Arifi: Mos harxhoni panevojshëm ujin e Tetovës, do të jemi në gjendje të rëndë

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi u apeloi sot banorëve  të këtij qyteti ta kursejnë ujin e pijshëm sepse siç theksoi, në këtë mënyrë do i ndihmohet edhe Komunës e cila përpiqet të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për furnizim me ujë të pijshëm për tërë qytetin.

“Mundohemi ta mbajmë në gjendje të rregullt sistemin e ujit dhe paralelisht me të gjitha kapacitetet që kemi  angazhohemi për projektimin e zgjidhjes së përhershme për furnizim të qytetit me ujë për pije mirëpo edhe ju qytetarë të dashur  jeni të obliguar që ta ndihmoni këtë proces. 

Mënyra se si ju do ta ndihmoni veten tuaj dhe komunën tuaj si institucion që ka për obligim të kujdeset në përmbushjen e nevojave tuaja është shmangja nga harxhimi i panevojshëm i ujit për pije. 

Kjo nënkupton që ju duhet ta kurseni ujin për pije, pra mos ta shfrytëzoni atë për larjen e hapësirave publike, rrugëve, trotuareve dhe oborreve shtëpiake. Në qoftë se vazhdohet me shfrytëzimin joracional të ujit për pije do të arrijmë në një gjendje  të rëndë nga e cila do të na duhen vite për të dalë ndërsa pasojat do ti bartin të gjithë qytetarët” thuhet në apelin e Arifit.

Kohë më parë nga Komuna thanë se pasi të mbarojë revizioni i projektit të ujësjellësit të Tetovës ata do dalin me të dhëna për keqpërdorimet e bëra si dhe do të bëhet një projekt i ri i cili do ta zgjidhte këtë problem. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button