Nevojat e Ukrainës për municione në qendër të takimit mes zyrtarëve perëndimorë të mbrojtjes

Sekretari amerikan i Mbrotjes Lloyd Austin do të drejtojë nga Pentagoni një takim virtual ku do të marrin pjesë zyrtarë të mbrotjes nga rreth 50 vende. Takimi pritet të përqëndrohet tek nevojat e ushtrisë ukrainase për municione në funksion të përballjes së këtij vendi me agresionin rus, raporton VOA.

Ai vjen pas disa mbledhjesh të të ashtuquajturit Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, në bazën ajrore Ramstein në Gjermani. Grupi është një aleancë e 54 vendeve, 30 prej të cilave anëtare të NATO-s, krijuar si përgjigje ndaj sulmit rus në Ukrainë.

“Ne po vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të plotësuar nevojat e Ukrainës, qoftë me municione, mjete të mbrojtjes ajrore, apo automjete të blinduara”, u tha të martën gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder.

Ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e dytë të saj, zyrtarët amerikanë si dhe ata të Bashkimit Evropian e NATO-s, janë zotuar të shtojnë përpjekjet për të shtuar prodhimin e municioneve për të furnizuar Ukrainën, si dhe mbushur rezervat e tyre që janë pakësuar.

“Ne shqyrtojmë vazhdimisht çështjen e furnizimin me municione”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjatë një takimi me drejtues ushtarakë të vendit të tij.

Zoti Zelenskyy tha se përqëndrimi kryesor ishte tek përpjekjet për të mbrojtur vijën e frontit lindor, mes tyre Bakhmutin, një qytet që është përfshirë prej muajsh të tërë nga luftime të ashpra. Ai tha se pozicioni i qartë i udhëheqësve ushtarakë ukrainas është “përforcimi i pozicioneve, me synimin për t’i shkaktuar dëmin më të madh të mundshëm okupatorit”.

Po sot zoti Zelenskyy përshëndeti njoftimin e Danimarkës për një ndihmë prej 1 miliard dollarësh për këtë vit për Ukrainën.

Rreth dy të tretat e fondeve do të jenë ndihmë ushtarake, pjesa tjetër synon të mbështesë operacionet humanitare, ato për rindërtim si dhe biznesin.

Në një postim në Twitter zoti Zelenskyy shprehte mirënjohjen e tij duke shtuar se ndihma do t’i shërbente afrimit të asaj që ai e cilësoi, fitore e përbashkët ndaj agresorit, si dhe kthimit të paqes në Evropë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button