti Kur’ani, mirëpo – cila është ajo natë në Ramazan? Disa dijetarë mendojnë se ajo është në natën e parë të Ramazanit.
Hasan El-Basriu dhe disa juristë të tjerë islamë, mendojnë se ajo është në natën e shtatëmbëdhjetë të Ramazanit, natën e betejës në Bedër, në të cilën Allahu i zbriti engjëjt:
“Dhe atë (Kur’anin) që ia zbritëm robit Tonë (Muhammedit) ditën e furkanit (ditën e Bedrit, kur u dallua e vërteta nga e shtrembëra), ditën e konfrontimit të dy grupeve”[6]. Ata kanë thënë se kjo është nata në të cilën ka filluar t’i zbres Kur’ani Pejgamberit a.s. dhe kur filloi Shpallja, e sipas disa transmetimeve kjo ka qenë në natën e shtatëmbëdhjetë të Ramazanit.
Disa as’habë, si Ebu Seid El-Hudriu r.a., janë të mendimit se ajo është në natën e njëzetenjëtë, duke marrë parasysh fjalët e Pejgamberit a.s. drejtuar shokëve të tij: “A e dini kur është Nata e Kadrit? Pastaj disa as’habë e diskutuan këtë në xhami, dhe kjo (dituri) është ngritur. Pra, dy as’habë e diskutuan këtë çështje, dhe për këtë arsye mbeti mosmarrëveshja, dhe Allahu e ngriti këtë njohuri prej zemrës së Pejgamberit a.s., e nuk dihet saktësisht se cila është ajo natë pasi që ka qenë e njohur. Pejgamberi a.s. dëshiroi t’i njoftoj për të, prandaj, pasi që u qetësuan as’habët tha: Ndoshta kjo është më mirë për ju. Pastaj, Pejgamberi a.s. i tha Ebu Seidit: Unë kam parë se si bëj sexhde atë natë në ujë dhe baltë. Ebu Se’id El-Hudriu thotë: Kam dëgjuar nga Pejgamberi a.s. se atë natë qielli ishte i kthjellët, mirëpo pastaj menjëherë u vranësu (u mbulua me re) dhe filloi të bie shi. E kam parë Pejgamberin a.s. në agim të asaj nate, në natën e njëzetenjëtë të Ramazanit, që bënte sexhde, dhe gjurmët e ujit dhe të baltës ia kam parë në ballë”[7]. Për këtë arsye, Ebu Seid El-Hudriu r.a. është i mendimit se Nata e Kadrit është në këtë natë, në natën e parë të dhjetëshit të fundit të Ramazanit.
Ndërsa, disa as’habë dhe tabiinë të tjerë, janë të mendimit se ajo është në natën e njëzeteshtatë të Ramazanit. Të këtij mendimi janë edhe: Ubejje ibën Ka’bi r.a. dhe Abdullah ibën Abbasi r.a..

Shkaku i fshehjes së saj
Me rëndësi është që ajo nuk është përcaktuar saktësisht, Allahu e ka fshehur atë për ndonjë urtësi, ashtu siç e ka fshehur prej nesh momentin kur pranohet lutja në ditën e Xhumasë, nëse besimtari e qëllon atë moment duke e lutur Allahun për t’i dhuruar ndonjë të mirë, Ai do t’ia dhurojë atë. Ky moment nuk është përcaktuar saktësisht, në mënyrë që zemra e njeriut të jetë e lidhur për Allahun, dhe që me vullnet e me dëshirë të madhe të lutet gjatë tërë ditës. Gjithashtu, Allahu nuk e përcaktoi saktësisht Natën e Kadrit, sepse njeriu do të synonte përtacinë e rehatinë, dhe, sikur ta dinte Natën e Kadrit, atëherë gjatë shumicës së muajit të Ramazanit do të ishte i pavëmendshëm, derisa të vinte kjo natë, në të cilën do të mundohej më shumë, do të falte namaz të natës dhe do të lutej. Që të mos ndodh kjo, Allahu e fshehu prej nesh këtë natë.
Megjithatë, mendimi më i qëndrueshëm është se ajo ndodhet në dhjetëshin e fundit të Ramazanit.
Pejgamberi a.s. na urdhëroi që ta kërkojmë atë në dhjetëshen e fundit të Ramazanit, sidomos në netët tek, e Pejgamberi a.s. këtë nuk do ta kërkonte prej nesh, po të mos ishte i sigurt që ajo është diku në mes të atyre netëve.

Si ta kalojmë Natën e Kadrit?
Nëse në disa vende agjërimi fillon një ditë më vonë se në vendet e tjera, kjo do të thotë se çdo natë mund të jetë tek ose çift, prandaj, obligim i njeriut është që ta kërkojë Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, të mos përtojë e të lërë ndonjë natë (pa lutje e vepra të mira). Duhet të ngrihet për t’u falur sa më mirë, me përkulje e qetësi:
“Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit”[8].
Duhet të lexoj Kur’an, sepse, për çdo shkronjë që lexon muslimani, do të ketë dhjetëfishin e shpërblimit për të, ashtu siç thuhet në hadithin: “Unë nuk u them Elif Lam Mim një shkronjë, por Elif një shkronjë, Lam një shkronjë dhe Mim një shkronjë”[9].
Duhet të lutet e të përulet, sepse lutja është truri i adhurimeve, madje lutja është vetë adhurimi.
Aisheja r.a. e kishte pyetur Pejgamberin a.s.: “O i Dërguar i Allahut, po ta dija se në cilën natë është (i bie) Nata e Kadrit, ç’të them? Pejgamberi a.s. i kishte thënë: Thuaj: O Allahu im, Ti je falës, e do faljen, prandaj më fal mua!”[10]. Lutjet janë të shumta në Kur’an e hadithe:
“Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr!”[11].
“O Allahu im, kërkoj falje dhe shëndet në dynja e Ahiret”[12]. Ekzistojnë edhe shumë lutje të tjera në Kur’an dhe hadithe të Pejgamberit a.s., e lutjet më të mira janë ato që transmetohen prej këtyre dy burimeve, sepse me mësimin e tyre njeriu i fiton dy shpërblime: Shpërblimin e lutjes dhe shpërblimin e pasimit të sunnetit dhe udhëzimit të Pejgamberit a.s..

Pejgamberi a.s. në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit
“Transmetohet nga Aisheja r.a. se, kur fillonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Pejgamberi a.s. i shtrëngonte rrobat e tij (tërhiqej nga bashkëshortet), e gjallëronte çdo natë të tij (me devocion) si dhe i zgjonte të afërmit e tij (për të bërë ibadet)”[13].
Tërë natën e gjallëronte me adhurim, me namaz, me lexim të Kur’anit dhe duke u lutur. I zgjonte edhe anëtarët e tjerë të familjes dhe qëndronte larg grave të veta, në mënyrë që edhe ato të ishin pjesëmarrëse në adhurim. Gjatë këtyre netëve, ai qëndronte në xhami në i’tikaf, që netët dhe ditët t’ia kushtonte vetëm Allahut, i thelluar në adhurime, duke kërkuar ndihmë dhe shpëtim prej Zotit të vet, sepse ata që e njohin Allahun, tek ata ekziston një dashuri shpirtërore për adhurim, ashtu siç ka thënë Pejgamberi a.s.: “Namazi u bë kënaqësia e syve të mi (që derdhin lot të ftohtë)”[14]. Gjithashtu, ai ka thënë: “Unë fle, ndërsa më ushqen dhe më freskon Zoti im”[15].
Nata e Kadrit shtrihet në Ramazan, e sipas të gjitha gjasave ajo ndodhet në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit, pra përgatituni dhe kërkojeni atë.
Ta kërkojmë Natën e Kadrit dhe të mundohemi të bëjmë ibadet më shumë se më parë. Të mundohemi të bëjmë vepra të mira më shumë se më parë, ta përmirësojmë namazin tonë, t’i dorëzohemi Allahut me zemrat dhe shpirtrat tanë, duke qëndruar para derës së Tij, duke i shtrirë duart tona e duke iu lutur:
“Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë (dëmtuam) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!”.

Dr. Jusuf El-Kardavi
Përktheu: Mr. Faruk Ukallo

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button