Xhaçka në Shkup: Shqipëria dhe RMV-ja, model i bashkëpunimit të mirë në rajon, vazhdojmë drejt rrugës eurointegruese

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, sot qëndroi për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, me çka realizoi disa takime me krerë të shtetit dhe me homologun e saj. Ajo çfarë u theksua nga takimet në vigjilje të 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, është shembulli i fqinjësisë dhe bashkëpunimit të mire mes dy vendeve, si dhe rruga eurointegruese, shkruan Portalb.mk.

Takimi mes homologëve Xhaçka – Osmani

Në takim u konstatua dinamika në bashkëpunimin bilateral dhe u rikonfirmuan zotimet e ndërsjella për pasurimin e tij me përmbajtje dhe projekte të reja, në interes të dy vendeve fqinje dhe qytetarëve. Theksi u vu në proceset e reformave të integrimit evropian, që po zhvillohen me ritme të pandërprera në të dy shtetet.

“Këtë vit shënojmë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike – tri dekada të afërsisë, miqësisë dhe sukseseve. Ky partneritet dhe kjo miqësi e fortë u demonstrua shumë qartë në periudhën para fillimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kur shumica e parashikuan mundësinë që Shqipëria të vazhdonte e vetme në këtë rrugë. Sinqerisht e vlerësojmë sjelljen dhe para se gjithash durimin e Tiranës zyrtare, e cila edhe publikisht shprehu mirëkuptim për qëndrimin tonë gjatë asaj periudhe”, tha Osmani.

Të dy vendet së bashku dhe kalojnë nëpër procesin e skriningut, përmes zbatimit të reformave të brendshme, drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, si një mundësi reale dhe e arritshme, shtoi ai.

Ministrja Xhaçka theksoi se dy vendet janë model i bashkëpunimit të mirë në rajon. Ajo theksoi se qeveritë e dy vendeve kanë komunikim miqësor për shumë çështje, dhe se janë model bashkëpunimi i fqinjësisë së mirë në rajon.

“Vendet tona janë duke dhënë kontribut në ndërlidhjen e rajonit dhe kontribut drejt perspektivës euroatlantike. Biseduam se si mund ta intensifikojmë bashkëpunimin mes nesh. Ne sot takohemi si ministra të jashtëm të dy vendeve që janë anëtare të NATO-s. Që procesi ynë i integrimit të avancoj qëndrueshëm dhe me rezultate konkrete, andaj inkurajoj aktorët politik në Maqedoninë e Veriut që të kontribuojnë me konstruktivitet në përmbushjen e angazhimeve që do ti hapin rrugë përparimit të procesit të integrimit të vendit”, tha Xhaçka.

Ndër të tjera ajo theksoi se vlerëson rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Ata kanë dëshmuar se janë kontributor të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit përkrahës të pa-rezervë të procesit të integrimit të vendit”, tha Xhaçka.

Në takim ata iu referuan bashkëpunimit rajonal dhe marrëveshjes së arritur së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast, u theksua mbështetja e fuqishme e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për zbatimin e plotë dhe joselektiv të dispozitave të marrëveshjes dhe aneksit të Ohrit.

Në prag të takimit ministror të nesërm në kuadër të ShBA-Karta e Adriatikut (A5), ministrat vlerësuan lart bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, ku partneriteti dhe aleanca jonë demonstrohen çdo ditë, si dhe riafirmuan politikën e dyerve të hapura me shtetet e reja anëtare.

Olta Xhaçka – Bujar Osmani, foto: MPJ e RMV-së

Takimi Xhaçka – Pendarovski

Xhaçka u prit edhe nga presidenti i vendit Stevo Pendarovski. Në takim u shpreh kënaqësia për dialogun e vazhdueshëm politik dhe zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve, të cilat këtë vit shënojnë tre dekada nga kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike.

Siç njoftojnë nga zyra e presidentit, në takim u shkëmbyen mendime dhe informacione për rrjedhën e shqyrtimit dypalësh të dy vendeve me Bashkimin Evropian. Në takim u theksua se si aleatë të NATO-s, të dy vendet janë të gatshme të pasurojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, me synimin për një kontribut edhe më aktiv për sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Pendarovski dhe Xhaçka biseduan edhe për situatën në rajon, me fokus dialogun Beograd-Prishtinë pas raundit të fundit të bisedimeve në Ohër, si dhe zhvillimet në rajonin e gjerë, në kuadër të agresionit rus kundër Ukrainës.

Olta Xhaçka- Stevo Pendarovski. Foto: Kabineti i Presidentit të RMV-së

Takimi Xhaçka – Xhaferi

Ministrja Olta Xhaçka zhvilloi takim edhe me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në kuadër të vizitave zyrtare në Shkup.

“Ai theksoi se të dyja vendet ndajnë qëllime dhe interesa të përbashkëta në planin e jashtëm-politik në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal”, raportojnë nga Kuvendi.

Xhaferi theksoi edhe rëndësinë e lidhjes infrastrukturore ndërmjet dy vendeve, duke përkujtuar që sivjet bëhen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

“Bashkëbiseduesit e nënvizuan përkushtimin e përbashkët të dyja vendeve për zhvillim gjithëpërfshirës të Ballkanit Perëndimor dhe i përshëndetën rezultatet e Samitit të fundit të Procesit të Berlinit në drejtim të progresit të arritur në lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendeve të rajonit, me njohje të ndërsjellë të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale. Me rëndësi të madhe janë edhe marrëveshjet e shumta të nënshkruara në suazat e Nismës Ballkani i Hapur kurse realizimi i obligimeve të ndërmarra me këto marrëveshje mbetet prioritet i përbashkët”, raportoi Kuvendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button