Ligjvënësit amerikanë hetojnë problemet me tërheqjen amerikane nga Afganistani në vitin 2021

Dhoma e Përfaqësuesve, me shumicë republikane, filloi të mërkurën një hetim lidhur me vendimin e administratës së Presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga Afganistani në gusht të vitit 2021. Ekspertë të imigracionit dhe përfaqësues të ushtrisë amerikane që ndihmuan në përpjekjet e evakuimit dëshmuan se tërheqja kaotike ishte rezultat i vendimeve të gabuara prej disa dekadash, raporton VOA.

Ditët e fundit të pranisë amerikane në Afganistan u shoqëruan me kaos dhe vdekje, ndërsa përparimi i shpejtë i talebanëve e zuri në befasi ushtrinë amerikane dhe Departamentin e Shtetit.

“Për shkak të mospërfilljes së detyrës nga administrata e Presidentit Biden, bota pa skena të dhimbshme që u shpalosen brenda dhe përreth aeroportit të Kabulit për dy javët e ardhshme”, tha Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve Michael McCaul.

Ligjvënësit republikanë po udhëheqin hetimet lidhur me ngjarjet e gushtit të vitit 2021. Demokratët argumentojnë se bazat për tërheqjen kaotike u hodhën nga administrata e mëparshme.

Në vitet para tërheqjes së vitit 2021, vendimi për t’u përfshirë në negociatat e drejtpërdrejta me talebanët, duke përjashtuar qeverinë afgane dhe ftesa për t’u takuar në vendpushimin presidencial ‘Camp David’ konfirmoi legjitimitetin ndërkombëtar për talibanët”, thotë ligjvënësi demokrat, Gregory Meeks.

Kongresi gjithashtu po shtron pyetjen se pse ka një ngecje në përpunimin e vizave për dhjetëra mijëra afganë, të cilëve u ishte premtuar siguria në këmbim të ndihmës për forcat amerikane.

Peter Lucier është me organizatën “Team America Relief” që ka ndihmuar në mbështetjen e përpjekjeve të evakuimit.

“Kjo nuk është historia e dështimit të Biden-it apo dështimit të Trump-it. Por dështimi amerikan dhe efekti që ka pasur dhe vazhdon të ketë tek afganët.”

Përfundimisht rreth 122,000 njerëz u larguan nga Afganistani me avion në ditët e para të marrjes së kontrollit nga talibanët. Por statusi i imigracionit për ata afganë që arritën në SHBA është ende i pasigurt dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të bllokuar në Afganistan.

“Përloteshim kur dëgjonim mesazhet e lëna nga fëmijët që luteshin për ndihmën tonë”, tha në seancën dëgjimore Francis Q. Hoang me organizatën “Allied Airlift 21:.

Ushtarët amerikanë dëshmuan gjithashtu se rregullat e paqarta të angazhimit luftarak në aeroportin e Kabulit i lanë ata të pambrojtur ndërsa pohuan se kjo rezultoi në sulmin me bombë, dita më vdekjeprurëse për amerikanët në Afganistan në 10 vite.

“Tërheqja ishte një katastrofë. Kishte një mungesë përgjegjësie të pajustifikueshme dhe neglizhencë. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për 11 marinsat dhe një ushtar që u vranë atë ditë (nga sulmi vetvrasës me bombë) ”, tha rreshteri i marinës amerikane Tyler Vargas-Andrews.

Ligjvënësit amerikanë thonë se së shpejti do të dëshmojnë Sekretari i Shtetit dhe Sekretari i Mbrojtjes lidhur me rolet që luajtën dikasteret e tyre në evakuim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button