Tetovë, për herë të dytë u pezullua plani për ndërtimet në zonën e “Shik Jellak”

Këshilli i Komunës së Tetovës për herë të dytë pas një viti pezulloi edhe për gjashtë muaj disa pjesë të dispozitave planore të planit detal urbanistik 57 dhe 57A, apo i njohur ndryshe edhe si vendi i ish fabrikës “Shik Jellak”. Kjo sipas Komunës bëhet për të mbrojtur interesin publik dhe se gjatë kësaj periudhe do të përgatitet plan i ri për të njëjtat, vendimi u miratua me 17 vota për dhe 13 të përmbajtura, shkruan Portalb.mk.

Përfaqësuesja nga sektori i urbanizmit në komunë sqaroi se nisma për suspendimin edhe për gjashtë muaj të një pjese të caktuar të dispozitave planore të planit detal urbanistik për bllokun urban 57a, përkatësisht suspendimi nga zbatimi i parcelave ndërtimore, bëhet për të parandaluar dëmin ndaj interesit publik, i cili dëm është konstatuar që në fillim të këtij plani.

“Ky propozim për vendim me kohëzgjatje për gjashtë muaj do të ishte vendimi i duhur që do të na jepte mundësinë shtesë dhe kohën e nevojshme që ne si Komunë e Tetovës të arrijmë të realizojmë të gjitha procedurat ligjore tani më të filluara për miratimin e planit detal urbanistik të ri”, thanë nga sektori i urbanizmit.

Këshilltari komunal nga BDiI, Liridon Disha pyeti nëse nga Komuna kanë marrë përgjigje nga Ministria e Transportit për parcelat në fjalë për kërkesën që e kanë bërë si komunë.

Për këtë, nga sektori i urbanizmit theksuan se nuk ka ankesë, nuk ka akuzë nga ana e komunës.

“Nuk jemi drejtuar me ndonjë ankesë deri te ministria, ne si komision i urbanizmit kemi përgatitur elaborat me dëshmi, me mendimet e personave kompetent që mund ta lexojnë një plan të tillë që do të kishte paraqitur rrezik nëse realizohet ai plan, është dorëzuar në ministri dhe kemi marrë mendim, mendimi nuk është as pozitiv as negativ, është mendim nuk është pëlqim”, thanë nga sektori i urbanizmit, duke sqaruar se kërkohet për gjashtë muaj të pezullohet kjo pjesë dhe më pas të miratohet plan detal urbanistik i ri.

Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi theksoi se në atë zone nuk janë paraparë vend parkingje nën-tokësore, pasi ato vend parkingje që janë në atë pjesë me ndërtime aq të larta nuk janë të mjaftueshme, nuk është paraparë kopsht për fëmijë, nuk është paraparë ambient i gjelbër, nuk është paraparë që 20% ndërtim i çdo parcele të ketë gjelbërim, rrugët dytësore nuk janë të parapara, trotuaret me gjerësi prej 1.5 metër e kështu me radhë.

“Për këtë arsye është bërë pezullimi për një vit, tash bëhet për gjashtë muaj deri në sjelljen e një plani të ri ku të gjitha këto parametra që i përmenda të rregullohen dhe të jepen lejet e ndërtimit për atë zonë” tha Durmishi.

Kujtojmë që para një viti, me 7 prill të vitit 2022, këshilli komunal pezulloi për një vit planin detal urbanistik për bllokun 57A “Shik Jellak”.

Ndryshe, Komuna e Tetovës gjatë mandatit të dytë të Teuta Arifit ndryshoi tërësisht planin detal urbanistik të bllokut urban 57A që më pas u “përgatit” shitja e pronës “Shik Jellak” biznesmenit kontrovers serbo-malazez, Miodrag Daka Davidoviq, ku parashihej që kjo pjesë të shndërrohet në bllok urban për ndërtimin e banesave dhe një qendre tregtare. Davidoviq për opinionin në RMV është i njohur prej bisedave të publikuara gjatë periudhës para zgjedhjeve parlamentare, ku përmendet edhe puna në lidhje me Shik Jellakun- Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button