Shërbimet në lidhje me udhëtimet, sektorët e Maqedonisë së Veriut me rritjen më të madhe të aktiviteteve
Maqedonia e Veriut ka regjistruar rritje të qarkullimit nga shitja e shërbimeve në tremujorin e katër gjatë vitit të fundit, duke veçuar shërbimet e operatorëve turistikë, transmeton Portalb.mk.
“Qarkullimi nga shitja e shërbimeve në tremujorin e katërt të vitit 2022 shënon rritje në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2021 për 6,6%”, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Në rast se krahasohet gjithë viti 2022 me vitin paraprak, kemi rritje për 8.3 % në qarkullimin e shërbimeve.
“Në tremujorin e katërt të vitit 2022 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, një rritje vërehet në shumicën e departamenteve, dhe më e madhja është në departamentin e agjencive të udhëtimit, organizatorëve të udhëtimeve (operatorëve turistikë) dhe shërbimeve të tjera rezervimi, si dhe aktiviteteve që lidhen me rezervimet, duke shënuar rritje për 37.1 %”, sqaroi Enti.
Rritje është regjistruar edhe në departamentin e objekteve të akomodimit (34.7 %) dhe aktiviteteve të shërbimit të ushqimit (29 %), ndërkohë kemi ulje për 41.1 % te sektori Transmetimi i programit.