Shpëtimi i Credit Suisse zgjidhje e mirë por jo pa rreziqe

Banka zvicerane Credit Suisse, e cila gjendet në krizë të thellë, tani për tani është shpëtuar – falë rivalit të saj kryesor bankës UBS. Kjo parandaloi kolapsin e pakontrolluar të kësaj banke. Por bashkimi i dy bankave bart edhe rreziqe të shumta, shkruan DW.

Presidenti federal zviceran Alain Berset e quajti shpëtimin një “zgjidhje shumë të fortë”. UBS do të marrë bankën Credit Suisse për tre miliardë franga. Është një njoftim që mund të ketë pasoja afatgjatë, tha Berset. Si për bankat e mëdha zvicerane, por edhe për stabilitetin e mjedisit financiar zviceran, për individët privatë si dhe për kompanitë që kanë nevojë për burime financiare nga bankat, pra që kanë nevojë për kredi.

Por kjo është e rëndësishme edhe për stabilitetin e sistemit financiar ndërkombëtar. “Një kolaps i pakontrolluar i Credit Suisse do të kishte pasoja të paparashikueshme për Zvicrën dhe botën financiare ndërkombëtare”, theksoi presidenti federal. “Ne duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur një krizë me përamasa të gjera financiare”.

Kredia prej 100 miliardë frangash

Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) e ka mbështetur bashkimin e dy prej bankave më të mëdha të Zvicrës duke u dhënë atyre një hua prej 100 miliardë franga për të ndihmuar likiditetin e bankave.

Përveç kësaj, qeveria zvicerane i ka dhënë bankës UBS një garanci me vlerë prej nëntë miliardë frangash. Qeveria shprehu keqardhjen që banka Credit Suisse nuk ishte në gjendje të shpëtonte nga vështirësitë në të cilat kishte rënë, tha ministrja zvicerane e Financave Karin Keller-Suter.

Fuzioni duhet të sjellë stabilitet në treg?

Marrja e Credit Suisse nga banka rivale UBS është “zgjidhje shtetërore”, theksoi ministrja. Por çdo zgjidhje tjetër do të rezultonte në një krizë financiare, shton ajo. “Rënia e një banke që është e rëndësishme për sistemin global do të shkaktonte probleme të mëdha për ekonominë kombëtare zvicerane, por mund të shkaktojë krizë edhe në shkallë globale”, thotë ministrja Keller-Suter.

Zvicrës iu desh të merrte përgjegjësinë që i takon edhe përtej kufijve të vendit. “Qeveria është e bindur se marrja e Credit Suisse nga UBS do të krijojë një bazë për stabilitet më të madh – si në Zvicër ashtu edhe ndërkombëtarisht,” tha Keller-Suter.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button