NATO dhe kërcënimi që paraqet Rusia e Kina

Një ditë pasi festuan anëtarësimin e Finlandës në aleancën transatlantike të sigurisë, siç njofton Zëri i Amerikës, Cindy Saine, vendet anëtare të NATO-s nisën punën të mërkurën në Bruksel, duke trajtuar kërcënimet e sigurisë të paraqitura nga Rusia dhe Kina.

Pasi festuan anëtarësimin e Finlandës, si vend i 31-të i NATO-s, ministrat e jashtëm të aleancës të mërkurën iu rikthyen realitetit të ashpër të agresionit rus në Ukrainë. Gjatë takimit u diskutua plani se si ta pajisnin Ukrainën për kundërofensivën e pritshme.

Finlanda zuri vendin e saj në tryezë si pjesë e familjes së NATO-s.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se anëtarësimi i Finlandës do të ketë ndikim të madh.

“Finlanda e bën aleancën më të fortë. Unë mendoj se ka edhe përfitim shtesë nga ky anëtarësim në masën që nëse Rusia mendon të zgjerojë agresionin e saj, NATO tani paraqet një pengesë edhe më të fortë”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Të martën, zoti Blinken e kishte këtë mesazh për presidentin rus Vladimir Putin.

“Kjo është ndoshta e vetmja gjë për të cilën mund të falënderojmë zotin Putin, sepse sërish, me politikat e tij, ai përshpejtoi pikërisht atë që pretendonte të parandalonte”, tha zoti Blinken.

Rusia ka thënë se do t’i përgjigjet anëtarësimit të Finlandës në NATO duke rritur praninë e saj ushtarake nëse është e nevojshme.

Takimi i Brukselit vjen ndërsa tanket dhe mjetet luftarake të NATO-s tanimë janë dërguar në Ukrainë. Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës publikoi një video javën e kaluar që e tregonte atë në një nga tanket “Challenger 2” të dhuruar nga Britania.

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se bota po pret të shohë se cilat do jenë rezultatet e kundërofensivës pranverore të Ukrainës.

“Nuk është më rëndësi nëse bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Ukrainën, Kinën apo Evropën, nëse është fjala për demokracitë dhe jodemokracitë e botës, mendoj se të gjithë po mbajnë frymën në këtë moment. Nuk ka shumë gjëra që do të ndodhin në aspektin diplomatik derisa të shohim se deri ku shkon ky kundërsulm”, tha Michael Kimmage, profesor i Historisë në Universitetin Katolik të Amerikës.

Ndërkohë beteja për qytetin ukrainas, Bakhmut vazhdon dhe shumica e 70,000 banorëve të qytetit janë larguar. Një tjetër analist i tha Zërit të Amerikës se Bakhmuti është ende në qendër të vëmendjes së Kievit.

“Ukrainasit janë me të vërtetë të përqendruar në stabilizimin e situatës rreth Bakhmutit, duke bllokuar sa më shumë forca ruse të jetë e mundur atje, ndërsa gjithashtu në të njëjtën kohë, po kryejnë stërvitje me tanket Abrams, Challenger, Bradley, me tanket gjermane Leopard. Pra, kur kushtet të jënë të përshtatshme dhe balta të fillojë të thahet, atëherë mendoj se do të shohim ukrainasit të bëjnë disa lëvizje të mëdha në fushën e betejës”, thotë Luke Coffey, ekspert në Institutin Hudson.

Zoti Blinken dhe udhëheqësit e tjerë të NATO-s thanë se Rusia kishte dështuar të demoralizonte ukrainasit, ose aleancën që po i mbështet ata gjatë dimrit, siç kishte planifikuar presidenti rus, Putin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button