Shukova: Stacioni i pastrimit të ujërave të zeza në Jugohrom duhet të funksionojë

 Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) Kaja Shukova sot ka zhvilluar takim me punonjësit e stacionit të pastrimit për reduktimin e ndotjes me krom gjashtëvalent në Jugohrom Alzar SHPKNJP Jegunovc – në falimentim.

Takimi u inicua nga punonjësit e Jugohrom – në falimentim, për shkak të problemeve me pagesën e të ardhurave mujore, kërkesës për mjete shtesë për shërbime në ditët jopune, si dhe sigurimin e pajisjeve shtesë mbrojtëse.

“Stacioni i pastrimit është objekt në pronësi të Jugohrom Alzar SHPKNJP Jegunovc dhe personat që kujdesen për funksionimin e tij janë të punësuar në kompani. Për shkak të faktik se ky objekt aktualisht është i falimentuar dhe nuk funksionon, dhe pastrimi i ujërave që derdhen nga deponia ka rëndësi jetike për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe ujërave nëntokësore nga kromi gjashtëvalent, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor merr përsipër të paguaj kompensimet për pagat mujore të personave që operojnë stacionin e pastrimit, si dhe për kimikatet që duhet të prokurohen, pra kostot e mirëmbajtjes së stacionit të pastrimit”, thonë nga MMJPH.

Në takim ministrja informoi se kërkesat e punonjësve tashmë janë diskutuar me administruesin e falimentimit dhe të njëjtët do të përmbushen me Marrëveshjen e re që do të nënshkruajë MMJPH me administruesin e falimentimit, gjegjësisht do të sigurohet pagesa e rregullt e pagave, është zgjidhur problemi me sigurimet shëndetësore dhe Ministria do të bëjë përpjekje që të sigurojë pajisje mbrojtëse për punëtorët. Sipas Shukovës, e vetëdijshme për rëndësinë e punës së stacionit të pastrimit, mbetet të monitorohet situata me procedurën e falimentimit, e cila do të varet nga e ardhmja e punonjësve.

Portalb.mk dhe Meta.mk në disa raste, gjatë muajve të kaluar, ka shkruar për problemin me deponinë industriale në Jegunovc. Nga e gjithë deponia me një sipërfaqe prej 80.000 metrash katrorë, vetëm 11.000 metra katrorë janë të mbuluar me një shtresë mbrojtëse, e cila duhet të parandalojë depërtimin e kimikateve të rrezikshme në ujërat nëntokësore. Vlerësohet se në atë lokacion ka rreth 7.500 tonelata krom gjashtëvalent, që është një substancë kancerogjene dhe e rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin jetësor.

Kromi gjashtëvalent nga deponia “Jugohrom” në Jegunovc mund të jetë rrezik edhe për burimin Rashçe, nga i cili furnizohet me ujë të pijshëm pothuajse i gjithë Shkupi. Përzierja e ujërave nëntokësore, të kontaminuara me mbetjet e deponiat dhe ujërave të masivit Gjeden, i cili furnizon kryeqytetin me ujë të pastër, është regjistruar si një rrezik potencial qysh para dy dekadash në hulumtimin e Drejtorisë për Hidrometeorologji.

Prania e kromit gjashtëvalent në ujërat që gravitojnë në drejtim të burimit të Rashçes është konfirmuar edhe në hulumtimin “Origjina e ujërave të burimit Rashçe dhe aspektet e mbrojtjes së tyre”, nga një grup profesorësh nga Fakulteti Teknologjik-Metalurgjik në Shkup, që u botua në vitin 2019 përmes Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM).

Për të kontrolluar shkarkimet nga deponia industriale në Jegunovc, në vitin 2003 është ndërtuar sistemi i kullimit (drenazhimit), me ç’rast shkarkimi nga deponia mblidhet me stacione parapompuese dhe përmes tubacioneve bartet në impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, që gjendet në rrethin e fabrikës “Jugohrom”.

Ky do të ishte kushti ideal që duhet të parandalonte ndotjen e ujit nga deponia, por Meta.mk gjatë dimrit të kaluari shte në terren në Jegunovc dhe pa se uji me ngjyrën karakteristike të verdhë-portokalli dhe të kuqe të errët mund të shihet pranë stacionit të pompimit në deponi, që derdhet drejtpërdrejt në lumin Vardar. Në lokacion ndihet një erë e pakëndshme, ndërsa bimët që kanë ra në kontakt me ujin e ngjyrosur kanë ngordhur prej kohësh. Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në “Jugohrom” është duke punuar, por jo me kapacitet të plotë për të trajtuar shkarkimet nga deponia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button