Kodi telefonik për Kosovën 383 ose 384

Bisedimet me Beogradin për çështjet e telekomunikacionit kanë përfunduar, kurse nesër pala serbe duhet të deklarohet nëse pranon propozimin e palës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për kodin telefonik ndërkombëtar të Kosovës. Kështu tha zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri, në një intervistë për Radio Kosovën. Nëse përgjigja e palës serbe do të jetë pozitive, atëherë Kosova do të marrë kodin ndërkombëtar telefonik 383 apo 384, tha ajo.  

“Mund t’ju them se draft marrëveshja e fundit, të cilën e ka propozuar BE –ja, si e tillë integrale, pra, e tërësishme, ka qenë e pranueshme për neve dhe ne kemi dhënë pëlqimin në parim, mirëpo ka qenë pala serbe ajo e cila ka nxjerrë pengesa dhe mospajtime të reja, siç është kontestimi i kodit unik telefonik. Me fjalë të tjera, ka shfaqur pengesa, që të vazhdojnë me ndërhyrjet ilegale në Kosovë, në fushën e telefonisë mobile, dhe përgjigja e tyre po pritet, pra përgjigja duhet të jetë se, Serbia pranon kodin unik telefonik shtetëror të Kosovës dhe duke e pranuar këtë formulim, tregon qartë se heq dorë nga veprimtaria e operatorëve paralelë.

Ky ka qenë mospajtimi mes nesh. BE –ja, ndërkaq, ka vlerësuar se kodi për Kosovën duhet të jetë unik. Ne kemi kërkuar që të jetë unik dhe në qoftë se pala serbe do të shprehet pozitivisht, atëherë mund të ketë marrëveshje. Ajo theksoi se nëse përgjigja është pozitive nga pala serbe, atëherë Kosova, në bazë të së drejtës së vet, që e ka trashëguar si ish njësi federale e ish-Jugosllavisë i takon kodi 383 ose 384.

“Në qoftë se përgjigja është pozitive nga pala serbe, atëherë Kosova, në bazë të së drejtës së vet, që e ka trashëguar si ish njësi federale e ish-Jugosllavisë i takon kodi 383 ose 384, dhe ky kod ka mundur të merret pa asnjë problem, por ja që jemi ballafaquar me ndërhyrjet ilegale dhe politike të palës serbe, prandaj një prej këtyre kodeve 383 apo 384 do të jetë kodi shtetëror telefonik apo kodi ndërkombëtar i Republikës së Kosovës”, tha ajo. Sipas saj, sa i takon periudhës se kur do të fillojë përdorimi i kodit tha se kjo merr kohë. “Ndërsa, sa i takon periudhës se kur do të fillojë përdorimi i tij, natyrisht se procedurat e aplikimit dhe shqyrtimit nga ana e IBU –së, për t’i dhënë Kosovës kodin, do të marrin një kohë.

Ne orientimisht në draft marrëveshje kemi paraparë, që në janar të vitit 2015, të gjitha kodet tjera telefonike, do të kalojnë në kodin telefonik ndërkombëtar unik të Kosovës. Po ashtu, ua kemi bërë me dije se Bashkimi Evropian, e kjo thuhet në draft-marrëveshje, do të ndihmojë Kosovën në procedurat e aplikimit dhe do të ndihmojë Kosovën për heqjen e ndonjë pengese eventuale që mund të dalë për shkak se siç e dimë, Kosova ende nuk është anëtare e OKB –së dhe sigurisht se mund të ketë pengesa, por për këto pengesa kemi marrë zotime se mund të hiqen me angazhimin e Bashkimit Evropian”, vlerësoi zëvendëskryeministrja Tahiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button