Agim Ademit iu caktua masa e arrestit shtëpiak për 30 ditë
Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak për 30 ditë.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e ka konfirmuar këtë për Radion Evropa e Lirë. Ajo tha se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë për arrest shtëpiak prej një muaji.
“Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, të pandehurit A.A. do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Dje, Ademit i ishte caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh, pas dyshimeve për kryerje të veprave penale, “keqpërdorim i besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.
Në një komunikatë për media të 22 marsit është thënë se Prokuroria, bashkë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me çështjet penale.
Ademi është zgjedhur në krye të FFK-së në korrik të vitit 2018.