Divorci lë pasoja më të mëdha tek fëmijët vajza sesa tek djemtë

Gjatë divorcit, të gjitha çështjet që lidhen me kujdestarinë, vizitën dhe prindërimin, fëmijët janë zakonisht shqetësimi kryesor i prindërve. Sipas psikologëve, divorci mund të prekë një fëmijë në mënyra të ndryshme, në varësi të moshës, gjinisë dhe faktorëve të tjerë, shkruan Panacea.

Divorci prek në mënyrë të ngjashme si fëmijët femra ashtu edhe meshkujt, por ka disa dallime mes tyre. Më konkretisht, përvoja dhe përjetimi i gjithë kësaj është më i gjatë për vajzat sesa për djemtë. Hulumtimi tregon se fëmija femër ka disa simptoma negative edhe deri në një vit pas divorcit – kryesisht depresion, zemërim dhe probleme psikologjike. Megjithatë, këto pasoja në shumicën e rasteve zhduken me kalimin e kohës.

Në shumë familje, nënat marrin kujdestarinë e fëmijëve pas divorcit.

Për vajzat, zhvillimi i një lidhjeje të fortë me nënën e tyre pas divorcit i ndihmon ato të rikuperohen nga stresi më shpejt sesa nëse do të kishin qëndruar me babanë e tyre. Dr. Paul R. Amato, një ekspert divorcesh, zbulon se marrëdhënia nënë-bijë është më “rezistente” ndaj streseve pas divorcit.

Megjithatë, duke qenë se ajo nuk jeton më me të atin, është e rëndësishme që nëna ta ndihmojë vajzën që të vazhdojë kontaktin dhe një marrëdhënie të mirë me babain. Sigurisht që këtu janë të rëndësishme edhe rrethanat e divorcit, si dhe marrëdhënia e babait me fëmijën. E gjithë kjo duhet të merret parasysh.

Një studim tjetër tregon se divorci mund të ndikojë negativisht në arsimimin e vajzave dhe në karrierën e mëvonshme. Fatkeqësisht, rreth 10 për qind e vajzave që përjetuan divorcin prindëror treguan ulje të dëshirës, shkathtësisë dhe suksesit në shkollë. Megjithatë, mesatarisht, hulumtimet tregojnë se shumica e vajzave dhe grave janë të suksesshme në shkollë dhe në punë, veçanërisht nëse kanë pasur dhe kanë mbështetje të vazhdueshme nga të paktën një prind.

Nga ana tjetër, divorci i prindërve në moshë të hershme të fëmijës djalë rrit sjelljen e tij të keqe – në formën e agresionit, dhunës, delikuencës etj. Kjo është veçanërisht e theksuar kur divorci karakterizohej nga konflikte më të vështira dhe më të shpeshta mes prindërve.

Shumica e djemve humbin kontaktin e rregullt me babanë e tyre pas disa vitesh. Disa studiues thonë se kjo e ndërlikon më tej ose e vonon përshtatjen dhe zhvillimin e fëmijës mashkull. Për këtë, ekspertët këshillojnë dhe rekomandojnë që djemtë, veçanërisht ata që hyjnë në adoleshencë, të kenë nevojë për praninë e vazhdueshme të babait edhe pas divorcit.

Në rastin e një marrëdhënieje me një partner të ri, përfshirja e njerkut ose njerkës menjëherë pas divorcit sjell stres shtesë tek fëmijët, paralajmërojnë psikologët. Megjithatë, është zbuluar se djemtë ndonjëherë i perceptojnë njerkët si aleatë ose miq dhe e pranojnë anëtarin e ri të familjes shumë më mirë se vajzat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button